• |
ide | kryesore

Video/ Partizani fundos Luftëtarin: Sormani merr fitoren e parë pas tre humbjeve

F1, Sport, Video



Duhej fitore me cdo kusht dhe Partizani përmbush misionin: në letër i lehtë, por në situatën në të cilën ndodhej skuadra kryeqytetase më shumë se i komplikuar. Blerjet e ditës së fundit nuk e ndihmuan dot Luftëtarin që të konfirmohej macja e zezë e Partizanit: bluezinjtë dolën të mundur nga stadiumi i tyre 0-3 nën goditjet e Solomon, Brojës e Melos, që i japin frymëmarrje Sormanit, pas tre humbjeve në tre ndeshjet e para që drejtonte të kuqtë.

Coclli nuk përsëriti dot strategjinë e bërë kundër Kukësit, sepse planet ia prishi Solomon, që shkoi në gol që në minutën e dytë të takimit, duke e bërë ndeshjen të thjeshtë për Partizanin. Sormani kishte mbajtur në pankinë Boldor (katastrofik kundër Besëlidhjes), duke u kthyer në një klasike 4-4-2 që i garantoi të kuqve më shumë mbulim të mesfushës dhe ekuilibër në prapavijë. Broja shënoi golin e dytë në minutën e 18, duke iu gëzuar tashmë edhe realizimit të parë me fanellën e kuqe, në një ndeshje me sens unik, në të cilin gjirokastritët u panë vetëm në pjesën e dytë me shtyllën e Celës, por jo më parë se Melo të kishte vënë sigurinë në rezultat me golin e tretë. Një perlë e mesfushorit që likuidoi Luftëtarin, gjithnjë e më shumë në kaos.

Partizani i Sormanit merr pikët e para, në tentativë për të përmirësuar bilancet në tetë ndeshjet e fundit mes kampionatit e Kupës, të kuqtë kanë vetëm dy fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa tani me 31 pikë merr provizorisht vendin e tretë në pritje të gabimeve të Kukësit e Tiranës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *