• |
ide | kryesore

Një këpucë për dy… ‘e artë’: Nwabueze e Shkurtaj sfidohen në fushë

Sport



20 javë dhe dy protagonistë absolutë: Kyrian Nwabueze dhe Vasil Shkurtaj po bëjnë të flitet për ta me zhurmë golash, duke e kthyer në këtë mënyrë Këpucën e Artë një cështje personale. Amerikani ka patur një impakt të jashtëzakonshëm në Superiore, duke shënuar 14 gola me fanellën e Laçit. 9-a i kurbinasve ka marrë përsipër bardhezinjtë, duke i udhëhequr drejt objektivit Europë, por titulli i golshënuesit nuk është më aq i sigurtë sa u duk pas 15 javëve të para të kampionatit, kur amerikani kishte shënuar të njëjtin numër golash sa ka aktualisht.

Mbrojtjet i kanë kushtuar shumë më tepër vëmendje Nwabueze, që nuk gjen golin prej 5 javësh. E fundit ndeshje ku amerikani ka lënë gjurmë është ajo e 14 dhjetorit në pokerin kundër Luftëtarit. Problemi është se nga ajo kohë Vasil Shkurtaj me Kukësin ka bërë një rikuperim të rëndësishëm, duke shënuar 5 gola kundrejt një të amerikanit. 13 herë ka tundur rrjetën vlonjati i bluve, që beson shumë tek forma në rritje e skuadrës së tij, që nuk njeh humbje që prej tetë javësh. Dy golat e shënuar në sfidën e fundit kundër Flamurtarit e kanë ngushtuar diferencën mes dy qendërsulmuesve në vetëm një gol dhe tani shkohet në përplasjen direkte.

Goleadorët kanë edhe një statistikë tjetër të përbashkët, kanë shënuar nga pesë herë nga pika e bardhë, gjë që e bën edhe më interesante duelin mes tyre, që spostohet nga në distancë në ballë për ballë. Dy numrat 9, rivalët e tjetër i shohin larg: Guindo me 8 gola është i treti dhe e kanë të qartë se golat tani peshojnë, për skuadrën e individualisht, sepse në mes është një këpucë…e artë madje.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *