• |
ide | kryesore

Zbardhet plagosja e 35-vjeçares në Shkodër, tre në pranga

Arkiva, Lajme, Të fundit



Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar, ku u plagos me armë zjarri një 35-vjeçare. Policia sqaron se ka pasur shkëmbim zjarri mes dy grupeve në lagjen “Vasil Shanto”, në Shkodër, ku për pasojë e plagosur nga plumbat ka mbetur një kalimtare.

Për ngjarjen janë arrestuar tre të rinj, njëri prej tyre banues në Shkup të Maqedonisë, ndërsa dy tjerët nga Durrësi dhe Shkodra, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin M. M. ku dhe ky i fundit iu është përgjigjur po me plumba.

Njoftimi i policisë: 

Zbardhet dhe dokumentohet brenda pak orësh ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 05.02.2020, ku u plagos me armë zjarri shtetasja L. J.

Finalizohet operacioni “Reagimi”

Operacioni nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Durrës.

Kontrolle të shumta, në disa qytete, për kapjen e autorëve.

Arrestohen ne flagrancë 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 5 shkurt, në pedonalen e qytetit, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes dy personave mbeti e plagosur një kalimtare, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë ngriti një grup të posaçëm hetimi, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga grupi hetimor, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim DVP Tiranë dhe DVP Durrës, u finalizua operacioni policor “Reagimi, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i në flagrancë i shtetasve:

A. R., 31 vjeç, banues në Durrës, E. B., 28 vjeç, banues në Durrës dhe R. Xh., 22 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni.

Gjithashtu është shpallur në kërkim M. M., 26 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër.

Nga hetimet e kryera në kohë rekord nga grupi hetimor i DVP Shkodër rezultoi se shtetasit A. R., E. B. dhe R. Xh. kanë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e datës 05.02.2020, rreth orës 22:40, në lagjen “Vasil Shanto”, në drejtim të shtetasit M. M., i cili iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur e plagosur shtetasja L. J. (kalimtare).

Po nga hetimet dyshohet se këta shtetas kishin konflikte të hershme me njëri -tjetrin.

Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një automjet që i përket shtetasit M. M.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *