Një shekull histori, 100 vite fitore, zhgënjime, emocione e adrenalinë mbërthyer në një klub, në një logo, në një simbol të qytetit. Tirana feston 100 vjetorin e klubit dhe në përvjetorin jubilar kërkon që gjithcka të jetë unike, duke filluar nga… logo. E pikërisht për këtë bardheblutë kanë prezantuar edhe dizajnin fitues, që do të vendoset në të gjithë aktivitetet e 100 vjetorit të klubit: “Në kuadër të përgatitjeve për këtë vit jubile, KF Tirana ka ngritur një grup pune me figura të njohura, kontribues ndër vite për historinë e klubit dhe qytetit” shkruan komunikata.
Në bashkëpunim me klubin janë në fakt ish-drejtues të bardhebluve, gazetarë, fotografë, njohës të historisë së klubit si dhe personalitete të qytetit të Tiranës, të cilët kontribuojnë duke sjellë sugjerime si në rastin e logos së shekullit. “Mes tre punimeve më të mira, është përzgjedhur logo e punuar nga Florian Sallo. Kjo do të jetë logo zyrtare, që do të përdoret në të gjithë ditët festive të këtij viti jubilar” përfundon komunikata e klubit Tirana.