• |
ide | kryesore

Video/ I humbi ndeshjen kundër Tiranës me gafën e tij: Vllaznia bën shembull Sherrin

F1, Sport, Video



Humbja e së premtes në sfidën me Tiranën në “Loro Boriçi” ka sjellë pështjellim tek Vllaznia, e tronditur nga deklaratat në të nxehtë të teknikut Mirsad Jonuz, që ka konstatuar se në skuadër ka futbollistë mesatarë, duke iu referuar në radhë të parë portierit Alen Sherri, që mbajti faturën për gabimin e bërë në momentin e golit të minutës së fundit. Mund të jetë pikërisht ky motiv për të cilin kuqeblutë kanë lëvizur në mënyrë të menjëhershme, por të vendosur, duke vënë nën kontratë portierin nga Maqedonia e Veriut, Adreja Efremov.

“KF Vllaznia bën të ditur se prej disa ditësh ka arritur marrëveshjen dhe ka firmosur kontratë edhe me portierin maqedonas Adreja Efremov. Mbrëmjen e së premtes portieri në fjalë është bërë pjesë e listës së federimit të ekipit “B” dhe sipas rregulloreve përkatëse të FSHF-së, do të jetë në dispozicion të stafit teknik të ekipeve tona për ndeshjet e ardhshme. KF Vllaznia i uron mirëseardhjen portierit Andreja Efremov dhe shpresojmë që ai të bëjë më të mirën për ngjyrat kuqeblu”, ka konfirmuar klubi përmes një komunikate zyrtare.

Kështu, Sherri, që konsiderohej një nga pikat e forta të shkodranëve, duket se ka humbur më shumë se një ndeshje. 27 vjeçari maqedonas në karrierë ka luajtur për Metalurgun e Shkupit, Rabotniçkin, Renovën, portugezët e Famalikaos si dhe bullgarët e Lokomotivës së Sofies. Një lëvizje domethënëse e klubit, pikërisht para kthimit të 1/8 së finaleve të Kupës së Shqipërisë kundër Flamurtarit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *