• |
ide | kryesore

Volejboll/ “Shqipëria shkon në Europian”: tekniku i Partizanit, Tomorri, shpjegon edhe arsyen

Sport



“Shqipëria mund të kualifikohet në finale të Europianit të volejbollit” ky është mendimi i ish-trajnerit të kombëtares së meshkujve, Ylli Tomorri, që nënvizon faktin se me aktivizimin e volejbollistëve shqiptarë në Evropë, përballë Rumanisë, Sllovakisë dhe Zvicrës, kjo përfaqësuese i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në Evropian. “Kam dëgjuar dhe kam lexuar që Federata Shqiptare e Volejbollit ka marrë vendimin për të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Evropian, edhe pse kanë vështirësi financiare. Nuk ka për t’u dalë keq, sepse, duke marrë parasysh zhvillimin e volejbollit post-komunizëm, atëherë sot janë të paktën gjashtë lojtarë që luajnë në Evropë. Dhe kjo nuk është pak. Me një gërshetim të mirë me lojtarët e kampionatit bëhet një kombëtare cilësore dhe unë them që do të kualifikohen”, ka komentuar Tomorri.

Partizani dhe Erzeni janë rivalë të përhershëm në volejbollin shqiptar. Kështu ka ndodhur edhe të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa në javën e njëmbëdhjetë të kampionatit triumfuan të kuqtë, 3-0. “Ne fituam një ndeshje – thotë Tomorri – por kjo nuk do të thotë se arritëm gjithçka. Janë dy skuadra të barabarta, dy skuadra me nivel të mirë dhe të përforcuar me lojtarë të huaj. Aq më tepër që Erzeni ka një grup lojtarësh që luajnë prej vitesh me njëri-tjetrin. Por gjithsesi ky është një tregues për ecurinë tonë”. Digtiarenko, Azarov dhe Lonçar janë tre lojtarët e ardhur nga merkato dimërore në skuadrën e kuqe, të cilët, edhe sipas trajnerit Tomorri, me profesionalitetin e tyre kanë ditur të bëhen bashkë me skuadrën.

Erzeni – Partizani do të jenë përballë njëra-tjetrës edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë më 1 mars, e cila do të zhvillohet në sallën olimpike “Feti Borova”, ashtu sikurse për femra, Tirana – Barleti Volej. “Unë kam një parim – shpjegon Tomorri – dhe këtë ia përçoj edhe skuadrës, që duhet të kemi respekt për kundërshtarin. Sepse nëse do të kemi respekt për kundërshtarin, kemi respekt për veten. Dhe kur të hyjmë në fushë në finale jemi me tjetër ide”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *