• |
ide | kryesore

Debat për rindërtimin e banesave/ Marin Mema përplaset me Ramën: Çdo 4 shtëpi, një i kalon shtetit. Të hiqet TVSH

Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryeministri Edi Rama dhe gazetari Marin Mema, i cili është pjesë e fondacionit që do ndihmojë të prekurit nga tërmeti, debatuan sot në mbledhjen e katërt të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit.

Gazetari Marin Mema kërkoi që të nisë procesi i rindërtimit, madje edhe individualisht për tu dhënë njerëzve, sipas tij, dritë shprese.

Por kryeministri e kundërshtoi duke u shprehur se ky proces nuk duhet të vazhdojë në mënyrë individuale. Rama tha se shpejtësia ka një limit pasi mund të çojë në dëme të një natyre tjetër.

Mema ngriti gjithashtu shqetësimin për TVSH duke kërkuar heqjen e saj sa më shpejt.

Gazetari theksoi se me TVSH-në nga katër shtëpi të ndërtuara një prej tyre i kalon shtetit.

Pjesë nga debati

Marin Mema: Një shqetësim që e kemi hasur në procesin e rindërtimit, kemi nisur ndërtimin e katër shtëpive. Një nga problemet që kemi hasur është çështja e TVSH e cila në fakt u deklarua se do hiqej në mbledhjen e fundit të Komitetit të Rindërtimit, një muaj e ca më parë u deklarua se do të hiqej TVSH për materialet e ndërtimit por rezulton se sot ajo akoma është. Të paktën për 3 javë do dorëzojmë shtëpitë e para dhe i bie që shtetit në 4 shtëpi të mbajë 1 vetëm me TVSH.

Edi Rama: Çështjen e TVSH nuk e di. Ta sqarojë ministri sepse nuk jam në dijeni të këtij fakti.

Arben Ahmetaj: Kryeministër kemi kaluar ligjin për heqjen e TVSJ-së për të gjithë procesin, qoftë në import, qoftë në procesin e brendshëm që në dhjetor. Ka pasur procesin e vet bërja e VKM dhe nesër do kalojë në qeveri ku e trajton në detaje dhe transparencë gjithë procesin e TVSH-së, të taksës doganore, të infrastrukturës për të mos pasur konfuzion. Që nga nesër efektet janë të drejtpërdrejta.

Marin Mema: Duhet të ishte përfunduar si llogjikë pasi u deklarua si një element që ishte bërë dhe u mor si masë. Nuk dua të hap debat. Ne është se e kemi nisur si garë ndërtimin e shtëpive, por jemi përpjekur të ndihmojmë disa familje që kanë qenë në kushte ekstreme për të mos i lënë tu thellohet problematika. Kur kemi mundësi, të paktën ne kështu e kemi menduar jo për të dalë nga një proces i përbashkët, por kur kemi mundësi të ndihmojmë disa familje që vërtet kanë pasur raste specifike ne e kemi bërë këtë ndoshta duke tejkaluar dhe nuk shoh asgjë të keqe në këtë pikë. Përkundrazi sa më shpejt dhe sa më mirë. Do të përpiqemi qoftë duke tejkaluar disa gjëra për të bërë  sa më shumë për njerëzit. Për tu dhënë në fund të ditës një lloj drite shprese, që rindërtimi është duke filluar. Njerëzit kanë pasur nevojë për këtë proces.

Edi Rama: Me apo pa leje i keni bërë shtëpitë? Pyetje.

Marin Mema: Të gjitha me leje, patjetër. Ne nuk do të bënim asnjë ndërtim pa leje, për t’u bërë të jashtëligjshëm, për ne është ligji në radhë të parë.

Edi Rama: Por unë mendoj që nuk duhet bërë kështu. Nëse jemi në këtë tryezë duhet të respektojmë atë që vendosim këtu sepse nëse është puna për të thënë sesa nevoja kanë njerëzit dhe familjet kanë shumë më tepër se aq. Nevojat imediate të familjeve jemi munduar ti përballojmë dhe natyrisht çdo ndihmë që vjen nga gjithsekush është e mirëpritur ti përballojmë duke i sistemuar me qira, duke u munduar ti qëndrojmë pranë. Arsyeja themelore pse kemi kërkuar këtë bashkërendim është që të mos i bëjmë gjërat shpejt sot dhe pastaj nesër të paguajnë kosto njerëzit. Do ishte kollaj të thoshim hajde bëjmë ca gjëra, por nuk do bënim dot gjënë që po bëjmë tani ku që të gjitha modelet të jenë të strukturuara, të konsoliduara me të gjitha parametrat. I gjithë procesi shkon në një drejtim. Nuk duhet të vazhdojë ky proces në mënyrë individuale. Jemi këtu për një qëllim, duam ta bëjmë sa më shpejt, por shpejtësia ka një limit, pasi pa limit na çon në dëme të një natyre tjetër.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *