• |
ide | kryesore

“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, sepse Shqipërinë nuk e lanë vetëm

Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga Astrit Patozi

Sot është një ditë e bekuar për të kuptuar se ëndrra e shqiptarëve për Europën shkon përtej slloganeve të lodhura politike për integrimin. Dhe se vetë ai proces nuk ka parasysh një vizë më pak apo më shumë në pasaportat tona. Por mbi të gjitha për t’u bindur se anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete dhe kurrësesi stacioni i fundit në rrugëtimin politik të shqiptarëve përkrah popujve të tjerë.

Mirënjohje për çdo cent të bujarisë së çdo vendi, që vendosi të ndajë “kafshatën” e vet me Shqipërinë e traumatizuar dhe kërrusur nga tragjedia e tërmetit rrënues të 26 nëntorit. Më shumë se vlera e pabesueshme e ndihmës së mbledhur në Konferencën e Donatorëve, plotësisht e mjaftueshme për rindërtimin e plotë, ka rëndësi shprehja e shkëlqyer e solidaritetit ndërkombëtar për fatkeqësinë tonë!

Gjithçka ishte fantastike! Falë miqve jo vetëm europianë të Shqipërisë, që u përgjigjën sot në Bruksel, ka realisht kuptim deviza e huazuar nga himni i klubit të Liverpulit. Vetëm sot të dëmtuarit nga tërmeti mund të marrrin frymë të lehtësuar. Ata “nuk do të jenë asnjëherë vetëm”, sepse Shqipërinë miqtë nuk e lanë vetëm të vuante hallin e saj.
Sepse në rast se kjo nuk do të ndodhte, fatura e madhe e tërmetit do të ishte një kosto e papërballueshme, që do t’i mbivihej pamëshirshëm mbi shpinë dështimeve të qeverisë.

Natyrisht, në dëm të atyre që u prekën nga tërmeti, në radhë të parë, dhe tërthorazi pastaj të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Dhe këtë nuk mund ta dinte as edhe europianisti më i thekur në Shqipëri dhe jashtë saj. Sepse shfaqje të tilla pozitiviteti janë po aq të paparashikueshme sa edhe vetë tërmetet.

Sot është një ditë kur duhet të anashkalohen të gjitha të këqijat, edhe sepse e ka brenda përgjigjen e merituar për “sovranistët” e lodhur të Tiranës, që për interesat meskine dhe llogaritë e tyre të prishura e vënë herë pas here në dyshim raportin tonë me partnerët perëndimorë. Do të mjaftonte ajo që ndodhi sot në Bruksel për t’i refuzuar dhe mëshiruar ata.

Dhe në fund fare, qeveria do të bënte mirë që të na i kursente krekosjet dhe mburrjet për një meritë që nuk është e saj. Ajo duhet të përveshë mëngët kokëulur dhe të nisë pa humbur kohë rindërtimin, duke shmangur standartet dhe veset e veta famëkeqe me fondet publike, por mbi ta gjitha, duke u fokusuar tek transparenca. Sepse praktikisht është i vetmi kërcënim për ta shkatërruar apo prishur këtë mrekulli, që prodhoi sot Brukseli për Shqipërinë.



5 Comments

  1. Duhet te na shqetesoje shuma e frikshme e huase nga banka islamike, sepse projektet e saj jane vater e provuar korrupsioni ne Shqiperi dhe barra e vjedhjes si gjithmone na bie ne per ta shlyer. Nuk e di a duhet te jemi te lumtur si Europiane sot, kur gjysma e fondeve jepen nga nje organizate qe zakonisht ne kushtet e kredise perfshin edhe elemente fetare. Qe te flasesh per solidaritetin e mrekullueshem europian, duhet te besh sikur nuk e shikon elefantin aziatik ne dhome.

  2. Ca keni me ish punetorin e gozhde billonave kavaje, aq di e aq flet. I ngjan vetja dhe ketij Lidhjer sepse i ndejti pas bythe nja 5 vjet Sales

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *