• |
ide | kryesore

Video/ Asnjë gol me aksion në 200 minutat e fundit: Telushi nuk mund të jetë gjithnjë ‘snajper’

Sport, Video



Partizani mori kundër Lacit fitoren e katërt radhazi mes kampionatit e Kupës, por ta konsiderosh jashtë krizës, ndoshta është e parakohshme. Seria të dikton se është kështu, por kundërshtarët e kaluar dhe statistikat brenda fitoreve të tregojnë të kundërtën: përvec faktit se janë mundur dy skuadrat e vendit të fundit dhe një e Kategorisë së parë dhe suksesi i vetëm me peshë mund të quhet transferta në Laç, Sormani duhet të shqetësohet për një skuadër jo funksionale, ose të paktën jo si duhet.

Në dy ndeshjet e fundit, kthimi me Besëlidhjen në Kupë dhe kundër bardhezinjve të kuqtë kanë realizuar gjashtë gola, por asnjë me aksion, ndërsa pesë i ka shënuar vetëm Telushi, që për rol ka atë të mesfushorit shkatërrues. Vlonjatit në këtë moment i hyn në portë cdo tentativë: katër me goditje dënimi dhe një me penallti. Telushi goleador po tërheq Partizanin në një moment krucial të sezonit të Partizanit, por kjo nuk zgjidh sindromën e golit të sulmuesve të Sormanit. Italiani mund edhe të thotë se nuk i intereson se kush shënon dhe kjo do të ishte e vërtetë në rast të një skuadre fluide e jo një që nuk shënon me aksion që nga sfida me Flamurtarin në golin e Trashit.

Gjurmë nga sulmuesit nuk duken. Edhe Cinari që realizoi kundër Flamurtarit e bëri nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa për të parë një gol me aksion të sulmuesit kryesor të kryqytetasve duhet shkuar pak më larg, tek fitorja kundër Luftëtarit, kur Solomon shënoi që në minutën e dytë. E nëse sulmuesit e të kuqve nuk arritën të shënojnë në ndeshjet më të thjeshta, probabiliteti nuk rezervon asgjë të bukur; gjithnjë nëse nuk shënon Telushi…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *