• |
ide | kryesore

Kina heq akredimin e tre gazetarëve të Wall Street Journal

Planet

Kina ka revokuar letrat kredenciale të tre gazetarëve me gazetën Wall Street Journal me qendër në SH.B.A., për shkak të titullit të një editoriali të fundit që qeveria kineze e konsideroi racist.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang u tha gazetarëve në Pekin të mërkurën se gazeta nuk pranoi të kërkonte falje për editorialin e saj të 3 shkurtit, me titullin “Kina është Njeriu i Sëmurë i Vërtetë i Azisë”. Editoriali, i shkruar nga akademiku amerikan Walter Russell Mead, kritikoi reagimin e Kinës ndaj shpërthimit të koronavirusit të ri që ka vrarë mbi 2,000 njerëz në kontinent, që kur filloi dy muaj më parë. Dhjetëra mijëra njerëz, si në Kinë ashtu edhe në disa vende të tjera, janë infektuar nga virusi.

Shprehja “i sëmuri i Azisë” është përdorur historikisht për të kategorizuar popullin kinez si të përfshirë nga sëmundjet dhe të papastër. Titulli, megjithatë, u shkrua nga dikush në redaksi, jo nga zoti Mead dhe as nga korrespondentët.

Gazeta njoftoi se tre punonjësve të saj, zëvendës shefit të zyrës Josh Chin, korrespondentit Chao Deng (të dy shtetas amerikanë), si dhe korrespodentit Philip Wen (shtetas australian) u janë dhënë pesë ditë afat për të lënë Kinën.

Një tjetër korrespondent i gazetës Wall Street Journal, Chun Han Wong, u dëbua vitin e kaluar pasi shkroi një artikull në lidhje me një të afërm të Presidentit Xi Jinping.

Vendimi i së mërkurës për të dëbuar gazetarët vjen një ditë pasi administrata Trump njoftoi se do të trajtojë pesë media kineze të drejtuara nga shteti, përfshirë agjensinë e lajmeve Xinhua dhe Rrjetin e Televizionit Global Kinez, njësoj si ambasadat e huaja, duke u kërkuar atyre që të regjistrojnë në Departamentin e Shtetit punonjësit dhe pronat e tyre në Shtetet e Bashkuara./Voa

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu