• |
ide | kryesore

Filmi korean që tronditi botën e Oscar/ Paraziti– Kush është paraziti?

Arkiva, F1, Planet



Nga Gent Amzai

“Vetëm një herë sa të kapërceni barrierën prej dy centimetrash të gjatë, që quhet titra, do t’ju paraqiten shumë më shumë filma të mahnitshëm”, – kjo ishte ajo që Bong Joon Ho, regjizori koreanojugor i filmit “Parasite”, tha kur pranoi çmimin “Filmi më i mirë i huaj” në Golden Globe. Sigurisht, këtë e tha në gjuhën koreane, në ndërkohë që dikush tjetër përkrah tij po e përkthente në anglisht.

Dhe kjo çështje nuk lidhet aq shumë me përtesën që shikuesit e filmave mund të kenë në lidhje me leximin e titrave, sa lidhet me konsiderimin e Hollywoodit si qendra botërore e kinemasë, apo më rëndë; si bota e vetme filmike që ia vlen ta mbajë emrin botë, apo edhe më katastrofale; njësimi i qendrës me botën te fjala perëndim në përgjithësi, e krejt ç’ngelet është periferi e konsideruar krejt tjetër botë, një gjoja-botë sa e domosdoshme aq edhe e tepërt; e keqe e domosdoshme. Dy botë të largëta gjithë duke qenë pranë e pranë të njëjtit vend. Botë që nuk ndahet në dysh, por që ndahet në dy…botë.

Dhe ky është problemi që kap Bong Joon Ho-ja, jo nga qasja universale që po shtrojmë ne, por fare hollë dhe imët shkon në zemër të problemit të botës tonë, përmes historisë së vogël, singulare të një familjeje të zakonshme koreane.

Arkitektura e botës në miniaturë

Filmi fillon me uljen e kamerës së drejtuar nga lagjja për te brendësia e banesës së familjes Kim. Një banesë-bodrum nën tokë që gjithë duke qenë e shëmtuar dhe jokomode për banim, ka një frymë simpatike që e përshkon, kjo për shkak të karakterit simpatik, tërheqës të familjes. Familje që pavarësisht varfërisë dhe mjerimit, ia ka dalë të bëjë paqen me këtë mjerim; e dinë se i përkasin atij mjerimi dhe nuk përpiqen që në forma neurotike të dalin prej tij. Me një normalitet të habitshëm ata bëjnë punë të zakonshme bashkërisht -siç është rregullimi i paketave të picave-, aq sa mjerimi të mos i përpijë në njërën anë, dhe aq sa të mos i lejojnë vetes të fillojnë të endërrojnë, në anën tjetër, sepse kjo do t’i kolapsonte.

Résultat de recherche d'images pour "parasit film"

Familja Kim është ai lloj njerëzimi që do ta pranonte mjerimin gjithë duke mos u identifikuar plotësisht me të. Paqe me mjerimin do të thotë të bësh dhe të sillesh a thua sikur ai nuk është; paqe do të thotë të pastrosh që të fshehësh disi llumin. Me të vërtet që ky paqëtim i tmerrshëm i familjes Kim “me fatin” ta merr respektin vjedhurazi dhe kjo i bën ata simpatik. Deviza e familjes: Hidhja mjerimit duke u përpjekur, por pa ëndërruar!

Vetëm në pak minutat e para të filmit të së tashmes së familjes, i kuptojmë menjëherë ata në të shkuarën e tyre. Ata janë mëse të zakonshëm, dhe fati, i atij lloji që implikohet domosdoshmërisht prej paradigmës politike, zakonisht do që njerëzit të jenë në mjerim dhe këtu nuk bëhet fjalë aspak vetëm për mjerimin ekonomik. Me qenë i kapur në varfëri do të thotë, më së pari, me qenë në robtim të situatës së pakohë të të qenit pa botë; me atë ide të botës në kokë të projektuar si ekzistencë vetëm te një tjetër që merrë pjesë në të.

Varfëria është vetëm njëra prej formave të mjerimit, njëra nga fshehjet prej botës, ashtu si ato vendet e posaçme që te filmi “Paraziti” janë bodrume: njëri bodrum-apartament i familje së varfër Kim, që e mban mbledhur mjerimin në pjesën më të poshtme apo më të thellë të qytetit, kurse tjetri bodrum-bunker i shtëpisë së familjes së pasur Park, që i’a varros sekretin e errët shtëpisë së bukur që mban mbi shpinë.

Në njërën anë, kemi bodrumin e të pasurve që i’a fsheh të vërtetën shtëpisë më të epërme të qytetit dhe më të afërt me diellin e urtë që hedh dritë mbi gjërat. Në anën tjetër, kemi bodrumin e të varfërve të cilin jo vetëm valët e diellit, por as valët e internetin nuk e kapin; për diellin dhe internetin familja Kim nuk ekziston. Dhe të mos marrësh pjesë as te drita e diellit, as te rrjeti i internetit nuk është thjesht një metaforë efektesh të lezetshme. Është metafora që thotë se ontologjikisht, politikisht dhe literalisht ke ekzistencë të mangët në botë.

“Dielli i ditur që di me ditë veç në dritë të ditës” këtu është imazh-figura e konstatimit të realitetit nga pozitat e një pushteti dominues aktual. Pra, pushteti, që në të njëjtën kohë është dije apo ligjëratë, sheh vetëm atë që di, e percepton realitetin sipas masës së strukturës së vetë ligjërimore. Por, fakti që ai hamendëson se e mbulon plotësisht realitetin, kjo nuk do të thotë se e shterron atë. Përkundrazi, pushteti, në fakt, nuk definohet aq shumë nga ajo se çfarë thotë apo çfarë shfaq, sa definohet nga ajo se çfarë heshton dhe ndryn përmes asaj që thotë. Siç mund të kishte thënë populli: Më thuaj çfarë thua, të shoh çka nuk thua, të të them ç’je.

Kështu është shtëpia e familjes Kim, një gropë që nuk merr pjesë në botë, por prej ku hamendësohet se ajo ekziston, dhe një vrimë ku kanalizohet gjithë pisllëku i botës së hamendësuar po ashtu. Dhe këtë do ta shohim qartazi më mirë në skenën e vërshimeve të shiut që do e përmendim më vonë.

Por, në arkitekturën e bodrumit të Kimëve ka dhe një detaj interesant, që është vetë haleja. Kjo gjë për disa arsye që shkallëzohen me njëra-tjetrën.

Së pari, sepse haleja ndodhet më shumë se një metër mbi nivelin e dyshemesë së bodrumit, që e bën të jetë zona më e afërt me sipërfaqen normale të lagjes. Ajo është një farë kati përdhesë.

Së dyti, sepse kjo lartësi e vendos halenë në kontrast të fortë me pjesën tjetër, gati si një fron mbretëror. Figurativisht na vjen të themi që kur kjo shtëpi është hale, haleja vetë është si shtëpi. Duket sikur shtëpia dhe haleja i kanë ndërruar vendet; shtëpia duket hale, kurse haleja duket më shumë shtëpi se shtëpia. Ajo ka dalë mbi gropën e qytetit dhe është bërë gunga që rri posaçërisht për banorët e saj, të cilët gjejnë në të lirinë për pak ceremonialitet njerëzor. Nëse banorët e bodrumit janë metafora e pisllëkut të qytetit që lëshohet në vrimë, haleja bëhet gunga me vrimë që i shpëton ata me pak njerëzore; pisllëkun e tyre mund ta lëshojnë në vrimë të hales për t’ja fshehur atë njerëzores së tyre. Kaq ceremoni e mbush njeriun me ndjenjën sado minimale të gjetjes së njerëzores te vetja. Duket sikur kushti i njerëzores është ceremonialiteti i heqjes qafe të teprisë së panormalizueshme në horizontalitetin e ekzistencës.

Në ndërkohë që dritarja më e madhe e dhomës së ndenjes duket si hyrja e pisllëkut të botës për te vrima, te haleja klaustrofobike gjejmë një dritare të vogël që duket sikur na thërret të arratisemi nga fati. Haleja e ndan në dysh tensionin e njësisë fatale të fatit të të pafatëve.

Dhe së treti, haleja është e vetmja zonë e shtëpisë ku kapin valët e internetit të kafeneve përreth, zonë ekstraterritoriale e vrimës ku bota shfaqet në minimumin e vetë. Duhet vetëm kjo e çarë e vogël brenda vrimës që familja Kim të mos tretet tërësisht në identifikimin e plotë të vetes me sekretin publik të errët të botës.

Regjizori na e thotë shumë shpejt gjithë këtë, në fare pak minuta, por aq i duhen. Dhe sigurisht, diçka duhet të ndërhyjë që një dinamikë tjetër të futet te familja Kim. Në ndërkohë që i dehuri i zakonshëm, si zakonisht po pshurrte para dritares së bodrumit të familjes –sepse regjizori do të na thotë përsëri, me skena që na gënjejnë kur duken sikur futen vetëm për humor, se bodrumi është haleja e qytetit apo edhe botës-, aty vjen papritur miku i djalit të familjes Kim. Ai vjen dhe përzë të dehurin duke i thënë se kjo nuk është hale, si një shpëtimtar që do e ndryshojë fatin e familjes me një kthesë të paparë.

Ai futet dhe përpara se të thotë atë për të cilën ka ardhur, i dhuron familjes një gur, që sipas tij është fatsjellës; jo nga ata që është i rëndë në vendin e vetë, por nga ata të rëndit që janë të tillë kudo, për ata që e kanë barrë të tyren. Dhe këtë gur, nga ai moment, djali i familjes Kim do ta mbajë gjithnjë afër.

Një plan i qëndrueshëm për kthesën e fatit

Miku që solli gurin e fatit, solli edhe një propozim për djalin e familjes Kim, që ai ta zëvendësojë në punën e tij të mëparshme, si mësues privat i anglishtes për vajzën e familjes së pasur Park. Ky i fundit, pa edukim universitar, falsifikon një diplomë të një universiteti eminent amerikan dhe fillon punën; një mashtrim simpatik për shikuesin, që vë në dukje shkathtësinë e të varfërve Kim, dhe naivitetin debil të familjes së pasur Park. Shikuesi ndihet mirë, sepse më në fund dredhia bëhet mjeti në dorën e të varfërve të zotë kundër të pasurve snob, gjoja të edukuar. Ky moment i “të shtypurit që shtrin viganin” nuk është fitore moralo-politike, por vetëm në fushën e dredhisë.

Fati i mirë nuk ndalon këtu. Komedia përshkallëzohet ku djali, tashmë i punësuar, i propozon gruas së familjes Park që ata të punësojnë një mësuese private, për djain e vogël aspak të talentuar në pikturë. Ai sjell “shoqen e vetë”, edhe kjo e edukuar në universitet eminent amerikan. “Shoqja” me diplomë të falsifikuar dhe identitet të rremë është vetë motra e tij.

Mbasi motra e familjes Kim fut në kurth shoferin e babait të familjes Park dhe mbasi ky i fundit shkarkohet nga puna, vendin e shoferit e merr babai i familjes Kim, edhe ky me përvojë dhe identitet të rremë.

Deri këtu për spektatorin mashtrimi komik është i pranueshëm. Por, kur këta fusin në kurth edhe shërbëtoren, për ta hequr dhe për ta zëvendësuar nga mamaja e familjes Kim, këtu, pavarësisht simpatisë për ta ndjejmë se po e teprojnë pak; sepse ish-shërbëtorja i përket po ashtu klasës  punëtore.

Duket sikur familja Kim i’a hodhi varfërisë. Të gjithë po parazitojnë përmes mashtrimit në kurrizin e familjes Park, që nuk ja ka idenë se që të katër të punësuarit e tyre janë një familje dhe asnjëri nuk përmbush kriteret profesionale që i aktrojnë.

Ata nuk i përkasin asnjë klase profesionale, asnjë klase nderi sociale dhe asnjë klase që për virtyt ka posedimin e parave. Janë klasa pa përkatësi, klasa e paklasë apo pa virtytin që do i vendoste në vendin e vetë të garantuar nga konfigurimi social, e gjithsesi ja dalin të vjedhin vendet e ca të tjerëve në shoqëri.

Deri tani tre lloj parazitësh:

  1. Ata që me mashtrim parazitojnë në ngrehinën ekonomike të të pasurve: hyrje në hakun e të pasurve.
  2. Po ata të njëjtit që parazitojnë në vendin që dikur u takonte disa profesionistëve real në ngrehinën e të pasurve: hyrje në hakun e punës së punëtorëve të dikurshëm dhe vetë të pasurve.
  3. Ata që posedojnë pasurinë dhe mirëmbajnë një strukturë sociale, e cila nga njëra anë shfrytëzon të tjerë gjithë duke i përjashtuar ata: hyrje në hakun e demokracisë dhe barazisë si parime universale.

E në fund, në panoramën e plotë, gjithë ky zullum nuk është veçse parazitim i të gjithëve në kurriz të botës: hyrje në hakun e subjektivimit.

Kush dreqin është pra paraziti?!

Zbulim që trazon tmerrin: Nuk qënka punë fati, por fataliteti strukturor

Kurba në ngritje, nga dramë në komedi, e familjes Kim përmbyllet në mbrëmjen kur Park-ët largohen familjarisht nga shtëpia për një fundjavë. Familjes Kim i ngelet të rrijë bashkarisht në shtëpinë luksoze, vetëm, a thua sikur të ishin pronarët e shtëpisë, për të kremtuar fatin e tyre të bardhë që u ra, nën gllënkat e alkolit të mirë dhe pamjes së bukur të oborrit të shpisë, me atë nuancën e jashtëzakonshme që i jep peizazhit shiu që bie, parë nga brenda mureve të xhamit si në një ekran që ruan distancën e domosdoshme. Familja Kim zbulon për herë të parë se shiu qënka edhe një përvojë estetike dhe jo vetëm fatëkeqësi potenciale natyrore.

Filmi mund të mbyllej këtu fare mirë dhe të vuloste një komedi optimiste, mbi fatin e të varfërve që ja dalin. Mirëpo, Bong Joon Ho nuk kënaqet me kaq. Ai ka ndërmend të bëjë një film të madh.

Pa pasur ende mundësinë që të ëndërrojnë të bëhen të pasur si pronarët e shtëpisë, bie zilja. Dhe ai tingull është si ai alarmi i kobshëm që paralajmëron rrafshimin e qytetit prej bombardimeve. Zilja është zëri i katastrofës që e shemb në çast realitetin. Si vdekja që në çast e shkërrmoq pavdekësinë.

Te dera është ish-shërbyesja e shtëpisë. Ajo po laget në shi, por s’po do t’ja dijë. Do të futet patjetër, sepse “kur ka ikur që aty ka harruar diçka të rëndësishme”. E lënë të futet, në ndërkohë që të gjithë fshihen, veç mamasë, shërbyeses së re, sepse askush nuk duhet ta zbulojë sekretin apo mashtrimin e tyre, të qenit e tyre një familje.

Ardhja e ish-shërbyeses është ikja e iluzionit për të gjithë. Përmes saj zbulojmë se disa metra nën shtëpinë luksoze, në një bodrum kundër-atomik, fshihet bashkëshorti i saj, i konsideruar i zhdukur prej vitesh, që kur ai kërkohej nga huadhënësit të cilëve nuk ua ktheu kurrë paratë. Ai, me ndihmën e të shoqes ka jetuar aty gjithë këtë kohë, si një fantazmë e varrosur nën themelet e shtëpisë që ruan mjerimin, borxhin, skamjen dhe vdekjen të mos dalë në sipërfaqe.

Jo vetëm kaq, nga pakujdesia e Kimëve, ish-shërbyesja dhe i shoqi zbulojnë edhe mashtrimin e këtyre të parëve. Askush nuk mund të bëjë më sikur s’di gjë. Grindjen e tyre se kush do pamundësojë ekspozimin e tjetrit e ndërpret ardhja e papritur e Park-ëve në shtëpi. Familja Kim ka pak minuta të bëjë dy gjëra. Së pari të pastrojë njollat e festës dhe përleshjes, dhe së dyti, të pastrojë njollat e pranisë së ish-shërbyeses dhe të shoqit në atë shtëpi. Këtë të dytën e bëjnë duke i mbyllur që të dy te bodrumi anti-atomik, me të shoqin të lidhur dhe ish-shërbyesen të plagosur rëndë në kokë. Siç e marrim vesh më vonë, gjakëderdhja do t’i sjellë vdekjen asaj.

Në ndërkohë që bota e Kimëve është e tronditur, Park-ët nuk dinë absolutisht asgjë. Ata vazhdojnë natën e tyre të qetë, komode, normale, aty ku më parë kishte ndodhur një përleshje. Kur çifti Park po bënte seks, një metër më tutje, poshtë tavolinës fshiheshin babai, djali dhe vajza e familjes Kim, kurse pak metra nën dhé ish-shërbyesja po dergjej.

E gjithë kjo skenë e zgjatur dhe e kobshmë nuk është asgjë veçse pamundësia e takimit të dy realiteteve. Njëri realitet, ai i dhunës, mjerimit dhe vdekjes duhet të mos e shqetësojë cipën e hollë të sipërfaqshme idilike me ekzistencën e vetë.

Kim-ët, veç shërbyeses, gjithsesi ja dalin të dalin nga shtëpia, por nuk ja dalin të dalin nga katastrofa që s’ka të ndalur. Askush nuk ka një plan se çdo të bëjnë me gruan që po vdes dhe burrin që është i burgosur, pa ushqim, pa mjekim dhe pa pije.

Të gjithë këtë ndyrësi regjizori na e sintetizon në një skenë mjeshtërore. Kur Kim-ët kthehen në shtëpinë e tyre poshtë qytetit shohin se vërshimet e shiu kanë përmbytur gjithë lagjen. Bodrumi i tyre është zhytur në ujin-mutin e gjithë qytetit. Metafora e daljes së katastrofës në sipërfaqe dhe zbrazjes së së saj pikërisht në vrimën më të mjerë të qytetit, te Kimët. Siç edhe thotë fjala, katastrofa bie çdoherë mbi të mjerët. Bile edhe katastrofa natyrore nuk është natyrore. Edhe natyra e saj sillet sipas strukturës socio-politike.

Bile edhe për (mos)habinë tonë, tërmeti natyror në Shqipëri solli katastrofën e vetë saktësisht në njërën prej zonave më të varfëra të vendit. Nuk është punë fati, por punë fataliteti strukturor politik.

E vetmja gjë që shpëtoi nga përmbytja e bodrumit ishte ai guri i madh i fatit, i cili doli në sipërfaqe për ironi, si për tu tallur. Atë gur të rëndë e mori përsëri djali i familjes Kim dhe është po ky gur që, me dorën e të shoqit të ish-shërbyeses do t’i bjerë kokës për ta futur atë në komë.

Por përpara kësaj kemi një nga skenat më sintetike të filmit. Të nesërmen, mbas vërshimeve është ditëlindja e djalit të vogël të familjes Park. Babai i tij ka organizuar festë, ku ka thirrur plot miq, sigurisht të pasur dhe të punësuarit e tij, pra Kim-ët. Dhe është djali i familjes Kim, pak para se të goditet në kokë i cili ndodhet në katin e sipërm të shtëpisë, ku ka pamje të plotë të festës, i cili thotë se “duket kaq bukur”, pa na thënë literalisht se duket kaq bukur në ndërkohë që fshihet kaq shëmti, duket kaq festë kur ka kaq gjëmë, duket kaq ditëlindje kur poshtë këmbëve tona ka kaq ditëvdekje. Dhe nuk është ky tmerri. Nuk është i rëndë kufiri i afërt mes jetës dhe vdekjes, mes festës dhe të kobshmes. Tmerri është përzierja e njëanshme. Ç’duam të themi me këtë?

  1. Është rëndë të njohësh realitetin si të kobshëm – Ish-shërbyesja dhe i shoqi
  2. Është ëmbël të njohësh realitetin si komoditet luksoz dhe harmonik – Familja Park
  3. Është e papërballueshme të njohësh realitetin si të kobshëm dhe të ndryhesh në fshehjen e tij prej realitetit harmonik – Familja Kim

Tmerri i vërtetë është të qenit i shtrënguar që të mos prishësh festën e botës. Dhe një prej analogjive të kësaj është kategoria e të zhdukurve të luftës. Imagjinoni lemerinë e shkeljes mbi të zhdukurit kur themi fraza si: ta harrojmë të kaluarën, të ecim nga e ardhmja, të ecim në normalizim si gjithë bota. Imagjinoni sa e tepërt ndihet nëna e të zhdukurit kur asaj, pa e thënë shprehimisht, ja bëjmë me dije se prania e saj na kujton krimin të cilin duam ta harrojmë, duke ecur përpara, me shtirjen se ai krim, meqë ka kaluar, ka ikur për fare.

Analogjitë janë pafund, aq sa ç’është edhe mjerimi. I pafundë në modalitete, por i fundëm në gradë. Dhe grada më e rëndë e mjerimit është detyra historike, apo më mirë anti-historike që i ngarkohet mjerimit të zhveshur për ta fshehur ekzistencën e vetë deri në fund. Shërbimi më i mirë i mjerimit të vetëdijshëm për atë të pavetëdijshmin është pastrimi, që do të thotë asgjë veçse fshehje. Edhe banjoja këtë bën. Ajo nuk zhduk, nuk spastron llum, por vetëm pastron, e çon diku ku nuk duket nga ndërgjegjja jonë. Asgjë nuk shkon në asgjësim, por vetëm në fshirje, në fshehje.

Por, edhe banjoja e Kim-ëve nuk mbajti më. Kur plasën vërshimet e qytetit dhe u zbrazën në bodrumin e tyre, banjoja filloi ta vjellë jashtë ujin e zi. Ajo banjo që u fshihte Kim-ëve mjerimin nuk mbajti më. Ajo është vetë barku i tyre që nuk pranon më poshtërsinë. Banjoja që kthen mbrapsht ujin, është vetë barku i tejfryrë i banorëve të saj dhe stomaku i tyre që nuk tret më pisllëkun. E regjizori, nuk harron të na japë njëkohësisht edhe pamje nga bodrumi i Park-ëve, ku ish-shërbyesja po vjell në agoni. Ata të gjithë nuk durojnë më. Dhe kjo do të thotë se muti dhe e vjella, padrejtësia e patretshme e botës do të plasë shumë shpejtë si katastrofë në të katër anët e kësaj bote në miniaturë.

Fshehja që psikologjizon aktin shpërthyes të subjekteve të saj të objektifikuar, do të mund të kishte qenë politizim i subjekteve të saj, të cilët me ta shfaqur mjerimin në dritën e ekzistencës si mënyrë e të thënit, të qenit, apo të bërit, do të pushonte së qeni mjerim. Arma më e fortë e mjerimit është ekspozimi. Dhe me tu ekspozuar, realiteti që nuk ka vend për të nuk ka sesi të mos ndryshojë. Të gjitha vendet janë të zëna, prandaj ndryshim do të thotë ridimensionim thelbësor i realitetit. Ardhja e mjerimit në ekspozim nuk është shembje e realitetit, por problematizim dhe rikonfigurim i tij. Politiciteti nuk vjen për të zënë një vend, por për të vënë në dyshim gjithë konfigurimin e vendeve. Politiciteti është gjithnjë i pavendë, pavarësisht vendit dhe kohës kur vjen.

Regjizori është shumë i vetëdijshëm për ecurinë e gjërave vërdallë. Ai e di shumë mirë që nuk është bërë mjaftueshëm në drejtimin e politizimit dhe psikologjizimi vazhdon të zotërojë terren të gjerë. Këtë do që të na ekspozojë fillimisht.

Skena e fundit është shpërthimi si katastrofë. Bashkëshorti i ish-shërbëtores që del nga bodrumi godet me gurin fatsjellës djalin e familjes Kim, vret me thikë vajzën dhe plagos mamanë, në ndërkohë që babai po e sheh gjithë skenën dhe s’po mundet të reagojë prej pezmatimit.

Pasi djali i vogël i familjes Park pa vrasjen ai u shemb pa ndjenja dhe këtu reagoi babai i tij. Ai nuk shkoi të marrë vajzën e plagosur për vdekje të Kimë-ve, nuk po ndihmonte gruan e Kimë-ve e cila po përleshej me vrasësin, por shkoi të marrë djalin e tij të brishtë që u alivanos nga skena e gjakut. Ai nuk e duroi gjakun, ashtu siç i ati nuk e duroi erën e keqe që mbante vrasësi. Babai i familjes Park mori djalin e tij, mori çelësin e makinës poshtë trupit të vrasësit, mbylli hundën ngaqë u pështiros nga era e keqe që mbante mjerimi dhe u nis të çojë djalin e alivanosur në spital.

Momenti i vetëm i solidaritetit minimal mes të vuajturve prodhohet saktësisht nga gjesti i ulët, i mbylljes së hundës prej pështirosjes nga babai i Park-ëve. Ishte pikërisht ky gjest që i ndezi instiktin babait të Kim-ëve, mori thikën në tokë dhe i’a nguli të parit të familjes Park.

Më në fund u takuan dy botë dhe takimi ishte katastrofal. Nuk u prodhua asnjë progres, por vetëm vrasje dhe pak kohë më vonë rinormalizim, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një botë që nuk ja del të jetë e tillë përsa që ndahet në dy botë. Botë gjysmake si për të varfërin edhe për të pasurin; që të dy të mjerë.

Regjizori është aq i mprehtë sa na thotë se pamundësia e politizimit të ecurisë së gjërave është njëkohësisht edhe pamundësi që filmi të jetë tragjedi, edhe pse ai mbyllet me dy vdekje, një gjendje kome dhe një arratisje (babai i familjes Kim që fshihet, për ironi të fatit te bunkeri i shtëpisë së Park-ëve). Filmi vazhdon të jetë një tragji-komedi që përmblidhet thjesht në dramë riprodhuese. Figura e kësaj është djali i familjes Kim që mbasi zgjohet nga koma ka një defekt, ai qesh kot së koti në mënyrë të pavullnetshme. Ai qesh kur vizitojnë varrin e motrës, qesh kur takon hetuesit, qesh pavarësisht zhdukjes së babait dhe humbjes së asaj pak rehatie që ia garantonte fryma e familjes.

Pavarësisht të gjithave, ka nuanca dallueshmërie te dy familjet e varfëra.

Le të vendosim një shënim të rëndësishëm. Filmi ka ngritur shumë reagime, ndër to edhe disa reflektime jo shumë të holla që e reduktojnë marrëdhënien e dy familjeve të varfra te luftimi i njëri- tjetrës, si rrugë reaktive që shpie në punësimin e tyre prej familjes së pasur.

Duhet të kujtojmë se ish-shërbyesja dhe i shoqi kanë një qasje servile dhe mirënjohëse ndaj pronarëve dhe aktivisht agresive ndaj Kimëve. Këta janë saktësisht të varfërit që e pranojnë autoritetin natyror të pronarit që bazohet në pasuri, prej ku themi se nuk prodhojnë dot kurrë një dialektikë emancipuese.

Nga ana tjetër, Kimët nuk e pranojnë këtë autoritet. Ata as nuk i respektojnë Parkët, por as nuk duan t’i zëvendësojnë ata. Mundemi fare kollaj t’i përfytyrojmë Kimët, me cilësitë e tyre, në një film tjetër si pjesëmarrës të shquar të ndonjë demonstrate popullore emancipuese.

T’u japim hakun që u takon. I shoqi i ish- shërbyeses urren Kimët dhe adhuron pronarin. Ai plagos djalin dhe vret vajzën e Kimëve, pastaj synon të vrasë edhe mamanë. Në anën tjetër, Kimët vrasin ish-shërbyesen aksidentalisht, kurse babai i familjes Kim nuk vret vrasësin e bijëve të tij, por pronarin që bën gjestin e ulët kundrejt vrasësit të vajzës së tij. Kimët paraqesin katastrofën e gabimit për te rruga e emancipimit, por gjithsesi, mundësisë së emancipimit nuk i është mbyllur dera përfundimisht. Edhe kur filmi mbyllet neve na ngelet shija e atij ideali. Në gjithë atë katastrofë Kimët na bëjnë të mendojmë.

Le të themi që ka sinjale

Bong Joon Ho është fituesi i çmimit Oskar, edhe filmi poashtu. Çmimin mund ta merrte edhe ndonjë prej aktorëve të Parazitit, por në vend të kësaj Joon Ho-ja zgjodhi ta habisë Holywood-in. Ai solli një film pa aktorë; aktori janë tre familjet dhe ngjarja. Një akt politik ky, sepse do ta problematizojë vetë idenë e çmimit të aktorit më të mirë, të aktorit të filmit në përgjithësi. Fundja këtë ka bërë çdo regjizor dhe film i madh; me aktin e tyre krijues kanë ridimendionuar vetë kinemanë dhe mënyrën sesi konceptojmë dhe perceptojmë.

E përtej kinemasë, në këto momente që flasim në Amerikë po qarkullon një debat goxha intensiv në lidhje me Wall Street-in dhe klasën punëtore amerikane, gjithë duke u bazuar te filmi Paraziti. Fushata dhe zgjedhjet presidenciale në Amerikë kanë për të qenë interesante, jo thjesht në kuptimin e spektatorit, por edhe të pjesëmarrjes. E për shqiptarët tashmë ka ca kohë që gjërat kanë marrë atë drejtim. /gazeta Dita/



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *