• |
ide | kryesore

Video/ Batha si Messi, Tirana në krye të kampionatit: Kukësi përmbyset në katër minutat e fundit

F1, Kryesore, Sport, Video



Ajo që ndodhi në Air Albania në ndehsjen titull do të kujtohet gjatë nga tifozët e Tiranës. 1-2 në ndeshjen titull me Kukësin, që rrëzohet katër minuta nga fundi, kur avantazhi i autogolit të Vangjelit përmbyset nga golat Bathës dhe Torassa dhe tani bardheblutë shkojnë në derbin kryeqytetas si kryesues të kampionatit.

Dy skuadrat me ecurinë më të mirë të sezonit: Kukësi nuk humbiste prej 12 ndeshjesh e Tirana prej 10, që kur Egbo u ul në pankinën bardheblu, u sfiduan ballëhapur në një ndeshje me ritëm, ku dëshira për rezultatin prevaloi mbi cdo taktikë të menduar nga teknikët. Gjeneroziteti, apo mendjemadhësia e Kukësit që pranoi të luhej në stadiumin e Tiranës, me numrin e pakufizuar të tifozëve bardheblu, mund të jetë reflektuar në fytyrat e drejtuesve kuksianë, kur panë Tiranën të rrezikonte tre herë në 20 minutat e para, të shtyrë nga krahët e entuziazmit. Muci, Cobinnah e Batha nga goditja e dënimit, duke gjetur gjithnjë të gatshëm Xhikën në një mbrëmje të madhe. Në të vetmin rast që Kukësi u pa i frikshëm në anët e Likës mund të merrte avantazhin, por konkluzioni i Rrocës në të djathtën e harkuar kaloi ngjitur me shtyllën, duke i dhënë një sinjal një Tirane të bukur, se duhej të kishte kujdes edhe prapa.

Mesazhi sic duket nuk u perceptua qartë nga bardheblutë, sepse në të 52 Kukësi mori avantazhin, me një episod fatkeq të bardhebluve. Ai që vendosi ishte një autogol, me Kristi Vangjelin që devijoi në portën e Likës krosimin e Mustës, në tentativë për të ndaluar topin të shkonte tek Shkurtaj. 1-0 por Tirana nuk e ndjeu goditjen, madje disavantazhi e bëri më agresive skuadrën e Egbo, që shtyu fort duke e ngritur qendrën afër mesfushës, me Kukësin që kërkoi të mbrohej dhe deri diku ia arriti pa dëme, deri në momentin që Teqja u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, në minutën e 83. Është mundësia e Bathës dhe mesfushori bën Messin për Tiranën me një ekzekutim që nuk i lë asnjë mundësi portierit Xhika.

Kukësi e ndjeu se mund të humbiste e Tirana se mund të fitonte. Ajo që ndodhi në fund, dy minuta nga përfundimi nuk kishte më lidhje me taktika apo zgjedhje, por ishte një veprim i kërkuar dhe gjetur nga kryeqytetasit që sulmuan me kokë ulur, për të marrë fitoren që duhej për tu ngjitur në krye të renditjes. Vetëm tre minuta rezistuan lojtarët e Duros në inferioritet, sepse në të 88 Torassa përmbysi shifrat me golin e dytë për bardheblutë. Argjentinasi ndoqi mirë aksionin dhe pas filtrit të Ngo’o, shënoi nga fare pranë me portën të boshatisur, duke nisur festën e Tiranës. 44 pikë për bardheblutë, që parakalojnë Kukësin me dy distanca dhe presin të qetë sfidën e Partizanit, për tu përplasur edhe njëherë në derbin e kryeqytetit, në sfidën e dytë radhazi që vlen titullin kampion.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *