• |
ide | kryesore

Bizneset shqiptare fillojnë të ndiejnë pasojat e koronavirusit/ Bllokohet tregtia me Kinën, kufizohet lëvizja me Italinë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Ndonëse Shqipëria nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me koronavirus, bizneset vendase kanë filluar të ndiejnë pasojat e virusit që ka shkaktuar panik në gjithë botën dhe ka tronditur bursat globale.

Ndikimi po vjen përmes dy prej shteteve më të prekura, Italisë dhe Kinës. Italia është partneri kryesor i Shqipërisë, me 33% të volumit tregtar, ku efekti më i lartë mund të jetë tek eksportet, ndërsa Kina është partneri i tretë tregtar i vendit, sa i përket importeve.

Alban Zusi, President i Qendrës Shqiptare të Eksporteve pohon se bizneset shqiptare kanë tashmë pasoja nga kjo situatë. Për sa i përket te marrëdhëniet me Kinën, dëmi më i madh është shkaktuar në ato biznese që kanë kontrata për linja prodhimi, të cilat importohen nga Kina. “Prej dy muajsh fabrikat në Kinë janë pothuajse të mbyllura dhe çdo investim i tyre është i vonuar. Fabrikat me Kinën pritet të hapen në mesin e muajit mars”, tha Zusi për Monitor.

Të dhënat e INSTAt tregojnë se makineritë dhe pajisjet elektrike dhe pjesët e tyre janë grupi më i importuar nga Kina, me një vlerë mbi 100 milionë euro në 2019-n.

Në marrëdhënie me Europën, sidomos këto 2 javët e fundit ku ka shtim të rasteve të prekura në Itali, kjo sipas Zusit, ka ndikuar në reduktimin e lidhjeve, lëvizjes së sipërmarrësve dhe menaxherëve për kontakte direkte. Këto janë të domosdoshme, pasi biznesi ka qarkullim mallrash, por edhe qarkullim të njerëzve. “Pra këto lëvizje janë reduktuar, e cila pa diskutim do të reflektojë në punën e biznesit, pasi disa marrëdhënie janë të domosdoshme për kontakte nga afër. Situata me Italinë po përkeqësohet. Këto janë pasojat e momentit”, thotë Zusi.

 Gjysma e eksporteve shkojnë në Itali  

Shqipëria ka lidhje të fortë tregtare me Italinë, sidomos sa i përket eksporteve.  Sipas të dhënave të INSTAT, drejt Italisë shkojnë 48% e totalit të eksporteve në 2019-n, ku peshën kryesore se zënë tekstilet e këpucët, (rreth 60% e totalit), e më pas “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”. Italia renditet dhe si partneri i parë për importet me 25% të totalit të blerjeve që bëjmë nga gjithë vendet e botës.

Grupmalli më i importuar janë “tekstilet dhe këpucët”, me 25% të totalit që vjen nga Italia, e lidhur me faktin që një pjesë e tyre janë lëndë e parë dhe më pas rieksportohet e përpunuar. Industria telstile dhe e këpucëve është e lidhur ngushtë me shtetin fqinjë, pasi rreth 70% e eksporteve të këtij grupi kanë si destinacion Italisë.

Grupmallrat e tjera më të importuara nga Italia janë “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” (20% e totalit të importeve nga Italia), “Ushqim, pije duhan” (12%), “Materiale ndërtimi dhe metale” (11.5%).

Shqipëria është shteti në rajon që ka varësinë më të lartë të eksporteve nga një vend i vetëm, sipas një raporti të FMN-së për zinxhirin global të vlerës, botuar më parë. Kjo e bën vendin tonë tepër të varur nga zhvillimet e mundshme në shtetin fqinjë, pasi fabrikat shqiptare punojnë me sistemin e material porositësit, duke kryer vetëm disa procese, si prerje, qepje hekurosje. Nëse ndërmarrjet italiane të lidhura me to do të ndërprisnin aktivitetin në Itali për shkak të frikës së përhapjes së virusit, kjo do të jepte ndikim dhe në uljen e porosive tek partnerët shqiptarë.

Kina, partneri i tretë tregtar për importet

Tregtia me Kinën zuri 6,9 për qind të volumit tregtar gjatë vitit 2019, duke u zgjeruar në raport me një vit më parë me 0.7 për qind. Tregtia dominohet nga importet, të cilat vitin e kaluar ishin 9.6 herë më të larta se eksportet.

Sipas të dhënave të INSTAT tregtia me Kinën gjatë vitit të kaluar u zgjerua kryesisht në drejtim të importeve, të cilat shënuan një vlerë prej 59,7 miliardë lekësh (458,4 mln euro) me një rritje me 11 për qind në raport me vitin 2018. Importet nga Kina janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit pas një rënieje me 2.6% në vitin 2017. Kina është partneri i tretë i vendit sa u përket importeve, pas Italisë e Turqisë, me 7.4% të totalit, .

Sipas të dhënave të INSTAT importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri të cilat përbejnë rreth 40 për qind të totalit me një vlerë mbi 23 miliardë lekë.

Artikujt të gizës dhe çelikut përbejnë edhe grupin e tretë më të importuar në vend nga Kina me një vlerë prej 4,1 miliardë lekësh gjatë vitit 2019, me rritje 70% në raport me një vit më parë.

Veshjet janë grupi i katërt dhe i pestë mallrave më të importuara nga Kina për tregun shqiptar me një vlerë prej 5,2 miliardë lekësh me një rritje 17 për qind krahasuar me vitin 2018.

Italia rrezikon recesionin

Shpërthimi i koronavirusit ka vënë në pikëpyetje fatin e ekonomisë italiane.

“Ndikimi në ekonomi pritet të jetë shumë i fortë. Për momentin mund të llogarisim që mund të ketë një ndikim negativ, por nuk jemi në gjendje të vlerësojmë dhe japim një parashikim, sepse ende nuk dimë efektet e masave kundër përhapjes së virusit dhe nuk mund të parashikojmë përparimin e tij në vend, ka deklaruar kryeministri Giuseppe Conte.

Muaji kishte filluar me një surprizë negative(dhe krejtësisht të papritur) në të dhënat e llogarive kombëtare: një PBB prej 0.3% në tre muajt e fundit të 2019. Dhe tani, pas COVID-19 pritet të mbyllet me një rekord edhe më negativ.

Moody’s: Rrezikohet recesion global

Agjencia Vlerësuese Moodys ka thënë se nëse epidemi kthehet në pandemi, atëherë rrezikohet një recesion global. “Coronavirus ka qenë një goditje e madhe për ekonominë kineze, e cila tani po kërcënon të trokasë ekonominë globale nga biznesi. Një recesion global ka të ngjarë të ndodhë nëse COVID-19 do të shndërrohej në një pandemi, dhe shanset për këtë ndodhi ka të ngjarë të jenë të larta dhe të rriten ndërsa rastet në Itali dhe Korenë e Jugut rriten. Ekonomia amerikane është më e izoluar nga ndikimi i virusit, por nuk është imun, dhe madje në këtë skenar ndoshta do të pësonte rënie”, tha agjencia. /monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *