• |
ide | kryesore

“Kastë arbitrash kundër nesh”: Partizani paralajmëron FSHF me qendrim zyrtar

Sport



“Nëse një kastë pseudoprofesionistësh, marrin përsipër të vendosin fatin e një takimi, vetëm për shkak se kanë mundësinë të kenë bilbilin, atëherë duhet të marrim masa, të gjithë së bashku, institucionalisht apo ligjërisht”. Fjalë me peshë të shkruar e zeza mbi të bardhë në komunikatën zyrtare të Partiznit, që pozicionohet tashmë hapur në konflikt me këdo ka cënuar të drejtën sportive në fushë. Juxhin Xhaka ka qenë protagonist i derbit me Tiranën, me dy standardet e tij të gjykimit. Nëse prekja me dorë e minutës së dytë nuk u dha penallti për Partizanin, një dorë në sup e Bitrit 10 minuta më pas ishte penallti e karton i kuq, pa llogaritur më pas llogaritë e kujdesshme në shpërndarjen e kartonëve të verdhë, ku për Tiranën u falën në mënyrë të vazhdueshme Batha, Cobinnah e Hoxhallari.

“Thellësisht të hidhëruar për vjedhjen që i bëhet djersës së lojtarëve dhe dëmtimin e vazhdueshëm që i bëhet ekipit në ecurinë e tij në këtë kampionat – shkruhet në komunikatë -, kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit marrjen e masave të menjëhershme ndaj kësaj kaste arbitrash që bashkë me imazhin e Partizanit po dëmton dhe imazhin e Kategorisë Superiore si dhe vetë Institucionin më të lartë të Futbollit në vend, duke rritur pakënaqësinë e sportdashësve përkundrejt besueshmërisë së garës sportive”. Në derbi, të paktën gjatë pjesës së parë, edhe me 10 lojtarë Partizani dominoi skuadrën kundërshtare e dëshmuar edhe me numrin e goditjeve nga këndi 12-1 në favor të të kuqve. “Tendenciozitet që vërehet qartë që në minutat e para, me 11 metërsh të padhënë në favor, karton të kuq të munguar ndaj kundërshtarit për sjellje antisportive dhe vazhdon me 11 metërsha kundër plus karton i kuq në rastin më të parë…etj, etj. Të gjitha këto në mes të kryeqytetit, para 20 mijë spektatorëve dhe mijëra teleshikuesve!!!”

Partizani kthen në kujtesë të gjitha situatat e këtij sezoni, ku derbi ishte vetëm i fundit që pasoi atë që ndodhi me Bylis në kryeqytet. Një gol i anulluar padrejtësisht dhe një i vlerësuar gabimisht, që i kushtuan dy pikë në renditje të kuqve: “Historia e gabimeve arbitrale këtë sezon nuk fillon dhe nuk mbaron me këtë ndeshje derbi dhe nuk i përket vetëm FK Partizanit, por kjo vijueshmëri gabimesh krijon hije të theksuara dyshimi për njëanshmërinë e trajtimit të episodeve kyçe në disfavor të ekipit tonë, duke na shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në renditje.

Dhe në fund paralajmërimi: “FK Partizani para se të bëjë kritikë, ka bërë autokritikë sportive, por për të mirën e futbollit, kjo që ndodhi nuk duhet të mbyllet brenda 90 minutave të këtij derbi”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *