• |
ide | kryesore

Rindërtimi i Shqipërisë me borxhe, si do të përdoren huatë e Konferencës së Donatorëve

Arkiva, Lajme, Të fundit



Qeveria bëri “bingo” në kërkesën e saj për donacione për rindërtimin pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Nga 1 miliardë euro që ishin vlerësuar nevojat e rindërtimit bazuar në raportin e Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë së Tërmetit, ajo arriti të sigurojë 115% të kësaj shume, ose 1.15 miliardë lekë. Por, 74% e tij është borxh me kushte të buta, që nëse do të përdorej përnjëherë do ta rriste borxhin publik me 7 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ekspertët e ekonomisë arrijnë në konkluzionin se përdorimi i kredive për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti do të ndikojnë në rritjen e borxhit publik dhe deficitit. Azmi Stringa pedagog, tha se pavarësisht kohëzgjatjes së disbursimit të kredive ato do të rrisin borxhin publik në nivelin e 72 për qind.

Sipas tij, kjo vjen për shkak të ngushtimit në vite të hapësirave fiskale korrigjuese të vendit dhe mosrealizimit të objektivit për ta mbajtur borxhin nën 60 për qind të PBB-së.

 “Sot do të kishim më shumë hapësirë për të shpenzuar për rimëkëmbjen nga tërmeti. Madje, me intensitet të lartë. Fatkeqësisht vendi ynë është larg realizimit të objektivave të vendosura për borxhin publik, detyrimeve të prapambetura, reformës në sektorin e energjisë”, u shpreh Stringa. Sipas tij fatura e borxhit do të paguhet nga shoqëria.

Edhe për ekspertin e ekonomisë, Arben Malaj përdorimi i kredive për zonat e tërmetit do të rrisë presionin ndaj borxhit dhe deficitit buxhetor nëse nuk do të ketë rritje ekonomike. Malaj shpjegon se nëse rritja ekonomike vijon nga 2.4 për qind në 4.1 për qind presionet ndaj treguesve si borxhi publik dhe deficiti do të zbuten në planin afatmesëm. Banka Botërore rekomandon që të bëhet kujdes me përzgjedhjen e projekteve, me qëllim minizimin e efekteve negative në ekonomi. Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në vendin tonë, Maryam Salim thotë se nëse do të zgjidhet projekti i duhur për zbatim, efekti te rritja ekonomike dhe borxhi publik do të jetë pozitiv.

“Nëse këto projekte zgjidhen me kujdes për të përmirësuar stokun e kapitalit prodhues që përdor ekonomia, këto do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe në këtë mënyrë do të përmirësojnë kapacitetin e shërbimit të borxhit të vendit”, vlerësoi ajo.

Sipas raportit për vlerësimin e kostove të hartuar nga banka Botërore, qeveria, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara, tërmeti vlerësohet të ketë shkaktuar efekte që janë sa 6.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në dëme dhe në 1.1 për qind të PBB-së në humbje.

Si rezultat i tërmetit, rritja reale e PBB-së gjatë vitit 2019 dhe 2020 vlerësohet të jetë më e ulët me efektet e humbjes së kapacitetit që kufizojnë rritjen gjatë periudhës afatmesme. Ekonomia shqiptare parashikohet të jetë rritur me rreth 2.4 për qind në vitin 2019, dhe 3.2 për qind në vitin 2020 nga një bazë fillestare para tërmetit, që vlerësohej rritje prej 2.9 për qind dhe 3.5 për qind, respektivisht.

SI DO TË PËRDOREN KREDITË E ITALISË, FRANCËS E BANKËS BOTËRORE

Përfundimi i konferencës së donatorëve krijoi mjaft paqartësi se cilat janë projektet konkrete ku do të përdoren kreditë në ndihmë të rizhvillimit të zonave të prekura nga tërmeti. Burime nga Ambasada Italiane sqaruan për Monitor se fondi i dhënë me vlerë 65 milionë euro është kredi ndihme. Interesi i kredisë ende nuk është përcaktuar, por parashikohet që të jetë nën 1 për qind. “Kjo kredi është me kushte lehtësuese financiere, sepse përveç se do të ketë një interes të ulët, afër zeros, apo rreth 0,5 për qind, periudha e mospagimit do të jetë 8-10 vjet”,- u shprehën nga ambasada italiane.

Italia në kushtet e kredive të buta përfshin edhe programin e konvertimit të borxhit, të cilën nuk e kanë shtetet e tjera. Aktualisht vendi ynë ka një marrëveshje me shtetin italian për kredi me konvertim borxhi. Kredia e dhënë në konferencën e donatorëve nuk përfshihet në këtë program.
Italia vendosi në dispozicion të Shqipërisë në konferencën e donatorëve edhe 21 milionë euro. Këto fonde të Koperacionit Italian do të jenë në dispozicion të qeverisë nëse do t’i nevojiten për përdorim nëpërmjet zbatimit të projekteve. Përveç kësaj, ministri i jashtëm italian në konferencën e donatorëve, shpjegoi të gjithë ndihmën logjistike të vënë në dispozicion pas tërmetit. “E gjithë kjo është në vlerën e 4 milionë eurove”, shpjegoi ambasada italiane.

Pas ngjarjes së tërmetit, në konferencën e donatorëve, Franca u angazhua me 60 milionë euro kredi. Burime për Monitor nga Ambasada Franceze thanë se kjo kredi do të financojë rindërtimin e rrjetit të brendshëm të ujit të pijshëm të qytetit të Durrësit dhe fshatrave përreth.
“Duke qenë se rrjeti i brendshëm i Durrësit është i amortizuar, ku një pjesë e tij është ndërtuar që në vitin 1958 është i amortizuar. Kjo e bën tepër urgjente situatën për ndërhyrje në rrjetin e ujit të pijshëm. Për qytetin e Durrësit, Banka Botërore sapo përfundoi edhe ndërtimin e ujësjellësit të ri nga Fushë Kuqe deri në Durrës”, sqaruan burimet.

Në konferencën e Brukselit mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze u nënshkrua edhe marrëveshja për “Themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, (AFZH) të Proparco dhe të Expertise France në Shqipëri”. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Francës Jean-Vyes Le Drian për realizimin e projekteve me vlerë 100 milionë euro.

Mësohet se zbatimi i këtyre projekteve nuk ka në fokus ngjarjen e tërmetit. Shuma prej 100 milionë euro përfshin dy projekte me mbështetje buxhetore, një prej tyre është 50 milionë euro për barazinë gjinore dhe projekti tjetër me vlerë 50 milionë euro do të zbatohet për reformën e sektorit të energjisë.

Projekti i barazisë gjinore është bashkë financuar me Bankën Botërore, ku ajo financon 9,1 milionë euro, ndërsa AFZH financon 50 milionë euro. Për projektin në sektorin e energjisë AFZH financon 50 milionë euro, ndërsa KfË financon 100 milionë euro. Në formën e donacionit, nga Franca do të jepen 1 milionë euro. Banka Botërore u angazhua për dhënie kredi me vlerë 106 milion euro. Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Maryam Salim në intervistën për Monitor shpjegoi se 85 milionë euro kredi do të përdoren për strehimin. Sipas saj është rënë dakord me qeverinë që 6 milion euro kredi nga projekti aktual i Modernizimit të Sektorit të Shëndetësisë të përdoren për të mbështetur punën për rindërtimin e tre spitaleve.

Nga Banka Botërore do të vendosen 15 milion euro të tjera hua shtesë në dispozicion përmes të njëjtit projekt për të mbështetur nevojat e mëtejshme të rindërtimit në sektorin e shëndetësisë, përfshirë blerjen e pajisjeve dhe mobilieve të nevojshme për spitalet e dëmtuara.

KREDITË DHE DONACIONET

Në total nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve, “Së bashku për Shqipërinë” u mblodhën 1,15 miliardë euro fonde për rizhvillimin e zonave të shkatëruara. Nga totali i fondeve të mbledhura, sipas raportit zyrtar të dhënë nga Komisioni Europian reth 296 milionë euro janë donacione, ndërsa huatë arrijnë 853 milionë euro.

Nga totali i fondeve 3.4 milionë euro të tjera janë të ashtuquajtura in-kind (ndihma që jepen direkt në mallra-shtëpi ose shërbime). Huaja përbën 74 për qind të angazhimit total të përfituar, 25.6 për qind janë donacion dhe 0.4 për qind është angazhim në produkte konkrete.
Shtetet anëtare të BE-së, Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve kanë dhënë gjithsej 246 milionë euro, nga të cilat 60 milionë euro është dhënë nga Franca, 86 milionë euro nga Italia dhe 100 milionë euro nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës./monitor



4 Comments

  1. Ju jeni tamam palaco,vetem Hoxha ndertoi me forcat e veta termetit.Ishte absolute .Poshte komunizmi,por kush te jep borxh?
    Askush.
    Duhet Pune e madhe te gjesh parate per nje shtet fukara prodhon vetem bandits dhe kriminelet..
    Mqs termetin e beri shteti edhe shtepite Po ja Ben falas qytetareve.
    Shkullak jeni Kazan dhe me ere te keqe.Mjere ata.

  2. Pse nuk duhen besuar kreditoret,si banka boterore (perfaqesuesja e saj),ambasada italiane,por as edhe “experti i ashtuvetequajtur” Arben Malajn.Kreditoret bejne lufte per te dhene sa me shume kredi.A nuk e vereni kete fenomen edhe tek firrmat e kartave te kredive?Kjo eshte puna e tyre,prandaj edhe keto fjale perkedhelese te tyre,behet qe keto kredi te premtuara,te perdoren me limitim maksimal.Per afatin,nuk e kane edhe aq problem,sepse kredite dhene qeverive,jane te sigurrta dhe te garantuara,se nuk kane nga ta luajne by…en,e ne cdo rast,ja marrin edhe ne rruge indirekte -e dine vete ata-kreditoret-menyren.Por anorrmale,me duket idea e “expertit te ekonomise” tone,qe para se te na e shpjegoje pozitivitetin e kredive,te na skjaronte me pare,kur passka kaq “mend”si nuk passka bere “bum”qofte jo edhe shume te madh,ekonomina,kur ai ka qene ne drejtimin e financave????Borxhi,eshte borxh.Ne kohen e mbretit Zog,borxhliu te merrrte jo qeverine,por te gjithe vendin (teritorin) e te roberonte e te bente te pa atdhe,se qehesh italian,me banim ne Shqiperi.Ndersa sot,ne kete bote moderne -qe me plot gojen mund ta quajme edhe Bote e kredive,me teknologji moderrne,edhe metodat e ndeshkimit te mos shlyerrjes se kredive,jane po aq moderne sa edhe teknologjija.Mos e provofshim,se koronavirusi,do na duket lule,perpara asaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *