• |
ide | kryesore

Operacioni Alberich/ Historia që qëndron pas filmit “1917”, kandidat për Oscar

F1, Planet



A është filmi “1917”, i bazuar mbi një histori të vërtetë? Po edhe jo. Filmi dramatik me ngjarje nga Lufta e Parë Botërore, me skenar dhe regji të Sem Mendes, tregon historinë e dy ushtarëve të rinj britanikë të cilët urdhërohen nga komanda të kalojnë në “tokën e askujt” (hapësirën mes 2 llogoreve armike), që të parandalojnë një sulm të planifikuar britanik, i cili kishte të ngjarë të sillte vdekjen e qindra ushtarëve.

Këta dy ushtarë nuk kanë ekzistuar vërtet, madje asnjë nga ata për të cilët flitet në film. Por ndërsa personazhet në film janë imagjinarë, ngjarjet e vitit 1917 u bazuan mbi një tërheqje të vërtetë strategjike që ndodhi në fakt nga ushtria gjermane, koduar me emrin “Operacioni Alberich”.

Ideja për filmin “1917, regjizorit të njohur i erdhi nga gjyshi i tij, Alfred Mendes, që ishte një lajmëtar për britanikët në Frontin Perëndimor. Mendes dëshironte të nderonte kujtimin e gjyshit e të tij, por edhe të gjithë trupave që luftuan në Luftën e Parë Botërore.

“Unë kisha një histori familjare, që ishte një fragment i treguar nga gjyshi im. Është historia e një korrieri që ka një mesazh për ta dërguar diku. Ajo histori më intrigoi shumë që kur isha fëmijë. Padyshim, unë e kam zgjeruar dhe ndryshuar shumë atë. Gjithsesi, ajo e ka ende thelbin e saj”- deklaroi Mendes në një intervistë për “Time”.

Mendes dëshironte që filmi të bazohej mbi ngjarjet e vërteta të Luftës së Parë Botërore, dhe të ishte sa më i saktë në aspektin historik. Kur ishte duke hulumtuar mbi skenarin e filmit, Mendes gjeti një ambient perfekt:Operacionin Alberich. Deri në vitin 1917, Fronti Perëndimor ishte shndërruar në një luftë të egër llogoresh, dhe forcat gjermane mezi po rezistonin.

Ato kishin kaluar nga ofensiva në mbrojtje, përballë presionit të pamëshirshëm nga trupat britanike dhe franceze, me Betejën e Verdunit dhe Betejën e Somës, që dobësuan shumë gjermanët. Erik Ludendorf, që ishte bërë kohët e fundit një nga figurat kryesore të rezistencës gjermane, bëri në fundin e vitit 1916 një panoramë të zymtë të shanseve të Gjermanisë për fitoren e luftës.

Në atë kohë, Ludendorf shkruante:”Gjermania duhet të mos harrojë se epërsia e madhe e armikut në njerëz dhe materiale, do të ndjehej edhe më dhimbshëm në vitin 1917. Nëse lufta do të zgjaste, humbja jonë dukej e pashmangshme. Ekonomikisht, jemi në një pozitë shumë të pafavorshme për një luftë të gjatë.

Duke e ditur se gjermanët kishin nevojë për një strategji të re, që të shmangnin humbjen e luftës, Ludendorf prezantoi Operacionin Alberich. Bëhej fjalë për një tërheqje të guximshme dhe strategjike, që do t’i lejonte trupat gjermane të riorganizoheshin, dhe të krijonin një linjë mbrojtëse më të shkurtër dhe më të fortifikuar, të quajtur “Linja Hindenberg”. Dhe kjo, në një kohë kur forcat aleate do të supozonin se armiku i tyre po braktiste betejën.

Në këtë mënyrë, trupat britanike do të binin pa vetëdije në një kurth, nga pozicioni i fortifikuar i krijuar nga Alberich. Tërheqja nisi zyrtarisht më 9 shkurt dhe përfundoi më 20 mars, duke e shkurtuar me 40 km frontin gjerman, dhe duke u dhënë mundësi ta mbronin atë me më pak se 14 divizione.

Por tërheqja ishte vetëm një pjesë e Operacionit Alberich. Që të siguroheshin që trupat britanike të mos kishin qasje në burimet e lëna pas, gjermanët përdorën politikën e “tokës së djegur”. Pra shkatërrimin e çdo gjëje që mund të rezultonte e dobishme për forcat aleate, përfshirë qytetet, rrugët dhe urat.

Ndërkohë, gjermanët minuan shumë zona, që britanikët të vonoheshin sa më shumë në pushtimin e zonës së braktisur tashmë nga forcat gjermane. Operacioni Alberich u zbatua me sukses. Gjermanët ia dolën të zhvendosnin vijën e tyre mbrojtëse, ndërsa britanikët besuan se armiku i tyre ishte në një tërheqje të plotë.

Pra, britanikët do të supozonin se po sulmonin një linjë mbrojëse gjermane të dobësuar, por në fakt do të zbulonin se ajo ishte e riorganizuar dhe plotësisht gati për të ndërmarrë një kundërsulm. Ky është konteksti mbi të cilin fillon filmi “1917”, kur 2 ushtarët dërgohen në një mision për të paralajmëruar trupat britanike, para se të bien në kurthuin e Linjës mbrojtëse Hindenburg të sapokrijuar.

Meqë britanikët besuan fillimisht se gjermanët po tërhiqeshin të dëshpëruar, ata supozuan se një sulm kundër tyre në atë moment, do t’i jepte një avantazh të mëtejshëm në luftë, dhe potencialisht do të çonte në një fund të shpejtë të konfliktit. Përkundrazi, ata zbuluan se gjermanët kishin krijuar një linjë të re mbrojtëse prej 128 km, e cila ishte shumë më e fortë sesa sistemi i tyre i mëparshëm mbrojtës.

Edhe pse ishte më e shkurtër, Linja Hindenburg u dha forcave gjermane disa avantazhe strategjike të mëdha, përfshirë një terren më të lartë, ç`ka ua vështirësonte trupave britanike përparimin gjatë sulmeve. Kjo vonoi ndjeshëm planet britanike në pranverën e atij viti, pasi strategjia e tyre sulmuese u ngadalësua.

Në filmin “1917”, nën/kaporali Uilliam Shofilld, arriti të njoftojë në kohë kolonelin Mekenzi që të anulonte sulmin britanik, që ishte në nisje e sipër. Në realitet, aleatët u kapën më së shumti në befasi dhe Linja e Hindenbergut e ndali vrullin e tyre. Për pasojë, rifilloi lufta e egër e llogoreve, duke zhdukur për momentin çdo shpresë për fundin e shpejtë të luftës.

Gjithsesi, Operacioni Alberich, vërtetoi se mund të ndalte vetëm përkohësisht të pashmangshmen. Forcat aleate arritën ta çanin atë më 29 shtator 1918, falë një bombardimi masiv që zgjati mbi 50 orë, përdorimit të batalioneve të tankeve, dhe një numri të madh ushtarësh amerikanë. Në atë kohë, Linja Hindenberg ishte linja e fundit mbrojtëse për gjermanët, ndaj shkatërrimi i saj e rrënoi moralin e ushtrisë gjermane.

Më 11 nëntor 1918, një armëpushim i dha fund Luftës së Parë Botërore. Mund të mos jetë e drejtë të kritikohet një komb në luftë, pse bën gjithçka që mundet për ta fituar atë. Por po të mos ishte për suksesin e Operacionit Alberich, ndoshta lufta do të kishte përfunduar shumë më shpejt, dhe mijëra burra nuk do të kishin vdekur. /Marrë nga Bota.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *