• |
ide | kryesore

Përse po e përdor Trump Kosovën?

2, Ide



Më 2016-tën, Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA pjesërisht mbi premtimin e arritjes së marrëveshjeve më të mira për SHBA-në në skenën ndërkombëtare. Katër vjet që kur ai e fitoi presidencën, ai premtim mbetet në letër. As “faza e parë” e marrëveshjes që e nënshkroi me Kinën dhe as marrëveshja e porsa shpalosur me Talebanin në Afganistan nuk është se mund të quhen arritje e madhe, kur është në pyetje politika e jashtme.

Por, a mund ta sigurojë ai një fitore të madhe në Evropë? Në këtë drejtim duket se është duke punuar.

Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe homologu i tij nga Kosova, Hashim Thaçi ishin në Shtëpi të Bardhë, për një takim me këshilltarin amerikan të Sigurisë Shtetërore, Robert O. Brien si dhe ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, që ka qenë i dërguar i posaçëm i Trumpit në Serbi dhe Kosovë që nga tetori i kaluar.

Shumë njohës të rrjedhave në Ballkan e perceptojnë takimin si një tregues i qartë se presidenti amerikan ia ka mësyrë ta bindë Beogradin që t’i normalizojë lidhjet me Prishtinën.

Raportet midis Serbisë dhe Kosovës kanë qenë të tensionuara që nga lufta e 1999-tës, që la më shumë se 10.000 të vdekur dhe mori fund më 1999. Forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, ndërhynë për ta ndalur luftën. Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 2008, nuk është njohur nga Beogradi, Rusia dhe pesë shtete të Bashkimit Evropian. SHBA-ja dhe mbi 100 shtete tjera e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nëse Serbia bindet që ta njohë Kosovën, në shkëmbim të koncesioneve nga Prishtina, atëherë ndikimi amerikan në rajon do të shtrihet dhe, si spekulojnë banorët lokalë, një gjë e tillë madje edhe mund t’ia sigurojë Trumpit Nobelin e Paqes.

Një zgjidhje e çështjes së stërzgjatur të sovranitetit, do të bënte në të njëjtën kohë që BE-ja, të cilën banori aktual në Shtëpinë e Bardhë nuk është se e ka në sy të mirë, të duket keq, teksa do të vihej theksi tek dështimi i këtij blloku për zgjidhjen e tensioneve të përshkallëzuara në fqinjësi të saj.

Grenelli tashmë ka arritur disa suksese. Më 14 shkurt, në suazat e Konferencës së Sigurisë në Munich, ai mbikëqyri finalizimin e një marrëveshjeje për hekurudhat, si dhe një autostrade midis Prishtinës dhe Beogradit. Një muaj para kësaj, Grenelli kishte ndërmjetësuar një marrëveshje tjetër, që mundësonte vazhdimin e fluturimeve komerciale midis këtyre dy fqinjve në Ballkan.

I dërguari i Trumpit i pervjeli më pas mëngët, për zgjidhjen e një çështjeje më të rëndësishme – tarifave ndëshkuese të kosovarëve mbi importet serbe. Kjo nuk është çështje e thjeshtë. Qeveria në Prishtinë ka vënë taksë 100 për qind mbi importet serbe që nga nëntori i 2018-tës, si reagim ndaj fushatës së Beogradit, të mbështetur prej Rusisë, që shtetet nëpër glob ta tërheqin njohjen e Kosovës. Që nga 2017-ta, 15 shtete, kryesisht në Afrikë, kanë tërhequr njohjen.

SHBA-ja do që Kosova t’i heqë tarifat e vëna mbi Serbinë, që paraqesin shkelje të CEFTA-s, marrëveshjes rajonale për tregti të lirë. Dhe, Prishtina duket e përgatitur ta përfillë këtë thirrje. Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi letër Trumpit, duke e informuar se shteti i tij do t’i heqë gradualisht tarifat mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja (që po ashtu nuk e njeh Kosovën, shkaku i presionit nga serbët në shtet), si gjest i vullnetit të mirë.

Nuk është befasi që diplomacia amerikane funksionon në Kosovë. Washingtoni ende ka ndikim të madh te shumica shqiptare, si dhe te shqiptarët tjerë që jetojnë nëpër Ballkan, duke iu falënderuar intervenimit të vitit 1999. Edhe pse shumë qytetarë në Kosovë refuzojnë heqjen e taksës tregtare, ata e shohin Washingtonin si aleatin e tyre më kryesor ndërkombëtar, dhe nuk dëshirojnë ta zemërojnë atë.

Nga ana tjetër, mbështetja për BE-në në vend është në rënie të madhe. Ngurrimi i Brukselit për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës, edhe përkundër zbatimit të plotë të të gjitha kushteve teknike, prek një nerv të gjallë. Të gjithë të tjetër në Ballkanin Perëndimor, por edhe moldavët, gjeorgjianët dhe ukrainasit, gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza në BE. Kosovarët janë të zemëruar njëjtë edhe me faktin se Serbia po negocion anëtarësimin e saj në union, ndërsa ata po mbahen në distancë.

Ndonëse gjërat po ecin në prapaskenë, normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në horizont ende. Presidenti Thaçi, i cili po lobon shumë për një zgjidhje, e madje po e përmend edhe idenë e shkëmbimit të territoreve për të arritur një marrëveshje, vazhdimisht e më shumë po duket si një lider në ikje.

Që nga zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Partia Demokratike e Thaçit është në opozitë. Kryeministri i ri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka një qëndrim të pakompromis karshi Serbisë. Ai ka kritikuar planet e propozuara nga Thaçi dhe Vuçiqi për shkëmbim territoresh. Kurti ka qenë kritik edhe i alternativës së paraparë nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 – për t’i dhënë komunitetit serb në Kosovë autonomi.

Kurti mezi pret t’ia marrë politikën e jashtme nga duart Thaçit. Ministri i tij i Jashtëm, Glauk Konjufca, kohë më parë tërhoqi ambasadorët nga disa kryeqytete kryesore, përfshirë atë të Washingtonit. Kurti me rasti u bindet kërkesave të SHBA-së – siç bën me dije letra e tij drejtuar Trumpit – por ai nuk do të ngutet që të arrijë marrëveshje me Vuçiqin.

Topi në fund mund të bie në fushën e BE-së. Koha e shkurtër e vëmendjes së Trumpit dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA me siguri se do ta vënë Kosovën larg prioriteteve të administratës së tij ditëve në vijim. I dërguari i Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, Richard Grenell, kohë më parë u emërua drejtor në detyrë i inteligjencës kombëtare. Detyrat e tij të reja me gjatë do t’i zhvendosin energjitë e tija larg Ballkanit.

Në ndërkohë, BE-ja do të vazhdojë të përfshihet për së afërmi në tensionet që po i gatuhen në oborrin e pasmë të shtëpisë. Në maj, presidenca kroate e Këshillit të BE-së do të organizojë samitin vjetor BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb. Kroacia pa dyshim se do ta vë kërkesën e Kosovës për liberalizim vizash në agjendën e samitit. Nëse vepron menjëherë në këtë çështje grindavece, BE-ja mund ta rifitojë mbështetjen e Kosovës dhe të bëhet sërish shtytësi kryesor në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës.

Përkundër zhvillimeve të fundit pozitive, ujdia madhore trumpiane ka pak gjasa të ndodhë. Por, siç dëshmojnë sukseset e përpjekjeve të fundit diplomatike, ka shumë çka të bëhet për të ringjallur bisedimet e bllokuara mes Beogradit dhe Prishtinës. Përderisa administrata e Trumpit ka pak gjasa të mbetet në linjë dhe t’i përfundojë negociatat, BE-ja duhet t’i shtojë përpjekjet e saja për ta zgjidhur situatën.

Dimitar Bechev



5 Comments

  1. O ju loqet e lapsit, na thoni minimalisht kush eshte ky qe ben sikur harron marreveshjen e Amerikes Veriore qe zevendesoi NAFTA-n dhe ku e ka botuar shkrimin (standarti me bazik d.m.th.)Eshte e vertete qe Trump shtyn shume per marreveshje dhe ralle i mbyll. Ne keto kater vite me shume se me marreveshjet e reja, ka shkelqyer me daljen nga marreveshjet e vjetra, si ai karlliku i Parisit per klimen, apo marreveshja infantile me Iranin. Edhe me Kosoven veshtire te arrije gje, sepse ai kupton kryesisht mosperputhjet tregtare dhe jo mos mosperputhjet e iluzioneve sic eshte problemi Izrael-Palestine dhe Kosove-Serbi. Keto konflikte jane me shume material per psikologe se per politikane me thene te drejten. Ne negociata normale thuhet qe krahasimi i cfaredolloj propozimi behet me piken e mosarritjes se kompromisit, ndersa ne keto raste krahasimi behet me nje enderr qe ndodhet vetem ne koken e atyre qe bejne sikur negociojne. Ata nuk duan marreveshje, por thjeshte te shtyjne kohen derisa te vije nje Deus ex Machina dhe t’ja bej endrren realitet. Sigurisht, kjo nuk vlen per tradhetaret Rama-Thaci, qe nuk kane endrra kombetare ,por vetem ambicie per pushtet dhe per t’i shpetuar burgut.

  2. Si gjithmone Trumpi do beje nje vrime ne uje..Nuk eshte ceshtje biznesi, por urrejtje dhe kompleksesh. Trump humb zgjedhjet ne dhjetor dhe cdo gje do ndryshoje!

  3. Mire Trumpi po Thaci cfare do ? Kosoven ai nuk e ka toke te babes me e nda per nji grusht dollaresh tuj e dhane nji pjese serbise.

  4. se mos vetem kosoven, te dobtin dhe te pa aftin e perdorin dhe shtetet shqiptare jane pronto per tu perdor. le ta perdorin se mase del nai gjo ne fund te vitit. se po e mori vucic, drama, thaci u shit kosova te rusia per 5pare lek.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *