• |
ide | kryesore

Nuk ka lojë me antarësim të shpejtë në OKB

Blog



1.

Ka ditë që në ambiente politike, medie e Kuvend përflitej me të madhe se Kosova duhet të bëjë diçka shpejt, në mënyrë pastaj të shkohet me të shpejtë në një takim ku do të merren vendime përfundimtare dhe të shpejta.

Kishte diçka këto ditë që më përkujtonte në skena të “qibritxhinjve”, të atyre, jo të paktën herë shqiptarë, që gjenden rrugëve të Evropës në një skemë ordinere mashtrimi.

Në lojë “qibritash” një dorë e mësuar mirë loz shpejt me tre kapakë të shkrepëseve dhe një topth prej letre alumini, kërkon që dikush të vërë bast shpejt, e që të qëllojë se ku gjendet topthi i aluminit dhe pastaj vazhdon lojën tjetër, duke kërkuar shpejt bastin tjetër.

Por, shpejtësia është vetëm një element i skemës së orkestruar të “qibritxhinjve”. Tjetri është nënkuptueshmëria se bëhet fjalë për një lojë ku të dyja palët respektojnë rregullat, pra që basti është të jesh kush më i shkathët, ai që fsheh topthin e aluminit apo ai që ia përcjell duart. Dhe i treti është se ky është një fitim i lehtë – për një minutë fiton 50 a 100 Euro, për dy minuta 100 a 200. Por, shpejt, shpejt, ngase mund të vijë policia.

2.

E tash, analogjia e “qibritave” në politikën kosovare. Përgjatë një jave a më shumë ditësh, nga duart e “qibritxhiut” kosovar doli narracioni se Kosova duhej të bënte veprime shpejt e shpejt. Shpejt e shpejt hiqe taksën 100 për qind, sepse kjo shpejt e shpejt do ta ulë Kosovën në tavolinën e bisedimeve me Serbinë mu në Shtëpi të Bardhë dhe shpejt e shpejt do të arrihet marrëveshja, me çka do t’i japë fund konfliktit me Serbinë. E tëra kjo duhej të ndodhte, sipas skemës së “qibritit” përderisa e shkruaj këtë tekst, të martën më 3 mars.

Rreth narracionit të “qibritxhiut” kosovar u mblodhën jo vetëm analistët e rëndomtë që kanë lehtësi të zhveshjes nga analiza kritike, por edhe politikanë e veprimtarë që nuk shquhen për dalldi.

Pra, pranuan të tri parimet e lojës së “qibritave”. Pranuan se e tëra duhet të bëjë shpejt e shpejt. Pranuan se ata dhe qibritxhiu luajnë të njëjtën lojë me të njëjtat rregulla. Dhe pranuan se duke i respektuar këto dy parime, do të korrin fitore të shpejta. Por, duhet të lozin shpejt, sepse loja mund të prishet shpejt, e kështu nuk do të mund të fitojnë.

loja e “qibritave” funksionon për ata që e organizojnë, sepse nuk është lojë me rregulla të njëjta: ai që supozohet duhet të fshehë topthin e aluminit nën një kuti, këtë nuk e bën, gjithnjë e mban të fshehur në dorë. Ai që vë bast, është i predestinuar të humbasë, sepse është duke lozur lojën me supozim se në njërën prej tri kutive është i fshehur topthi.

3.

Lojën me “qibrita” e organizon ritualisht Hashim Thaçi, herë me më shumë, e herë me më pak sukses prej vitit 2013, kur e nënshkroi Marrëveshjen e parë të Brukselit. Atëbotë pati deklaruar, në cilësi të kryeministrit të Kosovës, se Serbia me këtë marrëveshje “de jure” e njeh subjektivitetin e Kosovës dhe ua hap rrugën njohjeve të reja të saj. Njëherësh i hap rrugën edhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe anëtarësimin në OKB“. Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u tha se duhet ta ratifikojnë këtë Marrëveshje ndërkombëtare; u tha se në njërën prej tri kutive është një topth alumini që quhet anëtarësim në OKB dhe njohja “de jure” e Kosovës. Në vend të topthit të aluminit, deputetët gjetën se ratifikuan një Marrëveshje ndërkombëtare që dëmton sistemin kushtetues të Kosovës, duke hapur rrugë edhe për autonomi territoriale të serbëve në Kosovë.

Në tre vjetët e fundit, ka organizuar lojë qibritash në procesin Mogherini. U kërkohej qytetarëve të Kosovës që të vënë bast sovranitetin e vendit dhe tërësinë tokësore të tij, në këmbim të gjetjes së topthit të aluminit. Nëse e gjen topthin fiton premtimin se Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së. Nëse nuk loz, Mogherini nuk do të lejojë të lozësh më në të ardhmen. As Evropës, as Amerikës, as kurrkujt s’do t’i bjerë në mend të lejojë si Kosovë të marrësh pjesë në lojë “qibritash”.

Versioni i fundit i lojës ishte ky: hiqeni taksën 100 për qind, hipni në aeroplan për në Washington. Unë jam këtu dhe do të bëjmë negociata me Serbinë në Shtëpi të Bardhë.

Kori i analistëve i shtoi dimensionin e domosdoshëm moral kësaj loje: o do të marrim pjesë tash në këtë lojë qibritash, o do të harrohemi, dhe nuk do të na ftojnë më.

Dhe ky dimension moral nuk bënte pa betimin religjioz në Amerikën, madje deri në skajshmërinë e interpretimit se çka është dhe nuk është politika amerikane dhe në shndërrimin në zëdhënës të pakualifikuar dhe të pakërkuar të asaj çfarë mund apo duhet të jetë politika amerikane ndaj Kosovës.

4.

I dërguari i presidentit Trump për Kosovën, ambasadori Grenell bëri njërin prej qartësimeve që i hyn në shërbim këtij teksti, por edhe ritmit të politikës ndërkombëtare karshi Kosovës. Në një cicërimë Twitteri, ai deklaroi se rreth negociatave Kosovë-Serbi “nuk është kush duke u përpjekur të lëvizë shpejt dhe nuk ekziston një marrëveshje e madhe”. Me një fjali të thjeshtë, hoqi dilemën rituale të “qibritxhiut” kosovar: pra, nuk ka “shpejt e shpejt” dhe nuk ka “vë bast, fito menjëherë”.

Rrjedhimisht, duhet hyrë në një proces serioz, të cilin duhet ndërtuar hap pas hapi dhe me pajtim të më shumë palëve.

Për Kosovën, mbeten esenciale dy premisa që e kanë përcjellë në negociatat e suksesshme, në Rambouillet dhe Vjenë. E para është se duhet të ndërtohet një qëndrim i përbashkët e parimor transatlantik mes SHBA-së dhe BE-së (tash dhe Britanisë së Madhe), në mënyrë që të ecet drejt një ndërmjetësimi serioz e të strukturuar. Dhe e dyta është se duhet të ekzistojë një pajtim thelbësor brenda forcave politike kosovare, të cilat jo vetëm do ta negociojnë marrëveshjen me Serbinë, por do të jenë edhe zbatues të denjë të saj.

Natyrisht, është e nënkuptueshme që nuk bën më me lojë qibritash.

© KOHA



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *