• |
ide | kryesore

Më shumë frikë nga Amerika sesa nga koronavirusi

-Instant, 2, Ide
Një rifreskim i historise se si i kemi “refuzuar” ShBA nga viti 1998
1.
Një pjesë e opinionit shqiptar në Kosovë po përjeton momente të mëdha brengash, deri në kufij të panikut. Nuk është fjala për “koronavirusin”, i cili po bëhet disi temë dytësore, për më tepër, që ai ende nuk është identifikuar në Kosovë në momentet kur po shkruhet ky tekst (10 mars). Fjala është për Amerikën, gjegjësisht një druajtje se disi vendi i cili na ka çliruar (së bashku me shtetet e tjera perëndimore) do ta braktisë Kosovën.Në garën për frikën më të madhe, koronavirusi apo braktisja nga Amerika, këto ditë po fiton braktisja nga Amerika, një psikozë jo pak e ushqyer prej medieve që po riciklohen në favor të H.Thaçit dhe strukturës së tij ekonomike dhe politike. Psikoza është edhe më lehtë e ushqyeshme me një fenomen të ri, të medieve sociale dhe me një fenomen edhe më të ri, të personave që identifikohen si pjesë të establishmentit amerikan. Kështu, kur i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan komunikon në lidhje me Kosovën në Twitter, ato 280 karaktere të transmetuara marrin në mediet e panikut formën e dekreteve ministrore. Dhe kështu, kur i biri i presidentit amerikan u shpreh se pajtohet me senatorin e Gjeorgjias, David Purdue, se “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA-ja duhet të rishikojë praninë e vet ushtarake në Kosovë ”, ai pajtim transformohet në dekret presidencial. I biri i presidentit Trump i tejkaloi ndërlikimet kushtëzuese të senatorit si “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar” dhe “duhet të rishikojnë praninë e vet ushtarake” dhe i shndërroi në “Saktë. Janë 650 ushtarë në Kosovë. Koha, t’i kthejmë në shtëpi”. Dhe, thjeshtësimi vazhdon në tonin që e mban H.Thaçi së bashku me mediet që e përkrahin dhe një pjesë të opozitës: Dramatike, Amerika po na braktis!Recetë e mjaftueshme për panik.2.

Postova në medie sociale, si përgjigje të thjeshtë ndaj kësaj psikoze (të gjeneruar dhe vetëgjeneruar) një përgjigje:


“Pa panik. Nuk ka pasur veprim të suksesshëm në Kosovë pa:

• Akordim bazik mes SHBA-së dhe shteteve të fuqishme evropiane (BE+Britania e Madhe)

• Akordim bazik të forcave politike në Kosovë

• Një kornizë bazike me parime për negociata.

Cicërimat në Twitter nuk mund të jenë zëvendësuese për këto.

(Ah, po: duhet larë duart mirë dhe shpesh)”.

Porosia nuk ishte një e qetësimit, sikur e personit që ndeshet me një të papritur dhe ia jep vetes shpresën me “hajt se bëhet mirë!”. Ishte fryt i një përvoje negociatore të Kosovës (dhe times personale në të). Pra, Kosova ka pasur negociata të suksesshme në Rambouillet dhe në Vjenë ku janë plotësuar të tria pikët: është ndërtuar (ndonëse mezi) konsensusi mes forcave kosovare, është akorduar politika amerikane dhe evropiane (me rol të dukshëm prijës amerikan në Rambouillet) dhe janë zhvilluar negociatat brenda një kornize parimesh për negociata.

E kundërta ka ndodhur në procesin e Brukselit deri më sot. Nuk ka pasur një akordim SHBA-BE, por procesi ka degjeneruar madje deri në personalizim në rastin e zonjës Mogherini. Nuk ka pasur akordim të forcave politike në Kosovë dhe këtë proces e ka privatizuar që nga fillimi Hashim Thaçi. Dhe nuk ka pasur kornizë bazike me parime për negociata; parim është bërë çfarëdo që të hidhet në tavolinë, prej autonomisë territoriale serbe deri te ndarja e Kosovës.

Në një pasqyrë të shkurtër historike të negociatave, sot jemi në fazën ku Hashim Thaçi përpiqet të tregojë se mund të mbërrijë një marrëveshje me presidentin e Serbisë, porse për këtë e pengojnë taksa 100 për qind, Qeveria e Kosovës, i dërguari francez dhe ai gjerman, Bashkimi Evropian dhe kushdo tjetër që mund të hyjë në këtë listë.

Nga ky kontekst, dy sugjerime opinionit publik kosovar: të mendojë politikisht dhe t’i lajë duart mirë dhe shpesh (kjo për shkak të koronavirusit).

3.

Një mik ma tërhoqi vërejtjen në rrjete sociale se kemi të bëjmë me një situatë të re. “Kjo administratë amerikane dallon nga administratat e mëhershme të ‘veprimeve të suksesshme’ – nëse jo për diç tjetër, atëherë në atë që administratat e mëparshme i kërcënoheshin Serbisë, e kjo po na kërcënohet neve”.

Në fakt, nuk është tërësisht e vërtetë. Dhe ja një rrëfim i cili sot duket aq i çuditshëm sa të tingëllojë si sekret. Kam qenë pjesë e negociatorëve prijës kosovarë në vitet 1998 dhe 1999. Kosova ka qenë e kërcënuar seriozisht në vitin 1998, në kulmin e luftës, nga diplomacia amerikane. Nga ana e administratës amerikane na janë ofruar në formë kontinuele drafte marrëveshjesh që Kosovën e vendosnin si autonomi (herë më të madhe e herë më të vogël) brenda Serbisë dhe ato drafte refuzoheshin. Për njërin prej tyre kam shkruar asokohe edhe publikisht, në këtë gazetë. Nga administrata amerikane na është thënë jo një herë, dhe jo vetëm privatisht, se SHBA-ja do ta braktiste Kosovën nëse ajo nuk e pranon planin e autonomisë. Gjegjësisht, se SHBA-ja përkrah vetëm autonominë e Kosovës.

Në vazhdën e “refuzimit estetik”, në fund të vitit 1998 dhe në fillim të vitit 1999, pranuam se do të merrnim pjesë në bisedime me Serbinë nëse aty do të kishte disa parime negociatore. Me kërkesë tonën u përfshinë përfaqësuesit e UÇK-së në bisedimet e Rambouillet, me insistimin tonë u ndërtua koncepti i sigurisë së Kosovës me prani ushtarake të NATO-s në të dhe me kërkesë tonën u ndërtua një koncept transicioni që do ta lejonte Kosovën të merrte vendime për veten.

Në krye të negociatorëve kosovarë që nuk pranonin draftet për autonominë dhe kërcënimin se do të humbnin përkrahjen amerikane ishin dr.Ibrahim Rugova dhe dr.Fehmi Agani.

4.

Asokohe nuk kishte Twitter, dhe mirë që nuk kishte. Imagjinoni situatën kur ambasadori amerikan, Robert Gelbard, të cicëronte “UÇK është organizatë terroriste, ne nuk flasim me ta” dhe njëqind cicërues të tjerë kosovarë e të huaj të ripërsërisnin dhe të dërgonin mesazhin se “Kosova kurrë nuk do të zhvillojë negociata me Serbinë nëse UÇK-ja nuk demobilizohet dhe nuk i braktis armët”. Apo kur ambasadori Chris Hill të cicëronte se “Çdo ditë që @rugova dhe @fehmiagani nuk pranojnë planin tonë për autonomi është ditë e humbur për popullin e Kosovës” dhe njëqind të tjerë të huaj dhe vendës të konstatonin se “udhëheqja kosovare do t’i lihet në mëshirë Slobodan Milosheviqit”.

Natyrisht, jam i vetëdijshëm se diferenca e vetme nuk është Twitteri. Kemi të bëjmë me një natyrë tjetër të administratës amerikane. Administrata Trump nuk është si ajo e Clintonit, madje asnjërit prej Bushëve, as plakut e as të birit. Madje, as Evropa nuk është e njëjtë; për më tepër, në BE nuk është më Britania e Madhe një zë i fuqishëm në ndihmë të Kosovës.

Por, ky ndryshim nuk duhet t’i ndryshojë parametrat negociatore kosovare, aq më tepër kur këto u treguan të suksesshme për të gjithë dhe kur këto parametra u ndërtuan në kohë shumë më të vështira se ç’janë këto sot.

Pra, nën një: përpjekje për krijim të unitetit transatlantik, të një pozicioni të përbashkët SHBA-BE-Britani e Madhe. Kosova me modestinë e peshës që ka, natyrisht, nuk mund ta krijojë këtë unitet, por Kosova mu për shkak të modestisë së vet nuk guxon të lejojë që të antagonizohet me partnerët transatlantikë. T’u mbash leksione publike në Twitter diplomatëve gjermanë e francezë, siç bëri Hashim Thaçi me këshilltarët kryesorë të kancelares Merkel dhe presidentit Macron, është të dëmtosh drejtpërdrejt interesin e Kosovës. Diplomacia kosovare duhet të jetë aktive në Washington, Londër e BE, duke marrë pjesë në ndërtimin e konsensusit transatlantik me idetë e veta.

Nën dy: përpjekje për akordim pozicionesh mes forcave politike kosovare. Qeveria dhe opozita kanë rastin e radhës të ulen dhe të përafrojnë qëndrimet, nga taksa 100 për qind e tutje. Hashim Thaçi mund të ndihmojë nëse nuk ndërmerr kurrfarë veprimi: në dhjetë vjetët e fundit ka demonstruar aftësi konsistente për ta dëmtuar interesin e vendit.

Dhe tre: procesi i Brukselit degjeneroi në tregti ndarjesh territoriale dhe në humbje të çfarëdo parimësie. Nevojitet rifillimi i një procesi mbi parimet e një marrëveshjeje paqeje mes dy shteteve të barabarta, Kosovës dhe Serbisë.

Pra, pa panik. Dhe larje duarsh (për shkak të koronavirusit).

© KOHA.

6 Comments

  1. Një falemderim shumë i madh për zotin Veton Suroi, që na sqaron mbështet me fakte dhe argumente atë që ne e ndjejmë me intuitë, se Shba dhe përfaqësuesit e saj nuk mund të shantazhojnë institucionet që përfaqësojnë sovranitetin kombëtar.

  2. po ca na plas bytha se rri a srri amerika ne kosove. nqs kan ardh per te mbrojt kosoven ka 20 vjet qe nuk heqin nji makin zhavorr te ura e mitrovices ju thoni dengla

  3. Ky shkrim,duhet te lexohet,studiohet dhe te vleresohet realisht,ne rralle te pare prej koalicionit qeveritar (pjeses qe jane panikuar,prej deklaratave te amerikaneve -“nevrike”dhe te pa duruar).Nje paralajmerim te forte i behet Presidentit Thaci,qe te pakten te mos dale e vertete,mendimi i cfaqur,ne Kosove p0 e po,por edhe ne Shqiperi,se Thaci qenka tradhetar.Po ashtu,inkurajon realistet,me Kurtin ne krye,te te mos tremben nga “koronavirusi”amerikan,i perhapur prej amerikaneve “nevrike” e te paduruar,por,”duke i lare duart sa me shpesh,te vendosin ne binare Serbine-ne rralle te pare,dhe pastaj,vete Ameriken,se Kosova eshte shtet sovran,i njohtun prej Gjykates Nderkombetare,dhe se cdo marreveshje,qofte me Serbine,por edhe me te tjeret,behet,ne kushte te barabarta,duke e njohur,por edhe duke respektuar bashkebiseduesin,qe kushtet e vendosura prej sejcilit shtet,te jene respektivisht reciproke.

  4. Përshëndetje të gjithëve dhe ju mirëpresim Avant Loan INC, Ne jemi një ekip mbështetës financiar që siguron financat ndërkombëtare për çdo sasi mjetesh bankare. Shërbimet tona janë të shpejta dhe të besueshme. kreditë miratohen brenda 24-48 orëve nga aplikimi i suksesshëm. Ne ofrojmë kredi nga një gamë minimale prej 2,000 $ në një maksimum prej 50 milion $ me një normë interesi të përballueshëm prej 3% për një kohëzgjatje kredie nga 1 deri në 30 vjet për të shlyer kredinë. Qëllimi i Avant Group është t’ju ofrojë shërbime financiare me cilësi të shkëlqyeshme. Aplikimi për një kredi është një stres falas, për më shumë informacion në lidhje me procesin tonë të huasë avants.loan (a) gmail.com or av_ant (a) outlook.com
    Thirrni / Whatsapp +1 (409) 2062954
    Do të ishim të lumtur t’ju ndihmojmë

  5. Përshëndetje të gjithëve dhe ju mirëpresim Avant Loan INC, Ne jemi një ekip mbështetës financiar që siguron financat ndërkombëtare për çdo sasi mjetesh bankare. Shërbimet tona janë të shpejta dhe të besueshme. kreditë miratohen brenda 24-48 orëve nga aplikimi i suksesshëm. Ne ofrojmë kredi nga një gamë minimale prej 2,000 $ në një maksimum prej 50 milion $ me një normë interesi të përballueshëm prej 3% për një kohëzgjatje kredie nga 1 deri në 30 vjet për të shlyer kredinë. Qëllimi i Avant Group është t’ju ofrojë shërbime financiare me cilësi të shkëlqyeshme. Aplikimi për një kredi është një stres falas, për më shumë informacion në lidhje me procesin tonë të huasë avants.loan (a) gmail.com or av_ant (a) outlook.com
    Thirrni / Whatsapp +1 (409) 2062954
    Do të ishim të lumtur t’ju ndihmojmë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu