• |
ide | kryesore

Detajet/ Shqipëria shënon viktimën e dytë nga koronavirusi

Kryesore, Lajme



Mëngjesin e sotëm është shënuar viktima e dytë nga koronavirusi në Shqipëri. Bëhet fjalë për një 66-vjeçar nga Lushnja, i cili prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë në Spitalin Infektiv të Tiranës. Ai mbahej në jetë me anë të aparaturave.

I moshuari ishte i shtruar fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” nga mushkëria ku dhe u infektua nga një i afërmi i tij që i erdhi për vizitë, i cili i fshehu se kishte qenë në Itali disa ditë më parë. Ministria e Shëndetësisë sqaroi se i moshuari vuante nga disa sëmundje shoqëruese si veshkat, zemra dhe probleme në mushkëri.

“Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë pacienti i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ishte në gjendje të rëndë, në respirim të drejtuar në reanimacion. 66-vjeçari nga Lushnja prej disa ditësh ishte i shtruar në shërbimin Infektiv, në gjendje të rëndë. Pacienti vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonare dhe insuficencë renale”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Viktima e parë nga covid-19 u shënua në Durrës, ku humbi jetën një 73-vjeçare. Aktualisht në Spitalin Infektiv janë të shtruar 24 pacientë (nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina), dy prej të cilëve janë në terapi intensive.

Një ditë më parë u njoftua se njëri prej të infektuarve të parë po shkon drejt shërimit të plotë. Analiza e tij ka dalë negative dhe brenda 48 orëve do të jetë një të dytë. Në vendin tonë janë shënuar 59 të infektuar nga coronavirusi nga të cilët 2 kanë ndërruar jetë. Mes të infektuarve, 9 janë mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe spitalit të Durrësit. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *