• |
ide | kryesore

Basha letër OBSH-së: Ndihmojeni Shqipërinë të shtojë sa më shumë testimet për Covid-19

Lajme, Të fundit



Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i kërkoi ndihmë për Shqipërinë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në një letër drejtuar sot drejtorit të Zyrës së OBSH-së në Tiranë, Dr. Raul Gonzalez, kreu i opozitës kërkoi mbështetje për pajisjen e autoriteteve shqiptare me pajisje për testimin më të madh të qytetarëve.

“Duke qenë të ndërgjegjshëm për mundësitë e pakta që kanë autoritetet tona për ta përballuar të vetëm këtë situatë, si dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi komunikimi, dëshiroj t’Ju kërkoj që të ndihmoni autoritetet shqiptare dhe Shqipërinë me sa mundeni, për marrjen e sa më shumë pajisjeve testuese, të kiteve testuese dhe të tjerave materiale testuese. Vetëm duke shtuar numrin e testimeve dhe duke verifikuar në kohë çdo person të dyshuar si të prekur nga virusi, ne arrijmë të izolojmë personin në kohë dhe të frenojmë përhapjen e virusit në numër më të lartë qytetarësh.”- shkruan zoti Basha në letrën për OBSH.

Kreu i opozitës e mbështet këtë kërkesë në shqetësimin e bërë publik se, nga njëra anë, po refuzohet testimi i shumë qytetarëve me shenjat e COVID-19 nga ana tjetër, numri i raportuar zyrtarisht për testime, është në rënie prej datës 11 mars, për shkak të mungesës së testeve. Në letrën drejtuar Zyrës së OBSH-së në Tiranë, zoti Basha ngre edhe shqetësimin e ekspozimit të stafeve mjekësorë ndaj infektimit

“Do të ishim shumë mirënjohës, nëse do të ndihmonit në sigurimin e një sasie të konsiderueshme vjeshjesh dhe pajisjeve mbrojtëse të tjera të domosdoshme për të mbrojtur stafet tona mjekësore.”-shkruan kreu i opozitës Basha.

LETRA E PLOTE
Nr.___Prot.
Tiranë, më 19/03/2020

I nderuar Dr. Gonzalez,

Fillimisht më lejoni që, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Opozitës së Bashkuar, t’Ju shpreh mirënjohjen time të thellë për punën intensive dhe mbështetjen që keni dhënë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, ku Shqipëria zyrtarisht është vend i prekur nga përhapja e virusit COVID-19. Ndihma dhe përkrahja juaj për autoritetet shtetërore ka qenë thelbësore për përballimin e deritanishëm të situatës. Shpreh bindjen se kjo mbështetje do të jetë e vazhdueshme dhe për këtë dua t’Ju falenderoj në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi.

Partia Demokratike po ndjek nga afër situatën e krijuar dhe menaxhimin e saj nga autoritetet shtetërore. Me shumë shqetësim marrim çdo ditë me qindra mesazhe nga qytetarë të ndryshëm, që shprehen se kanë shfaqur të gjitha shenjat e ngjashme që të bëjnë të dyshosh se janë të prekur nga visusi COVID-19, që telefonojnë Shërbimin Kombëtar të Urgjencës në numrin 127 për të kërkuar ndihmë dhe për t’ju mundësuar testimin, por që e kanë patur të pamundur realizimin e tij. Vetë Qeveria ka raportuar se janë rreth 120 mijë qytetarë që janë nën regjimin “Karantinë e detyrueshme”, pra persona që kanë potencial të lartë që mund të jenë prekur nga virusi.

Sikurse jeni në dijeni, vetë Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, z. Tedros Adhanom Ghebreyesus u ka bërë thirrje shteteve që mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e këtij virusi është testimi dhe izolimi. Ai është shprehur se: “Ne kemi parë një rritje të numrit të të infektuarve, por jo një rritje në testet e bëra dhe masave izoluese. Nëse do të luftosh një pandemi, duhet të shkatërrosh zinxhirin e përhapjes. Këtë gjë mund ta bësh vetëm duke testuar dhe izoluar të gjitha rastet. Mesazhi ynë i vetëm është, testim testim, testim”.

Mirëpo, duke filluar nga data 11 Mars 2020, çdo ditë numri i raportuar për testime nga autoritetet shtetërore vjen në rënie. Nga informacionet tona, kjo është shkaktuar nga mungesa e pajisjeve testuese, të kiteve testuese dhe të tjerave materiale testuese.

Duke qenë të ndërgjegjshëm për mundësitë e pakta që kanë autoritetet tona për ta përballuar të vetëm këtë situatë, si dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi komunikimi, dëshiroj t’Ju kërkoj që të ndihmoni autoritetet shqiptare dhe Shqipërinë me sa mundeni, për marrjen e sa më shumë pajisjeve testuese, të kiteve testuese dhe të tjerave materiale testuese. Vetëm duke shtuar numrin e testimeve dhe duke verifikuar në kohë çdo person të dyshuar si të prekur nga virusi, ne arrijmë të izolojmë personin në kohë dhe të frenojmë përhapjen e virusit në numër më të lartë qytetarësh.

Gjithashtu, stafet mjekësore janë të ekspozuar nga infektimi me virusin COVID-19. Për këtë arsye, do të ishim shumë mirënjohës nëse do të ndihmonit në sigurimin e një sasie të konsiderueshme vjeshjesh dhe pajisjeve mbrojtëse të tjera të domosdoshme për të mbrojtur stafet tona mjekësore.

Me bindjen se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe përfaqësia e saj në Shqipëri, do të vazhdojë të japë një mbështetje të fuqishme për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë, me lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë për punën tuaj të jashtëzakonshme.

Me respekt,

Lulzim BASHA



7 Comments

  1. A e njeh njeri kete kryeministrin Hije te vetes ne obsh,organizmat boterore baskeveprojne me qeverite dhe jo me fantazmat,por ky loqe po mendon per vota dhe ju thote shpellkareve ja une po mundohem per ju,se vet jam ne karantine te vila 2milion euro

  2. Thone se po te marresh leje te policia socialiste apo te dalesh ne oraret e caktuar nuk te ze makarona virusi, uroj te jete e vertete.

  3. O Lul mos dil kot se koti me keto deklarata se behesh shume qesharak. E gjithe bota eshte ne krize ndersa ti con letra a thua se ky fenomen eshte vetem ne Shqiperi.Mos u merr me OBSH por me ate miun e haleve qe eshte izoluar ne Surrel.Merru me faktin qe Shqiperia nuk ka kapacitete spitalore per te perballuar kete pandemi dhe kerkoji atij parazitit qe i thote vetes kryeminister te mendoje per nje plan me te detajuar ne rast se rritet numri i te infektuarve. Te shikoje mundesine e kthimit te hoteleve ne zona izolimi sic po bejne disa shtete. Ajo letra jote as ka per tu marre ne konsiderate e jo me te lexohet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *