• |
ide | kryesore

Kaos në Kosovë/ Qeveria shpall kufizimin e lëvizjes, Presidenti: Mos e zbatoni!

Lajme



Kriza politike në Kosovë është thelluar edhe më tej edhe pse vendi po kalon një situatë të vështirë për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në një vendim të marrë në orët e mbrëmjes, qeveria ka vendosur të ndalohet qarkullimi i makinave dhe qytetarëve nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Por Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka kundërshtuar këtë vendim. Ai u shpreh se vendimi i Qeverisë për kufizim të lëvizjes është në kundërshtim të Kushtetutës së vendit pasi kjo mund të bëhet vetëm nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij sonte kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën pasi vendimi për kufizimin e lëvizjes paraqet shmangie dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve të garantuara me kushtetutë” – tha Thaçi në një deklaratë për mediat të mbajtur në orët e mbrëmjes.

“Kufizimi mund të shpallet vetëm me shpalljen e lëvizjes së jashtëzakonshme dhe ajo nuk ekziston. Unë do të garantoj funksionimin e Kushtetutës dhe do ta kundërshtoj çdo institucion që shkel kushtetutën e vendit. As qeveria dhe asnjë institucion nuk ka të drejtë të shkelë kushtetutën. Janë shkelur në mori nenesh në marrjen e këtij vendimi.

Qytetarët nuk janë të detyruar të respektojnë këtë vendim. As policia dhe organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim të qeverisë sepse kështu bëjnë vepër penale, – tha Thaçi.

Ishte pikërisht çështja e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që pasoi në shkarkimin e Agim Veliut nga detyra e ministrit të Brendshëm nga kryeministri Albin Kurti. Më pas LDK bëri të ditur se ka mbledhur firmat për rrëzimin e qeverisë. Në Kosovë janë 30 të infektuar me koronavirus dhe është shënuar edhe 1 viktimë. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *