• |
ide | kryesore

Përfshihu në luftën kundër epidemisë, çfarë është platforma online “Heroi-im.al” (Intervista)

Lajme



Pandemia botërore e shkaktuar nga COVID-19 ka ndryshuar mënyrën e jetesës të gjithsecilit prej nesh. Prej ditësh jemi mbyllur në shtëpi me sytë nga lajmet dhe shpresën se shëndetësia do të arrijë të shpëtojë të gjithë personat e prekur. Ndërkohë, një kategori e veçantë njerëzish ndodhet në vijën e parë të luftës dhe çdo ditë punon me vetëmohim dhe sakrificë të tejskajshme për të siguruar që ne, ata që qëndrojmë në shtëpi, të mos prekemi nga virusi. Ata janë mijëra Doktorë, Infermierë dhe Personel Sanitar, të cilët po punojnë çdo ditë me orare të zgjatura, duke vënë shëndetin e tyre në rrezik për të na shpëtuar ne, pjesën tjetër të popullsisë. Secili prej tyre është familjar dhe ka përgjegjësi të tjera në jetë, të cilat i ka lënë pezull për të na ndihmuar. Kur ata lënë turnin, dyqanet janë të mbyllura; lëvizjet në rrugë janë të ndaluara. Në këto kushte është në dorën tonë të ndihmojmë sadopak ata dhe familjet e tyre.

Duke pare kete nevoje një grup vullnetarësh ka menduar të kontribuojë duke krijuar një platformë on-line, e cila synon të krijojë një rrjet vullnetarësh nga e gjithë Shqipëria, për t’i ardhur sadopak në ndihmë personelit shëndetësor dhe familjeve të tyre.

www.heroi-im.al është platforma on-line ku personat e interesuar regjistrohen si vullnetarë dhe ndihmojnë.

Platforma është e re, e hapur vetëm disa ditë më parë, por menjëherë ka gjetur mbështetje nga një numër i madh njerëzish. Brenda 24 oreve te para jane rregjistruar 50 vullnetarë dhe parashikohet  që numri të shtohet ndjeshëm në ditët në vijim kur nisma të promovohet mediatikisht.

Ne intervistuam Leonard Shytin, një nga të rinjtë që kanë themeluar këtë nismë.

Leonard, si lindi ideja e kësaj platforme dhe si mendoni se kjo platforme do te kontribuoje ne betejen kunder perhapjes se virusit Covid?

Ideja e platformës të vullnetarëve lindi natyrshëm gjatë bisedave me një grup miqsh. Ne pamë që ne vende të ndryshme të Europës njerëzit e thjeshtë ndihmojnë ata që janë në vijën e parë të luftës me virusin, personelin shëndetësor. Janë njerëzit e thjeshtë që ndihmojnë mjekë, infermierë, sanitarë etj dhe familjet e tyre. Në Angli, vetëm brenda 24 orëve, një platformë e tillë grumbulloi 405 mijë vullnetarë. Ne besojmë se edhe në vendin tonë ka njerëz të përgjegjshëm dhe që mbi të gjitha kanë mundësi të ndihmojnë. Ne mendojmë që gjëja më e rëndësishme është dëshira dhe vullneti, më pas gjenden mënyrat për të ndihmuar.

 “Platforma shërben për të lidhur njerëzit me njerëzit në nivel lokal dhe synon që të bëjë lidhjen direkte mes personit që dëshiron të ndihmojë dhe personelit shëndetësor. Mënyra e dhënies të ndihmës është e shumëllojshme, sipas mundësive personale të secilit. Mundësitë janë të shumta dhe në fund është në dorën e personelit shëndetësor nëse do i duhet ndihmë apo jo. Ne duhet të jemi gati që kur mjekët të kenë nevojë për ndihmë, të kemi një skemë funksionale në mënyrë që t’i vijmë në ndihmë”,- tha një nga administratorët e faqes. Ai shton se data-baza e vullnetarëve të regjistruar deri më tani i është dorëzuar ISHP, e cila nga ana e saj, fillimisht do t’ia vërë në dispozicion mjekëve të Spitalit Infektiv dhe në të ardhmen me shtimin e numrit të vullnetarëve edhe strukturave të tjera siptalore. Ne synojmë që deri në fund të javës tjetër të kemi një strukturë me mbi 1000 vullnetarë.

Po si funksionon kjo platformë?

Njerëzit e interesuar mjafton të shkojnë në adresën www.heroi-im.al dhe të regjistrohen si vullnetarë. Pasi regjistrimi të jetë i plotë, ne do të përcjellim të dhënat e tuaja institucioneve të cilat janë në frontin e parë të luftës me Koronavirus si Spitale apo Qendra shëndetësore,. Nëse ata kanë nevoje të përdorin ndihmën tuaj, do t’ju kontaktojnë direkt për detajet e mëtejshme.

Gjithashtu edhe mjeket, infermieret apo sanitaret qe kane nevoje mund te rregjistrohen ne platforme dhe ne mundesojme lidhjen me personat e duhur qe mund ti mbeshtesin dhe te plotesojne nevojat e tyre.

Si bëhet kjo lidhje?

Platforma shërben për të lidhur njerëzit me njerëzit në nivel lokal. Unë që banoj në Tiranë mund të ndihmoj një mjek që banon pranë meje, mund të ndihmoj një infermier. Ne synojmë që të krijojmë lidhjen direkte mes personit që dëshiron të ndihmojë dhe personelit shëndetësor. Pra për të bërë lidhjen mes njerëzve në këto kushte të vështira.

Nëse dikush ka dëshirë të ndihmojë, si mund ta bëjë?

Mënyra e dhënies të ndihmës është e shumëllojshme, sipas mundësive personale të secilit prej nesh. Ne mund t’i ndihmojmë duke bërë pazarin për ta. Dikush mund të kujdeset për fëmijët. Një tjetër mund të gatuajë dhe t’ia çojë në shtëpi familjes të një mjeku. Mundësitë janë të shumta. Oraret e karantinimit e bëjnë shumë të vështirë jetën për personelin shëndetësor. Kur do gjejnë kohë ata të bëjnë blerjet e përitshme, të gatuajnë, apo edhe të rregullojnë një pajisje elektronike të djegur në banesën e tyre. Ndoshta dikush ka nevojë t’i dërgojë ushqime prindërve, por e ka të pamundur për shkak të largësisë fizike dhe orareve të kufizuara të lëvizjes. Mënyrat për të ndihmuar janë të pa fund. Ne shqiptarët kemi treguar që dimë të jemi kreativë. E rëndësishme është të kuptojmë se dhjetëra mijëra ofrues të kujdesit shëndetësor rrezikojnë shëndetin e tyre pa i kushtuar vëmendje orës. Ata shpëtojnë jetë dhe e mbajnë vendin në funksionim. Ata janë vija e parë e luftës kundër virusit. Po ne çfarë bëjmë? Bëjmë gropë divanin dhe ankohemi që nuk kemi si të shtyjmë ditën? Duhet të ndihmojë sa të mundemi, vetëm të bashkuar mund t’ia dalim.

Ka ndonjë kriter për të qenë vullnetar?

Të gjithë mund të jemi vullnetarë, mjafton të respektojmë rregullat e vendosura nga institucionet shëndetësore për masat mbrojtëse dhe oraret e lëvizjes. Mund të  ndihmojnë fizikisht vetëm ata persona që janë vetë me shëndet të mirë dhe nuk i përkasin grupit në rrezik. Të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm për simptomat e koronavirus: temperaturë, ethe, lodhje, kollë e thatë, dhimbje të fytit.

Cilat jane objektivat tuaja?

Objektivi yne eshte qe per cdo personel te MSH qe eshte ne vijen e pare te frontit te atashojme 3-4 vullnetar ne prapavije ne menyre qe ti lehtesojme keta heronj  dhe familjet e tyre ne jeten e perditshme jashte spitalit. Pra ne synojme qe mijra njerez te thjeshte ti atashohen kesaj nisme.

Një pyetje e fundit që ne shqiptarët nuk e shmangim dot. Cili është përfitimi juaj nga kjo platformë?

E prisja një pyetje të tillë sepse ma kanë bërë të parët miqtë e mi. Ne nuk kemi asnjë përfitim nga kjo nismë, përkundrazi, kemi kosto. Me fondet tona dhe me miq e shokë ndërtuam platformën online dhe rakorduam detajet me institucionet përkatëse. Platforma nuk pranon ndihma apo donacione në para. Ndihmat do t’ia japin vetë vullnetarët personelit shëndetësor. Platforma bën lidhjen direkte mes vullnetarit dhe personelit shëndetësor që ka nevojë për ndihmë. Më pas është marrëdhënie personale mes tyre.

 

Vizito www.heroi-im.al

Bëhu VULLNETAR AKTIV!

Përfshihu  luftën kundër epidemisë!

Regjistrimi në këtë platformë është shumë i thjeshtë. Çdo person plotëson të dhënat e tij përmes formularit on-line dhe tregon se çfarë ndihme mund të ofroje. Lista i dërgohet çdo ditë ISHP dhe Institucionet e Kujdesit Shëndetësor apo strukturat e tjera nëse kanë nevojë të përdorin ndihmën e vullnetarëve i kontaktojnë ne vijim për detajet.

Kush mund të ndihmojë?

Të gjithë mund të ndihmojnë, por regjistrohuni vetëm nëse jeni të shëndetshëm dhe jo në grupin e rrezikut. Shërbimet tregtare janë të përjashtuara. 

E rëndësishme:

Ndihmoni të tjerët vetëm nëse jeni vetë me shëndet të mirë dhe nuk i përkisni grupit në rrezik. Jini të kujdesshëm për simptomat e koronavirus: temperaturë, ethe, lodhje, kollë e thatë, dhimbje të fytit. Respektoni masat dhe këshillat e qeverisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *