• |
ide | kryesore

Në Kinë bëri mrekulli, Europa nuk e lejon të hyjë ilaçin nga Kuba

F1, Planet



Në Kinë medikamenti kuban INFrec u ka ndihmuar pacientëve të infektuar nga Corona. Sipërmarrësi Georg Scheffer do ta importojë atë edhe në Gjermani, por nuk lejohet. Fokusi i tij është ndërkohë Spanja.

Në sfondin e ashpërsimit të krizës së Corona-s në Gjermani shumë janë në kërkim të mënyrave për të ndihmuar. “Ne e kemi ndjekur që në fillim me shqetësim zhvillimin dhe përhapjen e virusit”, thotë Georg Scheffer, drejtor ekzekutiv dhe pronar i Profümed, një sipërmarrje e nivelit të mesëm me rreth 150 të punësuar dhe dy qendra prodhimi në Saksoni dhe në Austri. “Shpejt na u bë e qartë, që duhet bërë diçka, për të shpëtuar jetë.”

Meqenëse një vaksinë nuk mund të prodhohet tani ose mjaftueshëm, Scheffer, i cili prej vitesh ka kontakte të mira biznesi me Kubën, do që të importojë medikamentin kuban Interferon alfa 2B (INFrec) për rreth 1000 pacientë në Gjermani. Ky medikament forcon sistemin e imunitetit dhe normalisht përdoret kundër etheve tropikale si dhe Hepatitit B dhe C. Në Kina ndër të tjera është përdorur edhe ky medikament kuban për trajtimin e pacientëve me Corona dhe ka pasur rezultate të mira.

“Çdo jetë, që mund të shpëtohet nga përdorimi i Interferon, ka vlerë, ndaj ne po përpiqemi të marrim licencën e importit. Nuk duam që në Gjermani të krijohet një Itali e dytë”, thotë Scheffer. Sipërmarrja e tij Profümed prodhon produkte mjekësore me bazë qelizore si tamponë, kompresa dhe shtresa krevatesh.

Kërkohet më kot licenca e importit

Sipërmarrja kubane BioCubaFarma i ka siguruar firmës Profümed, se do t’i përgatisë medikamentin INFrec për 500 deri në 1000 pacientë. Koha e furnizimit kërkon deri në 25 ditë. Për të realizuar porosinë, nevojitet licenca për importin nga autoriteti rregullator federal për importet në Gjermani. Kjo procedurë është e parashikuar edhe në ligjin gjerman për produktet mjekësore (AMG).

Georg Scheffer, drejtuesi i Prodümed nënshkruan një marrëveshje në Havanë, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar Tregtar, nëntor 2019

Qysh nga mesi i marsit Scheffer vendosi kontaktin me ministri të ndryshme dhe autoritetet e landeve. Nga Ministria e Ekonomisë i erdhi njoftimi, se e-mailin e tij ia kanë kaluar Ministrisë së Shëndetësisë. Scheffer vet i ka shkruar gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë. Por ende nuk ka marrë përgjigje.

Edhe një kërkesë drejtuar Ministrisë së shtetit për Çështjet Sociale në landin e Saksonisë ka mbetur pa përgjigje. Ndaj pyetjes drejtuar sektorit të marrëdhënieve me publikun në këtë ministri vjen përgjigja: “nëse do të importosh medikamente, duhet të provohet përmes dokumenteve përmbushja e normave të parashikuara në ligjin AMG (leja, personi adekuat, magazinimi etj.)” Gjithashtu për importimin e medikamenteve është përgjegjëse edhe drejtoria e landit të Saksonisë, një autoritet ministerial nën kompetencat e Ministrisë së Brendshme të Saksonisë.

Mungesë dokumentash

Një zëdhënës i Institutit për Medikamentet dhe Produktet Mjekësore (BfArM) në Bon pyetjes së DW i përgjigjet, “parakusht për nxjerrjen në shitje të një medikamenti është licenca nga autoritete përkatëse”. Për këtë duhet të paraqiten dokumentet nga një sipërmarrje farmaceutike, përmes së cilës të provohet siguria e cilësisë së medikamentit”.

Aktualisht nuk mund të bëhet deklarim për efektin e asnjë medikamenti ndaj COVID-19. Po ashtu edhe në tregun gjerman janë hedhur medikamente që përmbajnë përbërësin e Interferon alfa.

Në Japoni u eksperimentua edhe një mundësi për trajtimin e pacientëve Covid-19, medikamenti Favipiravir, që u përdor kundër gripit influenca

Eshtë e qartë, se INFrec nuk është zgjidhja për krizën Corona. Këtë e deklaroi edhe presidenti i BioCubaFarma, Eduardo Martínez, në mes të marsit, për të hedhur poshtë fjalët që qarkullonin në rrjetet sociale, sipas të cilave Kuba posedon ilaçin kundër pandemisë. “Interferon është një produkt për terapi, por jo një vaksinë”, shpjegoi ai në Havana.

Më mirë në Spanjë?

Scheffer megjithatë nuk do të tërhiqet. Plani i tij për të importuar medikamentin nga Kuba ka mbetur në vendnumëro, megjithatë ai nuk dorëzohet. “Nëse gjermanët nuk duan, unë do të furnizoj Spanjën.” Ndërkohë kam nisur negociatat, thotë ai.

Sipërmarrësi nga Saksonia ka përvojë në bizneset me Kubën. Profümed ka porosi nga Kuba për materiale bandazhesh në vlerën e miliona Eurove. Kontingjenti i porosisë për medikamentin Interferon do të ishte një lloj garancie pagese. “Kubanezët ishin të gatshëm të bashkëvepronin duke e llogaritur këtë furnizim si kompensim për pagesat që duhen shlyer”, thotë Scheffer.

Ndërkohë ai ka mjaft punë edhe në një tjetër sektor: tani është rritur kërkesa për maskat mbrojtëse, që mungojnë. Veçanërisht në sektorin e mjekësisë maskat janë kthyer në problem. Ndaj Scheffer përkohësisht e ka ndryshuar gamën e prodhimit në filialin e firmës së tij në Brand-Erbisdorf të Saksonisë. “Tani në fillim të prillit do të jenë gati maskat e para të prodhuara prej tij”, vë në dukje sipërmarrësi. /DW



1 Comment

  1. Si puna e atij ilacit kunder kancerit qe bente 150 euro nje shishe dhe nuk kishte asnje efekt..Mos tregoni perralla!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *