• |
ide | kryesore

“Beteja më e vështirë që kam përjetuar”: Lorik Cana, i izoluar në Romë, tregon bisedat me kuqezinjtë

F1, Sport



Lorik Cana është një emblemë e kombëtares shqiptare, edhe pas tërheqjes nga futbolli i luajtur dhe një prej lojtarëve më të dashur nga tifozët. Ish-kapiteni i 1000 betejave, ai që është përballur me situata nga më të ndryshmet, pranon se kjo që po kalon bota sot është më e pazakonta dhe më e vështira për tu luftuar. I izoluar në Romë, bashkë me familjen, Cana tregon për Lapsin përjetimin e tij të një pandemie që kërkon një sfidë krejt ndryshe nga sa është mësuar ish-numri 5: “Jo vetëm për mua, por për të gjithë është një situatë me të cilën nuk jemi mësuar dhe përballur asnjëherë – u shpreh Cana -. Të paktë prej nesh kanë përjetuar situata pandemia ku duhet të vetëizolohemi dhe të jemi të kujdesshëm. Është e vërtetë që kemi kaluar të gjithë sfidat tona, sfida në jetë, beteja në fushë ,por kjo është e vecantë dhe shumë e vështirë, sidomos për ata që kanë humbur njerëz, që janë të sëmurë, që duhet të sakrifikojnë gjithcka. Ka shumë që janë në situatë mbijetese kështu që shpresoj tia dalim mbanë sa më shpejt dhe të kthehemi në normalitet”.

Si një ish-futbollist profesionist në kampionatet e rëndësishme europiane, Cana e kupton fare mirë sa e vështirë është situata për lojtarët, që duhet të punojnë jo vetëm me fizikun por edhe mendjen. Duhet një sforco e të gjithëve, klubit përfshirë, për ti sjellë lojtarët në formë në pikën me kyce të sezonit, që nëse vazhdon, vendos gjithcka: “Është sigurisht për sportistë të nivelit të lartë të mësuar me aktivitete dhe stërvitje, kështu që një pauzë e tillë në këtë moment të corienton komplet mendërisht në radhë të parë, por edhe në aspektin fizik. Në verë kemi 3 javë pushim, ndërsa këtë herë është 2 muaj dhe izolimi në shtëpi për ata që nuk kanë mundësi të dalin shndërrohet në një vështirësi më të madhe. Kështu duhet stërvitje e kujdesshme për tu kthyer në formë”.

E duke qenë se debatet ndërtohen në dy skenarë të mundshëm: vazhdimi apo jo i kampionateve, Cana pozicionohet fort krah atyre që kërkojnë që sezon të shkojë deri në fund, për më tepër që kjo cështje është edhe financiare. Në Shqipëri situata është edhe më delikate, duke qenë se gjendja e klubeve është e brishtë: “Ne, duke qenë një vend i brishtë në aspektin financiar, ku lojtarët për muaj nuk paguhen, mund ta kemi më të rëndë situatën, gjë që e bën edhe më të vështirë kontrollin e klubeve ndaj lojtarëve – shpjegoi Cana -. Planet janë për tu mbyllur sezoni, por gjithcka lidhet me monitorimin e situatës dhe plotësismin e kushteve të sigurisë”.

Në Europë shkurtimet e pagave janë cështja kryesore për tu zgjidhur, me lojtarët që po akordohen me klubin. Loriku tregon se ka folur me disa nga lojtarët kuqezi e beson se nuk do të jetë problem për pjesën më të madhe të lojtarëve të kombëtares, për më tepër që ky është një moment nga ku mund të dalim vetëm duke qenë të bashkuar: “Jam dëgjuar me pak nga lojtarët e kombëtares që luajnë në klube të ndryshme – tregoi Cana -. Sigurisht që të gjitha ata që luajnë në kampionatet e rëndësishme europiane janë të ndërgjegjshëm për situatën dhe janë në komunikim me klubet për të gjetur një zgjidhje e për të vazhduar aktivitetin, duke mos mbetur peng i kësaj situatë që askush nuk e donte. Sigurisht që pjesa kryesore janë të vetëdisjshëm për nivelin që kanë e për arsyen se arrijnë të fitojnë financiarisht shumë dhe e kanë të qartë se duhet të sakrifikojnë. Ata janë shembuj për të tjerët dhe duhet ta tregojnë”.

Italia është vendi më i goditur nga koronavirus, një ‘termometër’ si e quan Cana. Është vështirë të shohësh një vend që e do të lëngojë ashtu si ndodhi me fqinjët e përtej Adriatikut, por ish-kapiteni nuk harron të mbajë pranë zemrës edhe Francën vendin që e promovoi në futbollin që ka rëndësi: “Këtu në Itali, jemi përballur me situatën bashkë me familjen në Romë, por jemi në ndjekje të lajmeve për të mësuar mbi situatatën. Jemi në kontakt edhe mbi atë cfarë po ndodh në Francë e Zvicër, por Italia shërben si termometër, duke qenë se masat i kanë filluar më herët se të tjerët dhe duke parë se nëse masat respektohen kur mund të rihapen disa aktivitetet dhe pastaj sa muaj do të duhen për një lëvizje pak më të lirë. Por ka për të qenë një betejë e gjatë dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë” përfundoi ish-kapiteni kuqezi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *