• |
ide | kryesore

Albin Kurti gaboi që i’u bashkua korit të vjetër të linçuesve

1, Ide



Në këtë kohë të trishtë pandemie, Kosova po bëhet teatër shfaqjesh të tjera të trishta që po nxjerrin në pah kufizime kulturore shqiptare, të cilat historikisht mbeten të pakapërcyera, si këtej dhe andej kufirit, duke na mbajtur larg vendeve ku ka cilësisht më tepër demokraci, liri, humanizëm, tolerancë, shtet të së drejtës, barazi përpara ligjit, ndarje të pushteteve e të tjera si këto. Janë kufizime që do t’i quaja paradoksale, pasi ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të braktisin në masë vendin e tyre për vendet demokratike, kulturalisht dhe gjuhësisht ngulmojnë të qëndrojnë në “vendin” e tyre (sepse, në fakt, është dhe kultura e gjuha jonë “vendi” ku banojmë realisht si qenie).

Shfaqja e parë ishte ajo e disa partive që u bashkuan me njëra-tjetrën – dhe me interesa të dyshimta lobesh serbo-amerikane – për të rrëzuar qeverinë Kurti në kohë pandemie. Historikisht kështu ka ndodhur deri tani: për interesin e vet të ngushtë, shqiptari bashkohet pa problem edhe me armikun e vet më të egër të djeshëm kundër armikut të sotëm, pa pyetur fare për pasojat e këtyre manovrave ndaj të tretëve. Kjo ka bërë që deri më sot shqiptarët të mos arrijnë të ndërtojnë diçka më shumë se një shtet personash që, me sy verbësinë e interesit të tyre, shkelin keq interesat e njerëzve që duhet të mirëqeverisin.

Para dy-tri ditësh pamë një dramë tjetër me disa akte që na shfaqi disa tipare të tjera të kufizimeve kulturore që na mbajnë te shteti i personave të keqqeverisjes. E kam fjalën për dramën me dy akte që u luajt kundër Shkëlzen Gashit, studiuesit, intelektualit, aktivistit të të drejtave të njeriut, që së fundi u thirr nga Albin Kurti në grupin e këshilltarëve të tij.

Akti i parë ishte thirrja e Shkëlzen Gashit nga Policia për veprën e kanosjes vetëm për shkak se në “Facebook”-un e tij kishte shkruar “do të rezistojmë”. Ndonëse ky incident u mbyll shpejt, ai flet shumë sa për kulturën e respektimit të fjalës së lirë në Kosovë, aq edhe për kulturën e një Policie e Prokurorie, e cila duhet të punojë për mbrojtjen dhe jo për dhunimin e saj. (Nuk ka nevojë të jap shembuj se si e njëjta kulturë sundon edhe në Shqipëri.)

* * *

Akti i dytë ishte ai që u zhvillua në televizionin “T7”, ku Gashi u ballafaqua me një gazetar, që dukej sikur të kishte dalë nga ndonjë shkollë hetuesie nga ato të diktaturës dhe jo nga shkollë gazetarie ku mësohet të mendosh si njeri i lirë. Gjatë gjithë intervistës, ky jo vetëm nuk shfaqi asnjë ndjenjë solidariteti për dhunimin e lirisë së shprehjes që i ishte bërë Gashit, por, përkundrazi, dukej sikur synonte të kryente hetimin që s’kishte arritur ta bënte Prokuroria. Objektivi i tij i vetëm ishte si ta demaskonte intelektualin që kishte pranuar të bëhej këshilltar i Kurtit, – në emër të interesave të atyre që rrëzuan qeverinë, – duke i nxjerrë sa më shumë prova “krimi”. Në fillim, “krimet” që shpalosi ishin disa deklarata të mëhershme të Gashit gjatë viteve ku kishte kritikuar Vetëvendosjen dhe Kurtin. Megjithëse Gashi e përsëriti disa herë se ai ka pasur edhe kritika, edhe mbështetje ndaj VV dhe Albin Kurtit, se ai nuk kishte shkuar atje si servil, por si këshilltar i Kryeministrit, se nuk ishte as anëtar i VV, por se, edhe sikur të ishte, kjo s’do të thotë se do të duhej të mendonte njëlloj si Kryetari për çdo gjë, gazetari nuk shfaqi asnjë ndjeshmëri ndaj këtyre pohimeve. Ideja se shqiptarët mund të rrinë bashkë në një parti apo qeveri pa qenë të gjithë ushtarë të kryetarit apo ideja se një këshilltar nuk thirret nga një lider për të shtuar numrin e ushtarëve, por për t’i dhënë atij mendime e këshilla në fusha ku këshilltari është më kompetent, u trajtua sikur hyri në atë studio, me gojën e Gashit, për të bërë diversion ndaj kulturës së besës së shqiptarit ndaj partisë dhe udhëheqësit të saj të madh. (E tepërt edhe këtu të jap shembuj, se në Shqipëri mbretëron po ky raport i liderit me anëtarët e partisë së tij.)

Por shfaqja nuk u mbyll këtu. Pasi mbaroi me “krimet” e Gashit ndaj Vetëvendosjes, gazetari filloi t’i nxjerrë atij disa “krime” edhe më të rënda: se ai paskësh shkruar e thënë se edhe shefat e UCK-së kanë bërë krime gjatë Luftës. Ndërkohë që Gashi i përgjigjej se këto gjëra nuk i ka thënë vetëm ai, por se ato vijnë nga burime organizatash serioze si Amnisty International apo Human Right Watch; se ne shqiptarët nuk duhet ta lexojmë librin e serbes Natasha Kandiç vetëm në kapitujt ku ajo flet për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, por edhe kur flet për krimet e kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve; se Kosova është i vetmi vend i ishJugosllavisë që nuk arriti të ngrejë Gjykatë të vetën të Krimeve të Luftës (për çka bota u detyrua të ngrejë Gjykatën Speciale në Hagë) e çka e ka ulur prestigjin e Kosovës ndër vite, gazetarit nuk i interesonin fare këto të vërteta të rëndësishme që duhet t’i bëjnë shqiptarët të reflektojnë. Ai ngulmonte t’i përçonte publikut idenë se kishte përballë një tradhtar të kombit.

Dhe duket se ai e bëri punën bukur mirë, pasi Gashin të nesërmen e linçuan nëpër media sociale duke e thirrur “antishqiptar”, “bir shkjau”, “qen bir qeni që duhet pushkatuar” etj.

Por drama nuk mbaron as me kaq. Akti tjetër i saj pati për protagonist Albin Kurtin vetë. Ndërkohë që unë si spektator i saj prisja që Albin Kurti të dilte në mbrojtje të Gashit, lexova të nesërmen një lajm se e kishte shkarkuar Gashin pasi konsideronte se: “Debatin, në të cilin është përfshirë, të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim”.

Dy janë interpretimet që e shpjegojnë këtë shkarkim. E para: Kurtin e ka shtyrë ta bëjë këtë kultura e atyre që linçuan Gashin, që duket se, në këtë rast, e ka të shtrirë edhe në partinë e tij; e dyta, se ai nuk e paska thirrur Gashin si këshilltar për kompetencat në fushën, me të cilën është marrë aq mirë (e që do t’i vlente edhe në negociatat me serbët), por për t’i dhënë këshilla.

Nuk di të them se sa në kulturën e masës që linçoi apo lejoi të linçohet Gashi qëndron frika atavike e shqiptarëve ndaj të fortëve, sa konformizmi i atyre që s’duan të shqetësojnë ndërgjegjen duke i bërë asaj pyetje të sikletshme dhe sa ai kufizimi i kulturës tribale të gjakmarrjes, që disa nuk i le të kuptojnë se krimet ndaj të pafajshmëve nuk kanë kombësi dhe se të justifikosh këto krime është të fyesh edhe viktimat e tua. Për mua janë të tria, por jam i bindur se shumica e shqiptarëve nuk i duan mujsharët që kryejnë krime ndaj të pafajshmëve, prandaj mendoj se janë mujsharët e të padrejtët dhe frika e konformizmi ndaj kulturës së tyre të dhunës, ajo që mbizotëron në këtë histori. Po a nuk erdhi Kurti me premtimin e një çlirimtari nga këta, e një emancipuesi nga kultura e tyre? E pra, me aktin e shkarkimit të Gashit, ai iu bashkua linçuesve, duke legjitimuar e përforcuar këtë kulturë. Dikush mund të ngulmojë se shkarkimi i Gashit i duhej për të mos humbur mbështetjen në betejat politike që e presin me kundërshtarët e tij shumë më të këqij. Nuk e di, ndoshta ai mund t’i fitojë kështu ato beteja për pushtet, por them se nuk është kjo fitorja e madhe që presim, por fitorja me kulturën që na mban nën thundrën e mujsharëve dhe injorantëve. Dhe për ta fituar atë, bota shqiptare ka nevojë për njerëz si Shkëlzen Gashi dhe jo për turmën e linçuesve të tij.

Panorama.al



12 Comments

  1. Kurti provoi te notoi n ujra te turbullta, faji i keshilltareve (te dobet) qe i ka. Tani eshte vone dhe pse shkarkimet do vazhdojne. Por Kurti ka mesuar, dhe pregaditet per zgjedhjet e ardhshme pas 4 vjete.

  2. Une nuk mund ta lincoj(po perdor fjalen e tij) Lubonjen,edhe per faktin qe ka marre mundimin dhe ka shkruajtur shpesh per Kosoven,apo edhe per Shqiperine.pavaresisht se ne me shume se 50% te rasteve kam qene gjithmone kunder qendrimeve te tij,jo qendrimeve politike, se sme intereson ke politikan shan apo ke mbron,por qendrimeve kombetare,kunder antiamerikanizmit te tij etj. Nuk pretendoj qe te behet nacionalist Lubonja se sben, por edhe kaq kozmopolitan,kaq evropian,edhe me evropian se vete evropianet, nuk shkon.ne fakt, le te jete si te doje, por meqe vete merr dhe shkruan nje artikull kaq te gjate kunder nje “lincimi”(qe shume mire qe iu be) Shkelzenit,atehere edhe Lubonja mos te ndjeke 2 standarde, e te na lincoje ne te tjereve qe kundershtuam Gashin. Ne shkrimin tend Fatos, ka edhe pak tendence per keqinformim, sepse arsyeja e vetme 100% se pse u sulmua Gashi eshte,deklarata e tij qe e njollos UCK,dhe aspak se paska kritiku dikur apo sot Kurtin.Nuk duhet te kete, e as sduhet te leme nje bir shqiptari,te pakten ne Kosove, qe te njollos luften e shenjte, te drejte, fisnike, te UCK. Ti ne dash na quaj,provincial,tribal,turme,kulturarisht te kufizuar etj etjc, apo si te duash, keto epitete s’duhet te na skuqin. Se sa tribal jemi ne shqiptaret,qofte ne Kosove por edhe ne Shqiperi, e tregon fakti qe pas gjithe atyre barbarive qe beri shkau i zi, ne nuk u hakmorrem, se po te hakmerreshim,nuk do jetonin akoma ne Kosove fatkeqesisht 143 000 serbe.E ti Lubonje bashke me Gashin, ne vend qe ta ngreme ne qiell faktin qe pas gjithe mizorive serbe, ne shqiptaret nuk u hakmorrem, ju e lartesoni faktin qe duhet te pranojme me zor(meqe fakte skemi-perjashto faktet imagjinare te Dik Martin), se paskemi bere krime?Pse te njollosemi me zor? Lubonja me shume nder ndaj njerezimit, jo vetem ndaj shqiptarizmit, do beje sikur te beje jo vetem nje artikull por te ngrije dhe nje iniciative qe akuzave te rrejshme(edhe sipas prokurorit perkates amerikan) qe ka bere Dik Martin(i sponsorizuar nga ruset),ndaj UCK,ne ti dergojme ne gjykate dhe te kerkojme demshperblim moral, por edhe material per familjaret e Shtepise se Verdhe ne Burrel, qe u rane ne qafe kot.Kete te bejme jo vetem si shqiptare, por edhe si aktiviste te shoqerise civile, dhe jo t’i nxjerrim serbet me zor viktima.Shkau i zi, nuk ka marre as 1% denim sa duhet te merrte,nga nderkombetaret jo e jo, por as nga ne shqiptaret (Spo them qe duhet t’i vrisnim civile, se ate shqiptari nuk e ka bere dhe as se ben kurre. Pa merak Z.Lubonja dhe SH.Gazhi!)

  3. Shqiptari nuk ka pas askend armik tjeter me te eger sesa vete Shqiptarin . Per interesa vetjake dhe meskine shesim gjithkend .

    1. Shqiptarët e Ndershëm nuk kanë pas armiq më të dëmshëm sesa (shqiptarët e shitur).
      Për interesa vetjake dhe meskine (këta…) shesin gjithkënd .

  4. Më së pari, nëse nisemi të analizojmë krimet e një lufte, duhet të vlerësojmë se cila palë është e rrjeshtuar në një luftë të drejtë për mbrojtjen e lirisë e cila palë bën një luftë të padrejtë pushtuese.
    Kur flasim p.sh. për Luftën Nacional Çlirimtare partizane kundër pushtuesve nazi-fashist, do të ishte idiotësi ta quanim ate një luftë të pa drejtë.
    Për anallogji edhe lufta e UÇK lundër pushtuesve serbë nuk ka sepse të njolloset njëlloj si agresori serb..
    Drejtësia ndërkombëtare pas përfundimit të luftërave çlirimtare, ndëshkon për krime lufte ushtritë e shteteve agresore e jo formacionet që luftojnë për çlirimin nga pushtuesit.
    Kjo është kryesorja që nuk duhet ta harojë asnjë analist apo publiçist, përfshirë z Lubonja.
    Pasi është përfunduar ndëshkimi i plotë i luftës së padrejtë pushtuese e janë ndëshkuar kriminelet e saj të luftës, shteti i çliruar, mund të bëjë edhe analizën e krimeve të bëra nga fraksionet politike mbrenda vendit.
    Në të dy historitë e luftërave çlirimtare të shqiptarëve, si në Shqipëri edhe Kosovë, veç luftës së drejtë kundër armikut të përbashkët pushtues, pati edhe elementë të dukshëm të luftës civile të nxitura nga ideollogjia komuniste. Viktima të shumta ka pasur edhe nga lufta e këtij lloji ndërmjet komunistëve e nacionalistëve e motivuar me luftën për pushtet.
    Fakti që partia komuniste shqiptare që ishte një krijesë e Lidhjes komuniste të Jugosllavisë, solli si pasojë që pas Luftës së dytë botërore, Shqipëria të kalonte në kampin komunist lindor duke i konsideruar si “vëllezër” , në fillim serbët e sllavët e jugut, më vonë rusët e në fund deri edhe kinetë me mijra kilometra larg, e si “armiq” të betuar nacionalistët, si në Shqipëri, ashtu edhe në viset shqiptare të pushtuar nga fqinjët.
    Pak a shumë kjo histori u përsërit edhe në Luftën për Çlirimin e Kosovës, ku pati ndarje të grupeve marksiste të afeksionuara nga figura e liderit diktator komunist Hoxha, e grupeve të nacionalistëve që deshën që shqiptarët ti afrohen perëndimit demokratik europian. apo euroatllantik.
    Pati në të dy luftërat, vrasje misterioze të krerëve të kësaj lufte, kryesisht për motive ideollogjike e cilido që kishte një mendim ndryshe nga komunistët, cilësohej “tradhëtar” e armik.
    Në Shqipërinë e pas Luftës së dytë botërore, ku u vendos një sistem diktatorial një partiak komunist, u shfarosën fizikisht të gjithë nacionalistët, e jo vetëm ata, por viktima pati edhe ndër ata komunistë që dyshoheshin për mendim ndryshe.
    Në Kosovë për fat, ishte perëndimi ai që mbështeti e u bë faktor i fitores së luftës çlirimtare, e Kosova nuk kaloi në një shtet diktatorial një partiak komunist, por e filloi ndërtimin e shtetit të pamvarur me një sitem demokratik pluralist. Por edhe në Kosovë si dikur në Shqipëri,pati shumë politikanë që abuzuan me meritat e luftës , për të bërë karrierë e për tu pasuruar në rrugë korruptive.
    E ka cekur edhe Lubonja shpesh këtë realitet në shkrimet e tij, por i ndikuar nga idetë e internacionalizmit socialist, ngatërohet shpesh për të njësuar njëlloj si agresorët pushtues serbë, me çlirimtarët shqiptarë, duke haruar se shqiptarët asnjëherë në historinë e tyre, nuk kanësulmuar për të pushtuar teritore të banuara nga popuj të tjerë.

  5. C’pret nga Kurti? Pertej veshjes estetike, Kurti flet gjuhen me primitive nder shqiptare. Duhet ta pranojme qe eshte autentik dhe nuk huazon gjuhen e te “forteve” dhe prandaj votohet,por kjo nuk do te thote qe ka ndonje superioritet ideor apo parimor. Per mendimin tim eshte krejt e kunderta, pasi ai qendron ne anen e kundert te cdo ideje qe mund te sillte zhvillim ne Kosove. Me vjen keq sepse mbeshtetja per kauzat e gabuara eshte nje shperdorim i talentit te madh retorik qe ka .

  6. Kulluri i kujton kryedemokratit se ajo opozita që “ulërinte” ka qeverisur për 13 vite dhe se oborri i selisë ishte gjithmonë i mbushur me demokratë. Gjithashtu ai përmend faktin se Partia Demokratike që ka drejtuar Berisha e ka futur atë në politikë dhe Basha sot e ka shkatërruar

  7. OBSH-ja del me deklarate shtypi vetëm një here në dite, ndersa PD-ja del në deklarata shtypi cdo një ore dhe për cdo gjë që lidhet me Covid 19.

    Asnje opozitë në botë nuk prodhon politikē nga Pandemija me përjashtim të Lulzim Bashës, Sali Berishës.
    Aq rëndë e kanë situatën sa po nxjerrin Albana Vokshin të flas për Covid çdo ditë.

  8. Merrni dosjet e Kuartetit te politikaneve shqiptar:
    1-Sali Berisha,krimineli numer NJE i Shqioerise,sebashku
    te birin e tij,autorin dhe aktorin e 430 milion te CEZ-it…
    2- ILIR Meten, alias Ilir Floririn, sebashku me familjen e ti,..
    3-Lulezim Bashen familharisht
    4- Edi Ramen,familjarisht ..,.
    Dhe mos u hallakatni si vaji ne lakra qe e beni jo pa qellim
    per te zhvendosur vemendjen tone ,qe megjithese perpiqe-
    ni nuk e zhvendosni dot, dhe fokusoheni ne keto 4 figura
    qe sundojne ne politiken shqiptare qe prej 30 vjetesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *