• |
ide | kryesore

Masakra e Mejës/ Si u shpërfillën provat e përfshirjes së oficerëve serbë në vrasjen e 400 kosovarëve

Dossier



Dëshmitë në gjykimet e Tribunalit të Hagës treguan se si dhjetëra oficerë të policisë dhe ushtrisë serbe ishin përfshirë në vrasjen e mbi 400 njerëzve në fshatrat Mejë e Korenicë në vitin 1999, por asnjë prej tyre nuk është akuzuar deri më tani.

Më 27 prill 1999, Lush Krasniqi dhe familja e tij e kaluan pothuajse gjithë ditën në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Ramoc të Gjakovës, derisa krismat e armëve nga fshatrat fqinje, Mejë e Korenicë, sa vinin e bëheshin më të mëdha.

Nga shtëpia e tyre në një kodër, ata panë poshtë shtëpitë që digjeshin. Në perëndim të diellit, një batalion i policisë ushtarake serbe rrethoi shtëpitë.

Sytë e Krasniqit mbushen me lot derisa flet për momentin kur ushtarët morën vëllezërit e tij Pashkun dhe Markun si dhe axhën e tij, Pjetrin.

“Ne të tjerëve na urdhëruan të largoheshim, duke na thënë të ndaleshim në pikën e kontrollit midis Mejës dhe Korenicës”, tha Krasniqi për BIRN në shtëpinë e tij në fshatin Ramoc.

Ndërsa muzgu po binte Krasniqi së bashku me pjesën tjetër të familjes dhe fqinjët e tij u nisën drejt pikës së kontrollit. Ata panë kufoma dhe shtëpi që digjeshin.

“Nga drita e flakëve, pamë ushtarë dhe policë në rrugë dhe rreth dhjetë persona të shtrirë në livadhin afër udhëkryqit (në Mejë)”, thotë ai.

Në pikën e kontrollit, ata u urdhëruan që t’i jepnin policisë të gjitha paratë dhe stolitë që kishin dhe të largoheshin për në Shqipëri.

“Më vonë e kuptuam se ne ishim të fundit që u dëbuam dhe anëtarët e familjes sime ishin të fundit që u vranë”, tha Krasniqi.

Sulmi i forcave serbe ndaj Mejës dhe Korenicës erdhi një muaj pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish Jugosllavi, që synonte t’i jep fund fushatës ushtarake të presidentit Sllobodan Millosheviq në Kosovë.

Ndërkohë që sulmet e NATO-s intensifikoheshin, e njëjta po ndodhte edhe me operacionet e ushtrisë e policisë serbe duke shtuar vrasjet dhe dëbimet e shqiptarëve .

Bazuar në verdiktet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në gjykimet kundër zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe policorë serb, vrasjet ishin pjesë e një operacioni ushtarak të quajtur “Reka”, ku ushtria jugosllave, policia dhe njësitë paraushtarake serbe vranë të paktën 377 civilë. Tridhjetë e gjashtë e viktimave ishin nën 18 vjeç. Mijëra njerëz u dëbuan për në Shqipëri dhe 13 persona ende llogariten të zhdukur.

Asnjë nga ata që u morën nuk i mbijetoi masakrës. Eshtrat e viktimave u gjetën më vonë në varreza masive në një qendër policore trajnimi në Batajnicë, në periferi të Beogradit.

Një dëshmitar i mbrojtur, oficer i policisë serbe ka thënë në tribunal të Hagës se familjarët e Lush Krasniqit u vranë të nesërmen menjëherë pasi iu dorëzuan policisë.

Oficeri ishte një nga shumë ushtarë dhe policë që dëshmuan në Gjykatën e Hagës, hapur ose anonimë, për shkallën e krimeve të kryera gjatë operacionit “Reka”.

Dokumentet ushtarake, ditarët dhe hartat e ushtrisë tregojnë gjithashtu se cilat njësi ishin Mejë dhe Korenicë me 27 dhe 28 prill dhe identifikojnë komandantët që dhanë urdhrat për vrasje.

Analiza që BIRN i ka bërë provave të Gjykatës së Hagës ka zbuluar se më shumë se 30 persona ishin të përfshirë ose kishin dijeni për vrasjet në këtë operacion – një nga masakrat më të mëdha të luftës në Kosovë , por nuk bëri asgjë për të ndëshkuar ata që kryen krimet.

Pavarësisht provave që ekzistojnë, asnjë prej tyre nuk është gjykuar për masakrën e Mejës. Që të gjithë janë ende të lirë dhe jetojnë në Serbi, Mal të Zi ose Slloveni.

Eshtrat e viktimave të masakrës u gjetën 15 vjet më vonë në varre masive në një qendër trajnimi në Batajnica, në periferi të Beogradit.

Hakmarrje për vrasjet e policëve serbë

Më 21 prill 1999, pothuajse një javë para masakrës, oficerët e policisë lokale Milutin Prasceviç, Ljubodrag Lazareviç, Boban Lazoviç dhe Naser Arifaj u vranë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në një rrugë afër Mejës.

Katër ditë pas vrasjes së policëve, njësi të ushtrisë jugosllave, policisë dhe njësitë e udhëhequra nga shefi paraushtarak famëkeq Zheljko Razhnjatoviç – Arkan rrethuan Mejën e Korenicën dhe disa fshatra të tjera.

Kjo u konfirmua nga provat e Gjykatës së Hagës – planet ushtarake, hartat, ditarët e ushtrisë, dëshmitë e dëshmitarëve të brendshëm dhe të mbijetuarve që njohën komandantët vendas.

Martin Pinishi, nga Meja, që dëshmoi për masakrën në Hagë në vitin 2006 tregoi se nga dritarja e shtëpisë së tij pa një numër të madh banorësh që vinin drejt Mejës pasi po largoheshin nga shtëpitë e tyre. “Në këtë kolonë, kishte njerëz nga 17 fshatra”, i tha ai Gjykatës së Hagës.

Pinishi tha se njerëzit u urdhëruan nga forcat serbe të jepnin letërnjoftimet, ndërsa policia ndau gratë dhe fëmijët nga burrat, që u detyruan të zbrisnin nga traktorët ose makinat e tyre dhe të shtriheshin me fytyrë përtokë.

Sipas Pinishit, komandanti që ndau burrat ishte një oficer policie vendas i quajtur Dragutin Stojanoviç, që njihej si Guta. Roli i Stojanoviçit, komandantit të rajonit të policisë në Ponoshec, u përshkrua gjithashtu në dy raporte të veçanta nga Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Human Rights Watch.

Disa nga dëshmitarët kryesorë që zbuluan detaje të operacionit në Hagës ishin të pjesëtarë të policisë e ushtrisë. Njëri prej tyre, Nikë Peraj, mbërriti në Mejë pasditen e 27 prillit, 1999. Në atë kohë, ai ishte një ushtar në Brigadën 52-të Raketore të Ushtrisë Jugosllave, e komanduar nga Millosh Djosan.

Peraj shpjegoi në një intervistë për BIRN se kur ai dhe tre oficerë të tjerë mbërritën në Mejë, ata panë kufomat e më shumë se 20 të rinjve të shpërndarë në një livadh.

“E ktheva njërin prej tyre. Ishte qëlluar nga një distancë e afërt dhe pashë që syri i kishte dalë nga vendi dhe i rrinte varur”, kujtoi ai.

Ish- oficeri i Ushtrisë Jugosllave Nike Peraj në shtëpinë e tij në fshatin Dalllashaj. Foto: BIRN.

Peraj tha se vuri re të shenja baruti në kokat e disa prej viktimave, e cila ai tha se nënkuptonte se “ata ishin qëlluar nga një distancë e afërt”.

Në deklaratën e tij për prokurorët në Hagë, Peraj identifikoi Dimitrije Rasoviçin, në atë kohë një inspektor me policinë e Gjakovës, si një nga policët që ai takoi në një pikë kontrolli në Mejë. Peraj tha gjithashtu se ai pa Milan Scepanoviçin, një tjetër inspektor policor të Gjakovës, në pikën e kontrollit, ku ai kishte “rreshtuar 12 burra pas një muri”.

Peraj më tej identifikoi Zdravko Vintar , shefin e Seksionit të Informacionit Publik të Brigadës së 52-të, si njeriun që në mbrëmjen e 27 prillit shkroi një raport për Ushtrinë Jugosllave ku thuhej se “74 terroristë janë vrarë në Korenicë dhe 68 në Mejë”.

Peraj u akuzoi të tre si përgjegjësit kryesorë për vrasjet.

“Nikola Micunoviç (i njohur ndryshe si Dragan), Millan Kotur dhe Millovan Kovaceviç janë personat kryesorë që janë përgjegjës për masakrën në Mejë dhe Korenicë. Ata e planifikuan dhe drejtuan gjithë operacionin”, ka thënë Peraj.

Nikolla Micunoviç ishte komandant i Detashmentit të 113-të të Ushtrisë Jugosllave, ndërsa Millovan Kovaceviç ishte shef i policisë së Gjakovës në atë kohë. Millan Kotur ishte shef i Këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave.

Hartë e operacioneve e paraqitur para Tribunalit të Hagës

Peraj ka thënë se disa ditë para masakrës, ai i foli me Micunoviçin, i cili “më tha se lugina e Rekës do të paguante një çmim shumë të lartë” për shkak të vrasjeve të pesë policëve serbë, njëri prej të cilëve ishte kumbari i Micunoviçit.

Peraj ka thënë se pas vrasjeve të policëve, pati një takim joformal në një shtëpi private në Gjakovë, pranë kazermave të Ushtrisë Jugosllave. Sipas Perajt, Nikola Micunoviç, Milovan Kovaceviç, Sergej Peroviç dhe Sreto Camoviç morën pjesë në takim, së bashku me njerëz të tjerë nga njësi të ndryshme që ai nuk i përmendi.

Sreto Camoviç ishte drejtues i departamentit të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme në Gjakovë.

I pranishëm ishte edhe Momir Stojanoviç, komandant i Njësisë së Sigurimit të Korpusit të Prishtinës. Në mbledhje, Peraj tha se kishte dëgjuar Stojanoviçin, i cili ishte një i afërm i njërit prej pesë policëve që u vranë nga UÇK-ja, të urdhëronte organizimin e një operacioni hakmarrës në të cilin të paktën “100 koka” do të eliminoheshin dhe “gjithçka do të digjej”.

“Operacioni u autorizua nga Nebojsa Pavkoviç, asokohe komandant i Ushtrisë së Tretë”, shtoi Peraj.

Ai pohoi se operacioni ishte planifikuar me kujdes në Beograd dhe kishte një synim të qartë: “Qëllimi kryesor ishte spastrimi etnik i kësaj pjese të Kosovës përmes dëbimeve në Shqipëri”, tha ai.

Pesë zyrtarë të lartë serbë u dënuan nga Tribunali i Hagës në 2014 për krime në Kosovë përfshirë vrasjet e Mejë –Nebojsa Pavkoviç, komandanti i Ushtrisë së Tretë, Vladimir Lazareviç, komandanti i Korpusit të Prishtinës, Dragoljub Ojdaniç, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, dhe Sreten Lukiç, shefi i shtabit të Ministrisë së Brendshme serbe i ngarkuar për Kosovë dhe zëvendës ministri i brendshëm, Vlastimir Gjorgjeviç.

Një vit më vonë, Interpol lëshoi ​​një fletarrest për 17 persona të dyshuar për krime të kryera në Mejë e Korenicë. Në listë ishin të dyshuarit tashmë të përmendur në dëshmi në Hagë – Dimitrije Rasoviç, Predrag Stojanoviç, Momir Stojanoviç, Nikola Micunoviç, Sreten Camoviç dhe Zhivko Vuksanoviç.

Megjithatë, emrat e 11 të dyshuarve të tjerë që u zbuluan për herë të parë nga Interpoli ishin :Muharem Ibraj, Miras Gegoviç, Momcillo Stijoviç, Dragan, Aleksandar Pekoviç, Misho Popoviç, Lazar Draskoviç, Zoran Mirkoviç dhe Momcillo, Milutin dhe Miladin Novakoviç.

Muharem Ibraj ka pohuar se ishte një oficer civil i sigurimit në fshatin e tij, ndërsa Llazar Drashkoviç dhe Predrag Stojanoviç ishin në një listë të anëtarëve të njësisë speciale të policisë në rajonin e policisë në Gjakovë në dy javët e para të majit 1999, që u tregua si provë në gjykimet në Hagë. Detajet rreth të tjerëve në listën e Interpolit mbeten të panjohura.

“Dukej sikur kishte rënë bomba atomike”

Eshtra dhe sende personale të viktimave nga Meja, Kosovë. Foto: Joanne Mariner / Human Rights Watch

Ushtarakët që dëshmuan vërtetuan se ngjarjet në Mejë dhe Korenicë ishin pjesë e një fushate më të gjerë spastrimi me qëllim dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.

Dëshmitari i koduar K-73 një polic ushtarak i Brigadës së 52 -të, në Hagë dëshmoi se në prill 1999, “komandanti i Brigadës së 52-të, Stevo Kopanja, mblodhi së bashku oficerët dhe dha udhëzimin që tani e tutje duhet të spastrojmë zonën e Gjakovës nga shqiptarët. Kopanja tha se të gjithë civilët shqiptarë duhet të ndalohen në Korenicë sepse pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme po i prisnin ata atje me një listë të emrave të terroristëve (pjesëtarëve të UÇK-së)”.

“Në atë kohë e kisha të qartë se kjo ishte vetëm sa për sy e faqe ngase i vetmi qëllim i operacionit ishte spastrimi i fshatrave. Nuk imagjinoja dot që një anëtar i UÇK-së të shkonte me dëshirë në Korenicë e të mos largohej para se të mbërrinin forcat tona”, kishte thënë dëshmitari K-73.

Ai konfirmoi se Brigada e 63-të, Parashutiste e ushtrisë dhe Njësia e Policisë Speciale morën pjesë në operacion.

Një polic ushtarak i koduar si dëshmitari K-90, ishte atje me Batalionin e Dytë të Brigadës së 549-të të Motorizuar.

“Pasi kishim urdhëruar një fshat të largohej brenda një ore, vendi dukej sikur të ishte goditur nga një bombë atomike. Ushtarë po plaçkitnin çdo gjë që nuk ishte djegur në fshat. Merrnin gjëra që nuk imagjinonin dot se mund t’i çonin në shtëpi në Serbi. Këtë nuk po e bënin të gjithë trupat, vetëm disa individë”, dëshmoi K-90.

K-90 konfirmoi se vrasja e pesë policëve ishte pretekst i sulmeve ndaj Mejës e Korenicës.

“Ky incident ishte katalizatori për një vendosje masive të policisë në këtë zonë. Disa ditë pas rreth 400 policë të tjerë arritën në Gjakovë me rreth 10 autobusë dhe një numër automjetesh civile. Ata ishin pjesëtarë të Policisë Speciale dhe Njësisë së Operacioneve Speciale, të ashtuquajtur Frenkijevci ”, tha K-90.

Zv/shef i Sigurimit Shtetëror Serb dhe komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale.

K-90 ishte gjithashtu në Mejë dhe Korenicë, ku ai u dërgua nga komandanti i tij, Vlatko Vukoviç, të cilit ai i raportoi vrasjet dhe dëbim e civilëve.

Peraj tha se rreth 4,000 personel nga Serbia morën pjesë në të gjithë operacionin, përfshirë anëtarët e njësisë paraushtarake të Zheljko Razhnjatoviç – Arkan.

“Komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviç, dhe nënkoloneli Goran Jeftoviç e koordinuan nga Gjakova këtë operacion “, tha Peraj.

Operacion “antiterroristë”, por që nuk kishte “terroristë”

Nga më shumë se 30 persona, që dyshohet të ishin përfshirë në vrasje dhe dëbime gjatë operacionit “Reka”, tetë prej tyre ishin dëshmitarë të mbrojtjes në gjykimet e Sllobodan Millosheviqit dhe vartësve të tij.

Ata mohuan që në Mejë e Korenicë të ishin kryer krime dhe thanë se operacioni “Reka” kishte për cak “forcat terroriste shqiptare”, një term përçmues për UÇK-në. Ata gjithashtu mohuan që civilët shqiptarë u detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Shumica mohuan se ata dhe njësitë e tyre të kishin qenë në atë kohë në këtë zonë. Gjithashtu shumë nga ata thanë se ata nuk panë apo vranë ndonjë “terrorist”, ndonëse disa thanë se kishin dëgjuar se UÇK-së sulmuan forcat serbe.

Komandanti i Brigadës 52-të të ushtrisë, Millosh Gjoshan, dëshmoi se të gjitha njësitë e tij luftarake ishin jashtë Gjakovës me 27 prill dhe se vetëm një njësi logjistike, e komanduar nga vartësi i tij, Zllatko Odak, ishte aty.

“Ushtarët dhe oficerët e mi nuk panë as edhe një terrorist”, tha Gjoshan.

Zllatko Odak në një deklaratë për Komisionin për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës të ushtrisë tha se njësia e tij “nuk u përfshi në asnjë luftim me Forcat Terroriste Shqiptare dhe nuk hasën në civilë”.

Vllatko Vukoviç, komandant i Brigadës së Dytë të Motorizuar të Brigadës 549, tha se ai ishte urdhëruar një ditë para masakrës nga Verolub Zhivkoviç, shefi i shtabit të Korpusit të Prishtinës, që të bllokonte zonën e Korenicës, “me qëllim parandalimin e tërheqjes përgjatë lumit Erenik, të forcave terroriste shqiptare, drejt Shqipërisë”.

Vukoviç pohoi në gjykatë se nga mëngjesi i 27 prillit grupet “terroriste qëlluan mbi forcat serbe në disa raste dhe se kishte kolona civilësh që largoheshin me dëshirë ngase asnjë ushtar nuk po i detyronte dhe nuk po ndante burrat nga të tjerët”.

Sasha Antiç, komandant i policisë ushtarake të Brigadës 52, tha se njësia e tij ishte dislokuar për “të parandaluar fluksin e terroristëve drejt kufirit” në mes të prillit 1999, por nuk u përfshi në asnjë operacion më 27 ose 28 prill.

Milan Kotur, Shefi i Këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës, dëshmoi se operacioni “Reka” u krye nga policia në Gjakovë me ndihmën e ushtrisë jugosllave “për të eliminuar terroristet”.

Megjithatë, ai tha se “nuk kishte rol në këtë.” Ai tha gjithashtu mohoi deklaratën e Perajt se ai, Nikolla Micunoviç dhe Millovan Kovaceviç “ishin përgjegjës për Mejën dhe Korenicën dhe se planifikuan gjithë operacionin”.

Momir Stojanoviç, që Peraj tha se urdhëroi që të eliminoheshin “100 koka” si hakmarrje për vrasjet e policëve, tha se kjo ishte “akuzë plotësisht e pasaktë”.

Ai tha gjithashtu në Hagë se ai nuk mori pjesë kurrë në takimin e pretenduar në ku ishte diskutuar ideja për operacionin në Mejë.

Sergej Peroviç, shefi i seksionit të sigurisë në Brigadën e 52-të të Raketore, për të cilin Peraj tha se ishte me të në Mejë më 27 prill kur pa kufomat e disa viktimave, këmbënguli që ai nuk hyri në fshat.

Peroviç gjithashtu mohoi që takimi në të cilin Stojanoviç pretendohet se kërkoi “100 kokë” të jetë mbajtur ndonjëherë.

Goran Jevtoviç, shefi i departamentit të operacioneve në postin komandues të Korpusit të Prishtinës, në Hagë tha se “nuk ishte në luginën ku u organizua operacioni”.

Pak të dyshuar janë hetuar, asnjë nuk u gjykua

Askush nga ata që u përmendën në deklaratat e dëshmitarëve në Hagë nuk është akuzuar ndonjëherë për përfshirje në masakrën në Mejës.

Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi nisi një hetim mbi rastin e Mejës, dhe fshatrave tjera. Nga katër personat që u morën në pyetje, njëri vdiq dhe hetimi për të tjerët u ndërpre në vitin 2019 “sepse nuk kishte prova të mjaftueshme për aktakuzat”.

Prokuroria nuk pranoi të përgjigjej për BIRN se kush ishte nën hetim, por mediat serbe raportuan se tre të dyshuarit ishin Momir Stojanoviç, Sreten Camoviç dhe Nikola Micunoviç.

Megjithatë, prokuroria serbe ka një çështje të hapur kundër autorëve deri më tani të panjohur për marrjen e trupave të pajetë të viktimave dhe rivarrosjen e tyre në Beograd.

Në vitin 2015, Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzoi Sahit Halitajn, një rom nga Kosova, për asistim në operacionin “Reka” dhe plaçkitje të shtëpive dhe kufomave të të vrarëve në pikën e kontrollit të Mejës. Por një vit më vonë, aktakuza u tërhoq.

Zyra e Prokurorisë Speciale e Kosovës nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të BIRN në lidhje nëse po e heton apo jo masakrën.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, që monitoron gjykimet e krimeve të luftës, tha se nga provat në dispozicion, shumë lehtë mund të hetohen kryerësit, bazuar në përgjegjësitë komandues.

“Të paktën 20 individë nga dhjetë njësi janë identifikuar, roli i të cilëve në këtë operacion duhet të hetohet”, tha Alija për BIRN.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë shenjë që ndonjë prej atyre që janë përmendur në dëshminë e tribunalit të Hagës, si të dyshuar në masakrën e Mejës mund të përfundojë në gjykatë.

Çfarë ndodhi me oficerët serbë?

Bozidar Deliç, komandanti i Brigadës së Motorizuar të 549-të të Ushtrisë Jugosllave, u largua nga ushtria dhe tani është deputet në parlamentin serb si anëtar i Partisë Radikale ultranacionaliste serbe, e drejtuar nga krimineli i dënuar i luftës, Vojisllav Sheshel.

Dragan Zhivanoviç, komandant i Brigadës së Motorizuar të 12 –të, u bë shefi i shtabit i Korpusit të Beogradit të ushtrisë serbe para se të dilte në pension në vitin 2006. Ai u hetua nga prokurorët serbë si i dyshuar për krime lufte, por nuk u akuzua kurrë. Zhivanoviç ndonjëherë shfaqet si i ftuar nëpër emisione në televizionet serbe për të folur në lidhje me Betejën e Koshares së vitit 1999 në Kosovë. Në 2018, ai ishte një folës në një aktivitet të Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me fillimin e xhirimit të një filmi rreth betejës së Koshares.

Millosh Djosan, komandant i Brigadës së 52-të Raketore, u bë gjeneral major dhe tani është në pension. Ai shkroi dy libra për luftën e Kosovës dhe shpesh ftohet nëpër televizione në Serbi.

Sasha Antiç, komandant i policisë ushtarake të Brigadës së 52-të, doli në pension në vitin 2002 për shkake shëndetësore.

Vlatko Vukoviç, komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës së Motorizuar 549, doli në pension në vitin2003.

Momir Stojanoviç, komandant i Sigurimit në Korpusin e Prishtinës, tani është një figurë e shquar politike në Serbi. Në vitin 2012 ai u bë deputet i Partisë Progresive Serbe që është në pushtet dhe ishte kryetar i Komisionit Parlamentar për kontrollin e shërbimeve të sigurisë. Ai u largua nga partia në vitin 2016 dhe tani drejton një grup të quajtur “Sinqerisht për Nishin” dhe shpesh shfaqet në televizione.

Millan Kotur, shef i këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës, doli në pension në vitin 2005.

Sergej Peroviç, shefi i seksionit të sigurisë në Brigadën e 52-të Raketore, vazhdoi të punonte në Agjencinë e Sigurisë Ushtarake të Serbisë.

Zdravko Vintar, kreu i Seksionit të Informacionit Publik të Brigadës së 52-të ka dalë në pension dhe jeton në Slloveni./BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *