• |
ide | kryesore

Jada tregon për vështirësitë e martesës me Will Smith

Paparazzi, Slider



Jada Pinkett Smith foli për mënyrën sesi koronavirusi ndikoi në marrëdhënien e saj me Will Smith. Rrëfimin e sinqertë Jada e bëri në emisionin e saj në Facebook, “Red Table Talk” teksa bisedonte me vajzën, Willow, dhe nënën, Adrienne Banfield Norris.

“Dua të jem e sinqertë. Një ndër gjërat që kam kuptuar është se nuk e njihja Will-in fare,” tha ajo (via People) për bashkëshortin me të cilin është e martuar prej 23 vitesh. Kur nëna e pyeti se pse ndihej në këtë mënyrë, Pinkett Smith tha: “Jeta është e ngarkuar dhe ti krijon këto histori në kokën tënde dhe më pas kapesh pas atyre historive dhe krijon një ide për partnerin, një ide që nuk ka lidhje me të.” Ajo shtoi se “po kalon në procesin e heqjes së të gjitha historive dhe ideve për Will” në mënyrë që të kuptojë më mirë bashkëshortin.

“Ky është intimiteti,” tha Jada. “Të jemi në gjendje të arrijmë te ajo çfarë janë të dashurit tanë përtej asaj që konceptojmë ne.” Pinkett Smith u shpreh se çifti po punon së bashku për të njohur njëri-tjetrin dhe po përpiqen të ndërtojnë një miqësi. “Gjëja që unë dhe Will po bëjmë tani është të qenurit miq. Jemi në një proces ku ai po mësohet të dojë veten, unë po mësohem të dua veten në mënyrë që të ndërtojmë një miqësi së bashku.”

Nuk është hera e parë që çifti Smith flet për rëndësinë e “zgjedhjeve dhe kënaqësive personale”. Në një nga videot e tij  të postuara në Facebook kohë më parë, Will Smith bëri një nga përkufizimet më të bukura që i është ndonjëherë martesës. “Unë dhe Jada po reflektonim për dashurinë. E pyeta se cila ishte gjëja e panjohur që kishte mësuar në lidhje me dashurinë. M’u përgjigj se ne s’jemi të aftë dhe s’kemi pse ta bëjmë një person të lumtur. E mendova që ishte një ide vërtet e thellë. Ti mund ta bësh një njeri të buzëqeshë apo të ndihet mirë, por nëse ai është i palumtur, kjo është një gjë krejtësisht jashtë kontrollit tënd. Më kujtohet dita kur hoqa dorë. I thasha Jada-s që unë po heq dorë nga përpjekja për të të bërë të lumtur. Kam nevojë që të jesh ti ajo që kujdesesh për lumturinë tënde. Më provo që mundesh. Dhe pasi na krisi në mendje kjo ide, filluam të mendonim lidhur me konceptin romantik të gabuar të dashurisë. Na është krijuar ideja se pas martesës ne bëhemi një, jemi një njeri i vetëm, por ajo që kuptuam unë dhe Jada ishte se ne s’jemi një. Jemi dy njerëz krejtësisht të ndryshëm, në rrugëtime krejt të ndryshme e kishim zgjedhur që rrugën ta bënim bashkë. Por lumturia e saj është përgjegjësi e saj dhe anasjelltas, lumturia ime është përgjegjësi e imja. E kështu ne vendosëm të ndiqnim ëndrrat tona dhe kënaqësitë personale krejt të vetëm, për të gjetur lumturinë e për të qenë të lumtur në martesë. Është e padrejtë ta lëmë lumturinë tonë në dorë të dikujt tjetër.” Will dhe Jada u njohën në vitin 1995 dhe u martuan 2 vite më vonë. Ata janë prindër të 2 fëmijëve, djalit Jaden dhe vajzës Willow. Smith ka edhe një djalë më të madh, Trey-n, nga martesa me Sheree Zampino (1992-1995)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *