• |
ide | kryesore

“100 fusha për revolucionin e futbollit dhe…Var”: Duka bën premtimin e madh në Asamble

-Instant, F1, Sport



Në kushtet më të pazakonte FSHF ka zhvilluar Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, e cila për herë të parë u mbajt online nëpërmjet video-konferencës duke përdorur platformën Microsoft Teams. Kjo Asamble u zhvillua në zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit të cilat ndodhen në Shtëpinë e Futbollit: “Kurrë më parë nuk ka ndodhur një gjë e tillë por falë zhvillimit të teknologjisë, ne jemi munduar për t’ju përafruar normalitetit, duke zhvilluar on-line, eventin më të rëndësishëm vjetor. Pasojat që solli epidemia e COVID-19, kanë qenë të rënda për të gjithë botën. Pandemia e shpallur, krijoi kufizime të shumta dhe ndaloi prej dy muajsh çdo aktivitet duke përfshirë edhe lojën tonë të dashur futbollin” ka thënë presidenti Armand Duka.

Duke kujtuar ngjarjet e jashtëzakonshme që e kanë vënë jo vetëm futbollin, por gjithë vendin në vështirësi, referuar tërmetit të 26 nëntorit dhe emergjencës koronavirus, Duka ka kujtuar arritjet e rëndëishme të FSHF-së: “Ndërtimi i stadiumit “Air Albania”, ishte një arritje e madhe. Impianti modern 22.000 vendësh, i cili ka qenë ëndrra e çdo shqiptari, tani është një objekt i cili është vënë në shërbim të komunitetit të futbollit duke i bërë ndeshjet më cilësore. Ai ka sjellë impakt edhe në shtimin e numrit të tifozëve, gjë që e ka bërë garën më interesante”. “Ndërkohë në Kukës, po ndërtohet në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare një stadium 7000 vendesh në vlerën e 6.5 milionë eurove. Niveli i këtij bashkëpunimi do të jetë në shifrat 50% me 50%. Stadiumi do të jetë i kategorisë 3, ku mund të luhen ndeshjet, deri në fazën e grupeve të Champions League. E lashë jo pa qëllim në fund, një investim të madh të FSHF, “Shtëpinë e Futbollit”. Sot, kjo Asamble organizohet dhe drejtohet nga selia e re e FSHF. Do të kishim shumë dëshirë që ti zhvillonim punimet e saj në sallën e ndërtuar për këtë qëllim por kushtet e pandemisë nuk na lejonin një gjë të tillë. Stafi dhe e gjithë administrata e FSHF, tashmë kanë nisur punën nga kjo seli moderne e cila do të përfshijë brenda saj, dy ministadiume futbolli me nga 500 vende. Gjithashtu do të ketë edhe qendër rehabilituese moderne, ndërkohë që do të nisë edhe ndërtimi i një hoteli për ekipet kombëtare. Ky investim kap shumë e 9.5 milionë Eurove” ka deklaruar Duka.

Investimet nuk do të ndalin me kaq: “’kali i betejës’ për ne, është projekti për ndërtimin e 100 fushave në të gjithë Shqipërinë i cili do të sjellë një ndryshim rrënjësor të infrastrukturës dhe do ta përmirësojë ndjeshëm atë. Ky mund të quhet pa frikë një “revolucion” që do të ndikojë drejtëpërdrejtë në rritjen e cilësisë së stërvitjes dhe lojës. Ai do të sjellë përmirësime të prekshme dhe të ndjeshme nga i gjithë komuniteti i futbollit, veçanërisht nga moshat të cilat janë një tjetër prioritet i yni” ka theksuar numri 1 i futbollit, duke i hapur rrugën edhe teknologjisë për të qenë edhe Shqipëria në standardet europiane.”Ne po studiojmë mundësinë e përdorimit të sistemit VAR në Shqipëri, i cili përveçse një sfidë për ne, do të rrisë besimin dhe minimizojë gabimet e mundshme gjatë lojës”.

Sipas presidentit prioritete të tjera të futbollit do të jenë: 1. Futbolli i femrave. 2. Zhvillimi i futbollit të fëmijëve. 3. Kriteret e liçensimit.
“Zhvillimi i futbollit të femrave në Shqipëri, tani ka një projekt ambicioz që synon në këtë periudhë, të zhvillojë futbollin në klube. Pra klubet të organizojnë skuadrat e tyre të femrave. Pas dy vjetësh, çdo klub që merr pjesë në garë, do të ketë si kusht të ketë edhe ekip femrash. Këtë projekt do ta iniciojmë dhe mbështesim fort, me të gjitha mënyrat, fusha, bazë materiale dhe lekë etj. Zhvillimi i futbollit të fëmijëve, ku synojmë jo vetëm rritjen e numrit të tyre por edhe përmirësimi i mënyrës së stërvitjes, organizmit. Kjo do të arrihet nëpërmjet kushteve që do të vemë në licensim, për ta. Me vendim të Komitetit Ekzekutiv, është rritur kompesimi për moshën e edukimit. Kjo do ti japë një shtysë të mëtejshme rritjes së talenteve në vend dhe përmirësojë këtë proçes.
Licensimi është mjeti kryesor për realizimin e objektivave. Kriteret janë ndryshuar e përmirësuar për klubet profesioniste, amatore, femra e meshkuj dhe ky proçes do të ndahet në dy faza: Atë të liçensimit nga atë të regjistrimit. Liçensimi për në kategegorinë Superiore do të jetë i njëjtë, si për në Kupat e Europës. Realizimi i tyre do të ndiqet nga Departamenti përkatës, ndërkohë që për të kontrolluar drejtëpërdrejtë ekipet do të ngrihet TASK FORCE në të gjitha rajonet.

Në fund, një falenderim ka shkuar për mjekët, infermierëve dhe gjithë stafin mjekësor, “për sakrificat e mëdha dhe punën e tyre të palodhur”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *