• |
ide | kryesore

“Nuk qurravitemi për të shpëtuar”: Flamurtari dhe tre klube të tjerë kundër rifillimit të futbollit

-Instant, F1, Sport



“Qeveria sigurisht që merr masat e saj në këtë situatë. Federata do patjetër që të jetë e para tek UEFA, por të parët që ndëshkohemi jemi ne”. Ka qenë i drejtpërdrejtë Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, në kundërshtimin e nisjes së kampionatit, duke u pozicionuar ndaj tentativës së Federatës Shqiptare të Futbollit për të rinisur sa më shpejt futbollin, për ti dhënë fund emergjencës koronavirus. Institucioni i futbollit është në garë me kohën, duke shtyrë edhe autoritetet shëndetësore të japin aprovimin, por sic duke më parë duhet të fitojnë besimin brenda komunitetit të tyre me të paktën katër klube kundër rinisjes së kompeticionit: “Në datën 18 maj vijnë këtu, tre muaj kanë qëndruar në shtëpi, të vijnë një ditë të bukur të luajnë futboll” ka ironizuar Idrizi.

“Nëse të vjen dikush këtu në Vlorë dhe sëmuret, del pozitiv nga testi i tij. Nëse ai do të pretendojë që këtë sëmundje e ka marrë në Vlorë, do të jemi ne ata që ndëshkohemi, penalisht e materialisht. Pastaj është e vështirë që të gjesh nga një makinë për çdo lojtar për ta çuar në fushën e stërvitjes, është vështirë të gjejmë nga një hotel me nga një dhomë për secilin, është vështirë që të gjejmë një restorant të hapur që mund t’i plotësojë kushtet”, shpjegoi administratori i Flamurtarit. Por në fakt klubet që mbështesin këtë tezë janë më shumë. Kukësi nën kampion i vendit është gjithashtu kundër, i frikësuar nga kushtet që do të duhet të përballojë, në rast se futbolli rinis. Edhe Luftëtari është gati të pranojë kapitullimin pa kushte, duke firmosur për verdikte në bazë të renditjes aktuale, gjë e cila e fundos në Kategorinë e Parë klubin gjirokastrit.

Kjo ndoshta mund të ndodhte edhe me skenarin tjetër, atë të futbollit të luajtur, ose ekziston edhe varianti tjetër konspirativ, që klubet që rrezikojnë rënien janë të gatshëm të rrezikojnë, për të patur një shans në ngrirjen e rrëzimeve nga Kategoria, duke e bërë sezonin e ardhshëm me 12 skuadra Superioren. Megjithatë, Idrizi mundohet të saktësojë se qendrimi i tij nuk lidhet me këtë fakt: “Nuk ka kuptim që të luajmë në qershor apo në korrik. Ne jemi të fundit, nuk kemi asnjë pretendim. Do të thotë që nëse ne kemi humbur në fushë, gjithë këtë kampionat kemi bërë një gjë të shëmtuar, nuk kemi pse të kërkojmë tani të qurravitemi dhe të tjera si këto që të fitojmë diçka nga tavolina. Ajo kërkesa jonë për ta bërë kampionatin me 14 ekipe nuk është për këtë vit, është për vitin tjetër. Do të ishte një qëndrim që nuk është i merituar”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *