• |
ide | kryesore

Artistët që vuanin nga sëmundjet mendore

-Instant, Paparazzi, Slider



Piktori Vincent Van Gogh është shumë i njohur për veprat e tij si edhe për një aspekt të veçantë të jetës së tij personale. Historia e prerjes së veshit pas një zënke me mikun e tij piktorin francez Paul Gauguin, është një nga më populloret në historinë e artit. Supozohet të ketë ndodhur në dimrin e 1888. Pas këtij incidenti, me reputacionin e një artisti të çmendur Van Gogh u shtrua në spital psikiatrik.

Artisti post-impresionist kaloi disa kohë në klinika psikiatrike. Atje ai realizoi shumë nga auto-portretet e tij si dhe të famshmen “Starry Night”. Thuhet se tabloja paraqet pamjen që piktori shihte nga dritarja e dhomës së spitalit. Përveç ankthit dhe depresionit, artisti vuante nga epilepsia. Disa ekspertë besojnë se Van Gog vuante nga ksantofilia-dhe ky faktor ka ndikuar në artin e tij, meqënëse në piktura dallohet ngjyra e verdhë tej mase. Shumë artistë të tjerë kanë patur probleme të ngjashme. Në këtë shkrim do të njiheni edhe me disa të tjerë të famshëm, sëmundja mendore e të cilëve ka lënë gjurmë në artin e tyre.

Louis Wain (1860-1939)

Louis Wain, ilustruesi anglez lindi në 1860 dhe u bë shumë i famshëm prej ilustrimeve të maceve  antropomorfike.  Macet me sy të mëdhenj, të vendosura në situata sociale si në tryeza lojërash apo takime dashurie. Artisti filloi t’i vizatonte këto mace për të kënaqur gruan e tij.  Fatkeqësisht, shumë shpejt pas martese, gruaja vdiq prej kancerit. Për shkak të kësaj humbje, artisti u zhyt në depresion të thellë.

Në moshën 57-vjeçare ai u diagnostikua me skizofreni, një çrregullim që ndikon jo vetëm mënyrën e të menduarit të personit por edhe sjelljen e tij. Wain filloi të shfaqej agresiv, prandaj 15 vitet e fundit të jetës i kaloi në spital psikiatrik. Por jo vetëm personaliteti i tij u ndikua nga sëmundja, gjithashtu edhe arti i Wain, i cili filloi të mos i ngjante fare stilit të tij të dikurshëm. Macet e tij, dikur të ëmbla e të buzëqeshura, filluan të ktheheshin në figura gjeometrike dhe shumëngjyrëshe. Shumë prej këtyre koteleve lindën kur Wain ishte i shtruar në Spitalin Napsbury aty ku edhe ai vdiq.

Edvard Munch (1863-1944)

“Nuk e heq dot qafe sëmundjen time, prandaj shumë prej veprave të mia ekzistojnë për këtë arsye”- shkruante piktori norvegjez, një ndër më kryesorët e ekspresionizmit  Edvard Munch, i famshëm për “Britmën”. Historia familjare e Munch ka qenë një predispozitë për shëndetin mendor të  piktorit. E ëma dhe një nga motrat e tij vdiqën nga tuberkulozi kur Munch ishte fare i ri. I ati vuante prej depresionit dhe motra tjetër u diagnostikua me skizofreni.

Edhe Munch nuk mbeti pa gjë. Ai kaloi një krizë nervore në 1908, që u rëndua më tej prej alkoolit duke bërë që të shtrohej në një klinikë të shëndetit mendor në Danimarkë. Përveç këtyre problemeve, piktorit iu shtua edhe një tjetër telash. Në 1937, punimet e tij u konfiskuan nga qeveria e Hitllerit për ekspozitën që diktatori e titulloi “Arti i degjeneruar”.  Munch në kohën që shkroi se “sëmundja, çmenduria dhe vdekja janë 3 engjëjt e zinj që ruajnë folenë time”, u diagnostikua me “neurasthenia”, një gjendje klinike e shoqëruar me histeri dhe hipokondri. Punët e tij u karakterizuan nga figura ku ndjesia e dëshpërimit dhe ankthit ishin të dukshme. Edhe ngjyrat në kompozimet e tij e reflektojnë pa dyshim gjendjen e tij mendore.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *