• |
ide | kryesore

Analogjia e hidhur e Aurel Plasarit mes Teatrit dhe kishës që i vunë dinamit komunistët

-Instant, Blog



1500 LEKË KUJTESË HISTORIKE

Në debatet për mbrojtjen dhe ruajtjen e ndërtesës kulturore shumëfish historike, në të cilën funksionojnë sot “Teatri Kombëtar” dhe “Teatri Eksperimental”, kam ngulmuar më se një herë që t’i shkohet krimit në zanafillë. Të merremi me përgjegjësit që e hoqën atë ndërtesë nga listat e monumenteve të kulturës, të cilat mbrohen nga shteti. Përpos mirëkuptimit nga dy ose tre kolegë të nderuar, kam ndeshur në një skepticizëm zhgënjyes.

Po ashtu jam bezdisur kur shikoja që beteja thjeshtohej te “si u tenderua”, “sa u tenderua”, “kush fiton më shumë”, “kush zhvat tokën”, “sa fut në xhep ky”, “sa fut në xhep ai”. Mbi 12 herë mund të kem shkruar për nevojën e ruajtjes dhe mbrojtjes së asaj ndërtese kulturore shumëfish historike pa u marrë me shifra dhe xhepa. Nëse dokumente hedhin dritë mbi cilëndo forcë politike që është përgjegjëse për nxjerrjen nga lista e monumenteve të kulturës, pra nga mbrojtja shtetërore e monumentit në fjalë – po e përsëris: të shpallur tanimë me vlerë kulturore europiane, – asaj force do t’i llogaritet përgjegjësia historike e krimit.

Kur në një intervistë të 9 qershorit 2019 më ka pas pyetur z. Krasta nëse do të bëheshin dot zgjedhje më 30 qershor, ndryshe nga të ftuar të tjerë i kam qenë përgjigjur “po”. E mbani mend? Dhe nuk ma vunë veshin. Të tjerët bënin be e rrufe që ato zgjedhje nuk do të bëheshin kurrën e kurrës. Jam përgjigjur që Edi Rama “i bën” dhe kam shpjeguar edhe se përse Edi Rama “i bën”. Siç i bëri.

Dhe “i bën” të gjitha sepse qeveris në Shqipëri, ku edhe rrënimi i monumenteve historike është punë e lehtë, në kuptimin që nuk kërkon ndonjë farë guximi a trimërie. Është ves që qeveritarëve rrënimtarë ua ka lënë lija. Janë rrënuar në Shqipëri deri edhe monumente ndër më të rrallat të Mesjetës arbërore. Edhe duke qenë të përfshira në listat e monumenteve të kulturës, pra që mbroheshin nga “shteti”, ndërsa prisheshin po nga “shteti”. Si për të përmbushur ndezullinë e rrënimtarëve xhahilë, është bërë kujdes edhe që të regjistroheshin në pelikulë. Mund ta shohim të regjistruar krejt ngjashëm, në suport elektromagnetik, edhe kryerjen e krimit të ri.

Shfletoni historinë dhe hapni faqen e zezë të rrënimit të kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, asaj ngrehine të rrallë të kultit të shek. XIII, të vlerësuar nga specialistët për arkitekturën gotiko-romanike etj. Për të thoshte legjenda – jo Barleti – që aty pati vënë kurorë vetë Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Rrënimtarët shtetërorë e hodhën në erë me dinamit, ndonëse ajo ishte e përfshirë në listën e monumenteve të kulturës që mbroheshin nga “shteti”. Nëse nuk ia dini historikun, shfletoni dhe lexojeni diku.

Dhe ngushëllohuni që e kemi ruajtur të stampuar si “souvenir” në kartëmonedhën 1000-lekëshe të Bankës sonë Kombëtare, emision i vitit 1996 dhe rishtypje e viteve 2001, 2007 etj. Pra mund të duhen pritur disa vite për ta pasur, të stampuar në një kartëmonedhë të ngjashme, edhe ndërtesën kulturore shumëfish historike – këtë që pret rrënimtarët – në mënyrë që të mburremi me çfarë na ishte një herë.

Aucune description de photo disponible.

Një hollësi më shumë, meqë kujtova historikun e rrënimit të Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Nuk ka mbetur vetëm stampimi i saj në 1000-lekëshin bashkëkohor. Së paku një arkitekt, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, edhe nën regjimin diktatorial guxoi të dorëzonte në prokurori një padi kundër atij rrënimi kriminal, pavarësisht se asaj padie nuk iu vu veshi. Quhej Gani Strazimiri. Në historinë e betejave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike të shqiptarëve ka mbetur i regjistruar edhe akti i tij vetmitar.

Marre nga facebook i autorit. Titulli Origjinal: “1500 LEKË KUJTESË HISTORIKE”



1 Comment

  1. Po me plas shpirti!
    Shoh nje popull te gozhduar pas bukes se perditshme, te karantinuar nga frika,te neperkembur nga e drejta, te shfrytezuar ne palc per nje qope buke.
    Shoh nje popull te mpire nga kujtesa ,te demoralizuar nga demokracia e shitur !
    Shoh nje Shqiperi te bere cope ne pasurite e saj te grabitura .
    Shoh nje toke te perdhunuar ne virgjerine e saj natyrore.
    Shoh burime te dhunuara.Njerez qe perndicen kur thone te vertetat.Shoh fjalen e lire qe burgoset me gjoba e mbyllje,shoh njerez ne Insitucionet e te burgosurve e internuarve qe sapo thone te vertetat largohen.Gjithkund vetem njerez te c,moralzuar , te rame pertoke nga nytesia por te patinuar nga pamja ,pa rudha me nderhyrje trupi , fytyre sikur trupi i tyre te mos ishte ne dinjitetin e Zotit!
    Kudo ku merret nje rroge perfitim ka vetem njerez te pamoral,indiferente,qylgji,te pa ze .Vetem per te bere show jane te paret Kemi makina luksi ne njerez panjerezi, dyqane luksi per te nenshtruarat e te pispillosurat dhe lista pa fund per buken e perditshme.
    Shoh Kosoven martire te marre mendsh nga te njejtet qe skane as fe as atdhe.,por lekun kane padron .
    Me dhemb shpirti per Herojt e Teatrit Kombetar per sakrificen e tyre te jashtzakonshme , te gjate per te mbrojtur at pak dinjitet qe ka mbetur ne kete vend .Shoh nje polici e administrate sherbetore te nje njeriu qe s,i ka mbet gja tjeter prej njeriu,vec satrap i popullit te tij , qe s,ka kurgja te perbashket me popullin e tij.
    Ai ka tradhetuar cdo interes kombetar.
    Shoh te gjith perfaqesuesit e shteteve e te Europes qe heshtin e bejne sehir e kur populli don te ngrihet per te rrezuar kete sistem mafioz kriminal na thot jeni jashte rregullave demokratike.E per gjemen qe ben Edi Rama me banden e tij e ata qe rrine prapa tij ne fshehtesi, heshtin!
    Ku je ambasadore e Amerikes ku je me fjalet qe iu drejtove popullit shqiptar ku je Amerike,ku je Europe ? A nuk po shihni , a nuk po degjoni se c,behet ne Shqiperi .Ky bandit ben cfare te doje me shqiptaret e pasurite e Shqiperise sikur te ishin te nenes e ju heshtni e nuk nderhyni! A mos jeni armiqte e maskuar te Shqiperise e Kosoves?!
    S,kam kujt t,i drejtohem mbi kete dhe !
    Dhimbjen time te pamate po ta drejtoj ty o Hyj!
    Po me plas shpirti!
    Kerkoj DREJTESINE TENDE!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *