• |
ide | kryesore

Vizitat shtohen, por numri i mjekëve bie në shërbimin parësor

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Barra më e lartë e sëmundjeve, plakja e popullsisë dhe ndërgjegjësimi për tu kujdesur për vetën e kanë rritur ndjeshëm numrin e vizitave në shërbimin parësor të sektorit të shëndetësisë, edhe pse numri i popullsisë në Shqipëri po vjen në rënie.

Instituti i Statistikës raportoi se gjatë vitit të kaluar shërbimi parësor në vend realizoi 6 milionë e 733 mijë vizita, ose 64 mijë vizita më shumë se në vitin 2018.


Teksa numri i vizitave pësoi një rritje me 1 për qind, numri i mjekëve nga ana tjetër pësoi një ulje të ndjeshme me 1,5 për qind. Në vitin 2019 në shërbimin parësor shërbyen 1787 mjekë, nga 1814 që shërbyen në vitin 2018. Siç shihet nga të dhënat ngarkesa e stafit mjekësor ka ardhur në rritje gjatë vitit të kaluar, teksa edhe më parë kjo ngarkesë ka qenë e lartë në krahasim me mesataren rajonale dhe atë Europiane.

Situata rezultoi disi më e përmirësuar me numrin e infermierëve. Numri i tyre në shërbimin parësor ka një rritje prej 2,6 %,

Në shërbimin parësor shërbyen 6 mijë e 958 infermiere, nga 6 mijë e 758 infermiere që ishin në vitin 2018.

Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria në vitin 2017 kishte numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon me 1,2 mjekë për banorë. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.

Sipas një raporti të qeverisë shqiptare në lidhje me emigracionin, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor: Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu