• |
ide | kryesore

FSHF bën plane për hapjen, por heshtja e Shtetit tregon se rinisja do të… shtyhet

-Instant, F1, Sport



Kampionatet kombëtare për grupmoshat U-15, U-17 dhe U-19 do të rifillojnë në datën 14 qershor. Ky është vendimi që FSHF arriti me drejtuesit e akademive të ndryshme të futbollit shqiptar duke miratuar propozimin e dytë për zhvillimin e 2 ndeshjeve të mbetura nga faza e dytë dhe pjesa tjetër me fazë eliminimi. Duket se futbolli po mendon për rifillimin, por në fakt gjërat nuk janë edhe kaq të sigurta. Superioria duhet të rifillonte në 3 qershor dhe dukej një datë kaq e sigurtë sa askush nuk kishte menduar që gjërat mund të shtyheshin. E në fakt, pikërisht drejt kësaj po shkohet, sepse nga data e menduar mungojnë vetëm 9 ditë dhe nga autoritetet shëndetësore nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Në FSHF, sipas asaj që filtron, nuk kanë një plan alternativ, edhe pse tani duhet të fillojnë të mendojnë për datën e re, që do të kërkojë gjithashtu kalendar të ri, sepse klubet nuk mund të lajmërohen tre katër ditë para ndeshjes, se kampionati do të rifillojë. Nuk është etike e as profesionale. Të gjithë ata që merren me këtë punë, kanë një program të ndërtuar, që duhet ridizenjuar nëse 3 qershori shtyhet. Por këtë nuk po e merr askush para sysh, nga shteti sidomos.

Federata pret përgjigjen dhe mendon hapjen e kampionateve të moshave: është e drejtë të mendojë kështu, por në anën tjetër koha po i shtrëngon drejt një shtyrje të Superiores, sepse ajo data 3 nuk duket më kaq e sigurtë…

KOMUNIKATA E FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtuesit e akademive dhe klubeve për kampionatin e moshave ku u diskutua mbi rifillimin e kampionateve kombëtarë U-15, U-17 dhe U-19, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë.

Ky takim u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, i cili prezantoi për drejtuesit e akademive dy projekt-kalendarët e hartuar nga Sektori i Garave dhe i informoi mbi përgjegjësitë e detyrat që kanë për zbatimin e protokollit mjekësor të hartuar nga FSHF. Shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, në projekt-kalendarin e parë kishte parashikuar zhvillimin normal të kampionatit me 11 javë dhe fazën play-off, ndërsa në projekt-kalendarin e dytë parashikohej zhvillimi i dy ndeshjeve të mbetura nga faza e dytë dhe play-off. Pas diskutimeve klubet vendosën për projektin e dytë. Në takim mori pjesë dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv Abdyl Kuriu, i cili theksoi rëndësinë e rifillimit të futbollit të moshave, për të mos rrezikuar dëmtimin e karrierës së lojtarëve nga pauzat e gjata.

Kampionatet Kombëtare për U-15, U-17 dhe U-19 do të fillojnë në datë 14 Qershor 2020.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *