• |
ide | kryesore

“Nga data 3 apo në datën 10 qershor do të fillojë kampionati”: përgjegjësi mjekësor i Kombëtares e sheh ngërçin tek tamponet

-Instant, F1, Sport

Kampionati mbetet pezull i një përgjigje që vonon të vijë nga autoritetet shëndetësore, duke e bërë gjithnjë e më të mundshme shtyrjen e datës 3 qershor, të kërkuar nga FSHF për rifillimin e futbollit. Por kjo pritje nuk e shqetëson mjekun e kombëtares Giancarlo Stesina, një nga ekspertët e grupit të punës për hartimin e protokollit, që vonesën e rifillimit të lojës në Shqipëri e sheh tek pamundësia për të bërë testet që vendet e tjera europiane, edhe pse më të goditura, janë duke i bërë me shumicë. E megjithatë kjo nuk i heq bindjen Stesinës se qershori do të jetë muaji i kthimit të futbollit.

Data 3 qershor mund të mos jetë kaq e sigurtë, por qershori, edhe sipas asaj që deklaron Stesina, do të jetë muaji që në Shqipëri të rifillojnë kampionatet, gjë që u artikulua edhe në takimin që FSHF bëri me drejtuesit e akademive të ndryshme të futbollit shqiptar, duke parashikuar startin e tyre në 14 qershor: “Situata shëndetësore në Shqipëri është shumë e mirë në krahasim me vendet e tjera – ka sqaruar italiani për RTSH-Sport -. E fakti që në vendet e tjera ka nisur kampionati e në Shqipëri jo është sepse Federata dhe shteti shqiptar po kërkojnë një datë që do ti bëjë dakord dhe të përshtatshme, mbi të gjitha sepse vende si Italia apo gjermani janë duke kryer shumë teste gjë që për parandalimin është shumë e rëndësishme, ndërsa për momentin në Shqipëri nuk mund të bëhet. Me siguri që nga java e ardhshme stërvitja do të futet në fazë të avancuar dhe me duke filluar nga data 3 apo në datën 10 qershor do të fillojë edhe kampionati”.


Në një fazë delicate, mjeku italian kuqezi, vlerëson stërvitjen e futbollistëve pas një inaktiviteti prej më shumë se dy muajsh. Rreziku i dëmtimeve është i madh, e provuar kjo edhe nga ajo që po ndodh në kampionatin gjerman, ndaj dhe sugjerimi është ajo e një ngarkesë graduale që të mos peshojë mbi muskujt dhe tendinat e futbollistëve: “Rreziku i dëmtimeve, sidomos atyre muskulare, pas një periudhë inaktivitetit të tillë të gjatë është shumë i lartë, mjafton të kesh parasysh dëmtimet që po ndodhin në kampionatin gjerman apo edhe në Itali me Ibrahimovic. Për këtë arsye, sidomos për shoqëritë që kanë filluar prej pak kohe stërvitjen, është e rëndësishme të bëhet një punë graduale, sidomos në aspektin e intensitetit që të mund të evitohen dëmtimet muskulare dhe problemet me tendinat, që do të vononin rikuperimin e lojtarëve dhe do të kompromentonin cuarjen në fund të sezonit” përfundoi Stesina.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu