• |
ide | kryesore

Veton Surroi: Shteti kapet me lejen e shumicës

-Instant, Blog



Shumica nuk e sollën kapjen e shtetit, por shumica e kosovarëve lejuan që shteti të kapej. Fakti që kapësit simbolizohen nga varfëria mendore e H.Thaçit nuk flet aq për epërsinë e kapësve sa për dobësinë e shoqërisë.

1.

Ka ditë që po lexoj disa libra të lënë manash për kohë më të mira dhe njëkohësisht  u kthehem herë pas here aktualiteteve, një konflikt i tmerrshëm mes narracioneve, përjetuar brenda ca minutash. Përfaqësuesi më i spikatur i varfërisë mendore në Kosovë sot e disa vjet, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Albin Kurti dhe grupi i tij duhet të ballafaqohen me drejtësinë. E shqiptuar prej një njeriu që personifikon kapjen e shtetit- për aq sa në Këshillin e Evropës është miratuar një dokument zyrtar ku emërtohet “grupi i Hashim Thaçit”-do të duhej të shkaktonte një kombinim përqeshjeje dhe druajtjeje për arsye të njëjta. Pra, është fyerje intelektuale që një person i tillë të flasë për “grupe” e për “ballafaqim me ligjin”, por fakti se është fyerje intelektuale nuk e amniston rrezikshmërinë e deklaratës. Varfëria mendore nuk është e parrezikshme- përkundrazi. Një gazetar e shkrimtar jo shumë i njohur amerikan , E.W. Howe, kishte lënë disa fjalë për t’u cituar e njëra prej tyre na hyn në punë sot. “Hajni beson se çdokush vjedh”.

2.

Ashtu siç nuk është varfëria mendore e parrezikshme, nuk është as epërsia intelektuale mburojë prej së keqes. Kjo është dilema të cilën e shtjellon në një biografi ndryshme të Henry Kissingerit autori Barry Gewen. Për të përshkruar kontekstin historik e intelektual të Kissingerit , autori u mor, mes të tjerash, me Leo Strauss dhe Hanna Arendt, dy intelektualë të spikatur hebrenj të Gjermanisë që arritën të iknin, sikur edhe familja e Kissingerit, nga pushteti i Hitlerit e të strehoheshin në Amerikë. Që të dy intelektualët, në mënyrën e vet, u përpoqën të krijonin një interpretim të thelluar të një konstatimi të thjeshtë e të përjetuar në lëkurën e tyre, se demokracia liberale nuk është digë kundër autoritarizmit. Pra, jo vetëm se është e mundur që nëpërmjet zgjedhjeve të fitojnë forcat që janë kundër demokracisë, por njëherë të vendosura në pushtet këto forca të zgjedhura me votë të lirë e demokratike fillojnë të vendosin sistemin e tyre autoritar, në të cilin ndarja e pushteteve dhe institucionet demokratike fillojnë o të shërbejnë si fasadë o të shemben krejtësisht. Pashmangshmëria e tragjedisë u quajt kjo gjendje dhe është titulli i librit. Në vija të trasha, ky përcaktohet të jetë momenti i ndarjes së dy rrugëtimeve intelektuale e politike për refugjatët intelektualë hebrenjgjermanë. Për Kissingerin  ishte hyrje në atë që ai ndoqi me vite të tëra në diplomaci, real-politikë. Pra, në botë nuk ekzistojnë vektorë të tjerë të rëndësishëm pos baraspeshës së forcave. Çështjet si demokracia dhe të drejtat e njeriut janë të rendit dytësor a tretësor. Për Hannah Arendt, është një rrugëtim i cili kërkon që zëri i angazhuar intelektual e aktivizmi shoqëror të mbrojnë institucionet e demokracisë e të lirisë atëherë kur një shumicë me votën e tyre ia hap rrugën autoritarizmit.

3.

Dilema e brishtësisë së demokracisë liberale, natyrisht, nuk ka si të mos jetë lexim aktual në botë sot. Nuk dyshoj se ka njerëz në Amerikë që duke lexuar fillojnë të mendojnë për kontekstin kur ishkëshilltari i Sigurisë Kombëtare, gjenerali Michael Flynn, i cili ka pranuar krimin e fshehjes së kon takteve të tij me punonjës të Qeverisë ruse dhe për këtë është dënuar me burgim, u absolvua nga Qeveria amerikane. Apo të atillë që në Evropë analizojnë se si është e mundur që popujt që kanë dalë nga diktatura, sikur polakët dhe hungarezët, pas tridhjetë vjetësh i hapin rrugë autoritarizmit. Diplomati i njohur francez Alexis de Tocqueville, që i pari përshkroi për publikun evropian demokracinë amerikane, shkroi në shekullin XVIII se “nëse ndonjëherë institucionet e lira të Amerikës shkatërrohen, kjo ngjarje do t’i vishet omnipotencës së shumicës”. Në rastin e Kosovës nuk besoj se kemi të bëjmë me shumicën që çon te kapja e shtetit; në njëzet vjetët e kaluar nuk ka pasur një fuqi politike që të ketë sunduar vetëm. Por, duke marrë mësim nga Arendt, po ashtu nuk ka pasur forcë rezistence të shumicës ndaj kapjes së institucioneve të vendit. Shumica e kosovarëve nuk e sollën kapjen e shtetit, por shumica e kosovarëve lejuan që shteti të kapej. Fakti që kapësit simbolizohen nga varfëria mendore e H.Thaçit nuk flet aq për epërsinë e kapësve sa për dobësinë e shoqërisë.

4.

Pashmangshmëria e tragjedisë, koncepti me të cilin  u rrit dhe jetoi Kissingeri – pra se gjërat janë të përcaktuara të shkojnë mbrapsht dhe njeriu e pushtetet duhet të marrin masa parandaluese- ka edhe simotrën e kundërt. Simotra është se gjërat, disi, do të bëhen mirë. Në formën më të sofistikuar, ky është besimi se demokracitë kanë institucione aq të forta sa t’u rezistojnë tundimeve e sulmeve. Në formën më rudimentare, është në besimin e thjeshtë që gjallon edhe ndër ne, se bëhet mirë. Në thelb, në që të dyja rastet ekziston besimi i forcave të historisë që ecin në një rrugë të veten autonome, herë të udhëhequra nga e mira , herë nga e keqja. Sikur ta kishte ditur shkrimtari gjerman W.G.Sebald , në njërën prej ligjëratave të tij të fundit përshkroi tërë historinë e Evropës, idenë e rastësive e forcave determinuese historike, apo çfarëdo që të hyjë në punë me këtë rrëfim biografik për Ödön von Horváth: “Tregimet nga Pyjet e Vjenës” u shkrua nga një hungarez që shkroi gjermanisht e që iku para se të hynin nazistët. Mori azil në Paris, ku pasi u konsultua me një lexuese, fati që e paralajmëroi që të shmangë qytetin e Amsterdamit, të mos hipë në tramvaj dhe assesi të mos hipë në ashensorë, eci nëpër Champs Elysee kur ra një degë e një peme dhe e vrau.

Koha.net/Titulli origjinal: “Kissingeri ndër ne”



2 Comments

  1. Shkrim interesant. Autori na jep kenaqesin intelektuale e te lexuarit te nje shkrimi ku permbajtja shoqerohet me nivelin e larte intelektual te autorit. Perse nuk i duam njerzit e ditur? Shoh ne Tv analist e politikan ne Kosove qe kane mangesi apsolute te intelektit te tyre per tu mare me politik berje, e megjithate keta injorant jane prezent me ore ne emisjonet Tv. Thojne gjithçka e ne fund ti arsyeton se ke degjuar ca te marre qe kane llafos marrina. Jam ne nje mendje me autorin e shkrimit se Thaçi e jo vetem Thaçi kane mangesi apsolute ne formimin e tyre arsimor e qytetar.

  2. Jam për votime, ku shumica reale të fitojë

    Po Mik, e lexova deri në fund, se ma rekomandove ti…..
    Në fakt, i kisha hedhur një sy “vertikalisht”, se më doli diku, dhe e lashë, sepse parashikova se çfarë mund të shkruhej në brendësi….
    Tani e lexova “me laps në dorë”, dhe pashë që “parashikimi im”, paska qenë i drejtë, ishte pikërisht ajo që parashikova.

    Në vijim po shkruaj si mendoj unë, natyrisht me të drejtën tënde që ti mos të mendosh fare kështu si unë:

    A–Shkrimi i Vetonit është plot “snobizma”, që kanë qëllim ose të tregojnë që sa i ditur dhe i hollë është ky Vetoni, ose t’i japë forcë Shkrimit, jo me argumente, por me autoritetin e personaliteteve që përmend.

    B –Nuk ka asgjë që të vërtetojë në sa pretendon Vetoni në Shkrim, po e citoj:
    “Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Albin Kurti dhe grupi i tij duhet të ballafaqohen me drejtësinë. E shqiptuar prej një njeriu që personifikon kapjen e shtetit- për aq sa në Këshillin e Evropës është miratuar një dokument zyrtar ku emërtohet “grupi i Hashim Thaçit”-“

    Sa shkruan është shpifje serbe, por edhe ruse, e përsëritur disa herë, në format e tregtisë së organeve etj. etj..

    C— BE dhe ShBA nuk janë “të këqijtë të botës, e kampionët e egoizmit e poshtërsisë”, siç mendon Vetoni, sepse vetëm pranimi i kësaj që sapo futa në thonjëza, mund të bënte të rrijë në këmbë akuza e tij, B, e përsëritur troç nga Bushati, që së paku ka burrninë të thotë troç, se “amerikanët nuk na duan të mirën, … ne duhet t’i zgjidhim punët tona me “forcat tona”, … me kryengritje etj.”

    D–Albin Kurti është një marksist/maoist, që ka marrë vetëm 25% të votave, dhe sillet sikur të ketë marrë mbi 50%, apo dhe 99%, siç e kanë pasur zakon bolshevikët e komunistët. Normalisht ai është pakicë në momentin që të tjerët bëhen bashkë, gjë që do ta vërtetojë votimi nesër në Kuvend.

    E–Kosovës i bëhet mirë që ikën ai, sepse po të rrinte, do ta kthente Kosovën pjesë të Serbisë, siç do të ishte edhe sot, pa bombardimet e Natos. Nuk kam asnjë dyshim, se pa ndihmën e ShBA etj., me Albinë në krye, Kosova do të bëhesh ndonjëherë e pavarur…

    F -Korrupsioni i Thaçit e i x, y, z mund të jetë i vërtetë, por korrupsioni vjen vetëm nëse kosovarët, shumica, mund të jenë ashtu, të korruptuar. Nëse Albini vërtetë ekonomikisht nuk është i korruptuar, sepse politikisht është ekstremisht i korruptuar, atëherë nuk ka si të mbetet Albini në krye të një populli të korruptuar: “çdo popull ka qeverinë që meriton”.

    G-Një shtet, edhe Kosova, duhet të ecë në rrugën më optimale për stadin e zhvillimit të popullit të vet, e rruga e Albinit, me shtetëzimin e ekonomisë e komunizma të tjera, të udhëhequr nga VV-të e tij, do ta fuste Kosovën në një cikël Revolucioni tip Gardistësh të kuq të Mao Ce Dungut, si ata të viteve 1966–1974, që do ta shkatërronte fare Kosovën, si gardistët Kinën…Kinën, e shpëtoi vetëm heqja dorë përfundimisht nga gardistët, e futja masive e pronës private, ekonomisë së tregut.

    H— Jam kundërshtar ekstrem i “mos ecjes në rrugë të pashkelura”, e rrugët e SHKELURA janë ato që kanë çarë Perëndimorët, që natyrisht mund të mos jenë zgjidhja më e mirë, pra, mbase mund të ketë edhe zgjidhje më të mira, por unë jam kundra eksperimentimeve megallomane të një shteti mikroskopik e pa kurrfarë ekspertize, siç jemi ne, Shqipëria dje Kosova. ….

    Bashkim Kopliku

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *