• |
ide | kryesore

Greqia do të presë turistët e parë nga 15 qershori, lista që përfshin dhe Ballkanin publikohet këtë javë

-Instant, Arkiva, Lajme



Greqia do të lejojë turistë nga disa vende përfshirë Gjermaninë, Qipron dhe Izraelin ta vizitojnë nga mesi i qershorit pa qenë e nevojshme të karantinohen, thanë zyrtarët e qeverisë, si pjesë e një lehtësimi gradual të kufizimeve të bllokimit nga koronavirusi.

Turizmi zë rreth 20% të ekonomisë greke dhe qeveria e sheh sektorin si një motor kryesor të rimëkëmbjes së tij nga një bllokim që e ka futur biznesin në krizë.

“Do të ketë rreth 20-25 vende, shtetasit e të cilëve do të lejohen të vijnë,” tha një burim qeveritar, duke shtuar se në listë do të përfshihen Qiproja, Izraeli dhe vendet në Evropën qendrore dhe Ballkanin. Lista e plotë do të shpallet këtë javë. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë se gjermanët do të lejohen të vizitojnë Greqinë nga 15 qershori.

Ai gjithashtu ka thënë se fluturimet ndërkombëtare për në qytetin verior të Selanikut do të rifillojnë më 15 qershor, më shpejt sesa data fillestare e planifikuar e 1 korrikut. Greqia aktualisht lejon qytetarët nga të gjitha vendet e BE-së, përveç Italisë, Spanjës dhe Holandës që të fluturojnë në Athinë, por ato më pas i nënshtrohen një izolimi 14-ditor. Vizitorëve nga Britania dhe vendet e tjera jo-BE gjithashtu ndalohet aktualisht të hyjnë në Greqi.

Italia, Spanja dhe Britania kanë një shkallë të lartë të infeksionit nga Covid-19, sëmundja e frymëmarrjes e shkaktuar nga virusi.

Greqia e ka mposhtur relativisht mirë krizën e koronavirusit, me vetëm 2,892 raste të konfirmuara dhe 173 vdekje.

Një burim tjetër qeveritar tha që ekspertët shëndetësorë po diskutonin nëse udhëtarët do të duhej të testohen për Covid-19 përpara se të vizitojnë Greqinë dhe nëse rekomandohet mbulimi i sigurimeve për infeksione të tilla.

Qeveria ka thënë se planifikon të rivendosë fluturimet ndërkombëtare në ishujt e Greqisë nga 1 korriku, por do të refuzojë hyrjen për qytetarët nga vendet me shkallë të lartë infeksioni deri më 15 korrik.

Rreth 33 milion turistë vizituan Greqinë vitin e kaluar, duke gjeneruar të ardhura prej 19 miliardë eurosh.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *