• |
ide | kryesore

BE thirrje klasës politike në Kosovë: Zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shefat e misioneve të BE-së i ftuan të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli të ligjshëm dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.

Përmes një deklarate për media, ata thanë se “i takon Kuvendit tani që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës”.

“BE-ja u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në deklaratë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar të enjten mbrëma se dekreti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të mandatuar Hotin për kryeministër është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Mocioni është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti në koalicionin e deriatëhershëm qeverisës – pasi Kurti ka shkarkuar nga detyra një nga ministrat e saj.

Më 30 prill, kur Thaçi ka dekretuar Hotin, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e vendimit të presidentit.

Duke reaguar ndaj vendimit të marrë, Kurti tha të premten se “Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit”./REL/



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *