• |
ide | kryesore

Skandali Veliu/ Pikëpyetje mbi policinë që po ngre Edi Rama

-Instant, 2, Arkiva, Ide



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sulmoi të premten në një seancë parlamentare online, nënën e një fëmije të dhunuar nga oficerë policie dy javë më parë, duke sugjeruar se fëmija i dhunuar vjen nga një familje me moral të keq dhe e përdori këtë argument për të justifikuar dhunën. Sulmi verbal i Veliut, u konsiderua si kërcënim nga Zaida Çobo, nëna e fëmijës së dhunuar ndërsa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm e cilësuan si skandaloze sjelljen e kryepolicit në parlament.

Veliu, i cili është drejtor i policisë që nga viti 2018, u pyet në komisionin parlamentar të sigurisë të premten në lidhje me një ngjarje të 15 majit, kur një qytetar xhiroi me celular momentet kur katër oficerë policie dhunonin një adoleshent pasi ky i fundit kishte shkelur orarin e ndalim- qarkullimit të vendosur në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

Policia ka deklaruar se ka pezulluar një nga oficerët e shfaqur në video dhe se ka hapur hetime të brendshme disiplinore. Veliu duket se vijoi në të njëjtën politikë, duke ngritur pikëpyetje të pabazuara në fakte nëse djali i dhunuar i ishte bindur apo jo urdhërave të oficerëve të policisë.

“Në lidhje me rastin e djalit 15-vjeç, është e vërtetë se nëse dua të marr në mbrojtje policët, ata kanë një moment të kapërcimit të kompetencës. Ai është pezulluar. Por a është në të vërtetë djali që i është bindur të gjitha thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja?”, deklaroi Veliu para deputetëve, para se të hapte celularin e tij për të treguar një video.

“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, deklaroi Veliu para deputetëve.

E ëma e fëmijës së dhunuar, Zaida Çobo- me profesion aktore, deklaroi pas aludimeve të kryepolicit se videoja është e vërtetë dhe se ajo është një dubël e realizuar gjatë xhirimeve të një filmi, në të cilën, një pistoletë lodër është përdorur nga Çobo.

Veliu u përball menjëherë me një ortek kritikash dhe kërkesa për dorëheqje.

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë ishte një nga personat e tronditur nga komentet e Veliut.

“Drejtori i Policisë fyu, denigroi dhe cënoi jetën private të një 15 vjeçari. Ai mori në mbrojtje dhunuesit e tij. Shfaqja e drejtorit Veliu ishte jo etike, jo ligjore, jo demokratike. Ai duhet të kërkojë ndjesë familjes dhe publikut. Nëse jo, ai meriton reagim dhe largim sa më parë,” deklaroi Krasniqi në Twitter.

“Ajo që bëri sot policia është dhunim për të dytën herë!” shkroi Mirela Ruko, një aktiviste.

Policia e shtetit dhe policia bashkiake e Tiranës janë vënë nën akuza të përsëritura gjatë javëve të fundit për dhunim të qytetarëve.

Pikëpyetje ngrihen mbi funksionimin e logjikës formale të z. Veliu, i cili duket se sugjeroi se policia mund të jetë e justifikuar të dhunojë një fëmijë nëse ai vjen nga një familje ku e ëma luan me një pistoletë në video.

Një mënyrë e tillë e të menduarit me përgjegjësi familjare, është fenomen tipik i kohës së Komunizmit, ku qytetarët mbaheshin përgjegjës jo thjeshtë për çfarë bënin, por edhe se nga çfarë familjeje vinin.

Dhe gjithashtu duket e pashpjegueshme se me çfarë të drejte z. Veliu ka marrë përsipër të gërmojë në jetën private të të ëmës së një qytetari të dhunuar me synimin final për të justifikuar në ndonjë farë mënyre policët dhunues.

Videoja në fjalë është publikuar në Instagram më 18 Shtator 2017. Kjo sugjeron që z. Veliu duhet të ketë gërmuar shumë thellë në jetën private të një qytetareve, “faji” i së cilës është që është mamaja e një fëmije të dhunuar nga disa policë.

Ministria e Brendshme ka kërkuar në Kuvendin e Shqipërisë të dominuar nga socialistët, që të bëhen ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit, duke i lejuar kësaj të fundit të kryejë përgjime pa mbikëqyrje gjyqësore, një ligj që sipas shumë ekspertëve, është haptazi anti- kushtetues dhe në shkelje të Kartës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Por në kuadër të shembullit të dhënë nga z. Veliu, me gjurmim të jetës private të një qytetareje në mbrojtje të dhunës policore, pikëpyetje ngrihen se çfarë do të jetë e aftë të bëjë policia pasi të ketë të drejtë të kryejë edhe përgjime. /Birn/



10 Comments

  1. Po pse tani e kuptuat ju ? Policia ka marre te gjitha atributet e nje mafiozi . Biles jane edhe arkitekta .

  2. Pse habiteni kaq shume me kete veprim te z.Veliu . Policia keshtu ka vepruar ka hera per te mos thene gjithmone . Personi i arrestuar eshte vellai i XY i cili ishte denuar Z vite . I ndaluari XT ne 97 ka bere konrtaband (edhe pse shtet nuk kishte) … I arrestuari XY eshte i rrezikshem sepse ka ekspuls nga italia para 10 vitesh . Njesoj si qoftlargu edhe keta te arrestojne pa prova , me pas ta nxijne fedinen penale per te justifikuar paaftesit e tyre dhe pastaj ….pas tre ditesh , dalin te pafajshem nga gjykata . Kjo eshte policia qe ne nuk duam , keta jane “arkitektet” qe nuk dine te projektojne nje kolibe qensh ….. por ama keta jane ata ndyresira qe lekun e nuhasin me kilometra larg ashtu si nuhat peshkaqeni gjakun ne det . Tani me kompetencat qe palloshi ju ka dhene dhe qe jua jep perdite ketyre ju duket vetja çdo dite e me shume se jane herkuli.
    Ptuuuuuuuuuuuuuuuu…..bajga
    Keta edhe nese i ve barinj duhet tu varesh torben me gure ne qafe nga i pari tek i fundit , aq injoraner jan .

  3. DO TE JETE VON POPULL NGIHEJ SEPSE KETU PO ISTALOHET KLIKA ME E KEQE SEKTI I KEQ SEKT ANTI FAMILJE NJERI DHE CDO GJE QE KA LIDHJE ME NJERZIMIN DO JET VONE PASTAJ .

  4. Jam kurioz te di me cfare po meret aktualisht “mbrojtesi i kushtetutes” pasi aprovoi ne avance ligjin antikushtetues per zgjatjen e gjendjes se jashtezakonshme me dy muaj (kushtetuta thote max 1 muaj)

  5. Lulzim Basha për fat të keq është kryetari që nuk di të ndërtojë kauza. Pafuqia dhe padija e tij për të bërë opozitë është një dëm për demokracinë, por jo vetëm kaq.

    Ai gjatë gjithë periudhës si shef opozite, në rastin më të mirë ka vjedhur kauza e në rastin me të keq, ka shfrytëzuar fatkeqësitë natyrore apo pandemitë për të bërë politikë. Rasti më i freskët pas dy tërmeteve, është ky i pandemisë së COVID-19.

    Lulzim Basha në thyerje të çdo protokolli, vazhdoi takimet pa masa mbrojtëse dhe pa ruajtur distancën në një hotel në Durrës. Më pas vazhdoi me takime të tjera kundër çdo protokolli të OBSH, duke rr ezikuar komunitetin dhe veten, duke i vënë vulën me teatrin ku veçse bëri teatrin e tij politik.

    Kjo sjellje e një shefi opozite që rrezikon jetën e qytetarëve të tij, është praktikisht vizioni i tij nëse do ishte një ditë kryeministër. Imagjinoni një kryeministër të tillë që shpërfill çdo masë, çfarë pasojash do sillte për qytetarët, për sistemin shëndetësor e larg qoftë për numrin e viktimave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *