• |
ide | kryesore

Pse ishte antikushtetues vendimi për rrëzimin e Albin Kurtit

-Instant, Blog



Vlerësim i shkurtër i Aktgjykimit KO 72/20 të Gjykatës Kushtetuese

1. Dekreti i presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër të vendit ka qenë tejkushtetues, pra ka shkuar tej kompetencave të tij kushtetuese.Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka adaptuar dhe adoptuar konceptin tejkushtetues si normë në aktgjykimin e vet të lëndës KO/20. Ja katër shembuj në vijim.

2. Koha: Gjykata Kushtetuese konstaton se Kushtetuta nuk parasheh afate kohore në të cilat Partia fituese e zgjedhjeve duhet t’ia japë emrin e mandatarit Presidentit. Por, pas këtij konstatimi fillon të përcaktojë vet kohën. Thotë se procesi nuk mund të shkojë i paafatizuar, pastaj cekë afate në procese të tjera vendimmarrje –sa ditë për të votuar Qeverinë e presidentin,- dhe në fund përcakton ‘që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi’.

‘Sa më shpejtë’ nuk ekziston si formulim në Kushtetutë për arsye të thjeshtë sepse nuk është kategori e matshme. Çka është sa më shpejtë për dikë mund të jetë e ngadaltë për dikë tjetër.

Përcaktimi kohor ‘sa më shpejtë’ si obligim kushtetues nuk besoj të ketë precedent në botë e as në çfarëdo kontrate juridike.

3. Bllokimi: Gjykata Kushtetuese konstaton se procesi i konsultimit nuk mund të bllokojë funksionimin e institucioneve. Megjithatë, Kushtetuta nuk ka nen që e ndalon këtë. Sikur me konceptin ‘kohë’ , çka është bllokim për dikë nuk është bllokim për dikë tjetër. Për më tepër, bllokimi apo zhbllokimi janë mjete legjitime politike në parlamentarizëm.

4. Natyra e konsultimit: Gjykata Kushtetuese konstaton se natyra e konsultimit mes Presidentit dhe partisë fituese në rastin e parë është ‘teknike dhe formale’. Në rast se dështon në përpjekjen e parë, Presidenti ka atëherë të drejtën diskrecionale për konsultim të ‘natyrës’ tjetër. Kushtetuta , megjithatë, nuk përcakton ‘natyra’, rrjedhimisht nuk mund të përcaktojë thellësinë e gjerësinë e komunikimit mes Presidentit dhe Partisë e cila propozon emrin e mandatarit.

5. Shterja: Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se LVV në letërkëmbimin me Presidentin nuk ka refuzuar dhënien e emrit të mandatarit e megjithatë ka vlerësuar se Presidenti pas katër letrave ‘me të drejtë ka konstatuar shterimin e mundësive kushtetuese për të përcaktuar një kandidat për Kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve’. Meqë LVV shprehimisht ka thënë se nuk po refuzon dhënien emrit të mandatarit, Presidenti i vendit ka përdorur deduksionin, hamendësimin apo mjete të tjera kognitive për të konstatuar ‘shterimin e mundësive kushtetuese’. Por , deduksioni, hamendësimi apo ndonjë mjet tjetër kognitiv nuk janë normë kushtetuese. Në rastin e letërkëmbimit mes Presidentit dhe kryetarit të LVV kemi të bëjmë me obligimin e dy palëve për kontraktualitet. Çkado që dy palët mendojnë për njëri tjetrin , kanë obligim ta përmbyllin kontratën apo ta refuzojnë shprehimisht përmbylljen e saj. Hamendësimi i Presidentit se a e ka pala tjetër seriozisht apo jo është tejkalim i kompetencave kushtetuese siç është edhe përkrahja që i bën këtij hamendësimi Gjykata Kushtetuese.

6. Mandatimi i A.Hotit për kryeministër është akt legjitim, por vetëm pasi këtë mandatimin do ta refuzonte në formë eksplicite LVV në kohën kur për këtë të ishte e bindur.

7. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në këto pika, pa mbështetje në Kushtetutën e Kosovës krijon problem legaliteti dhe problem legjitimiteti.

Në aspektin legal rithirrja kontinuele e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur dilemat e interpretimit të normave të Kushtetutës i shndërron Aktgjykimet, si në këtë rast astu edhe në të mëparmet, në norma të reja kushtetuese e më të vlefshme se vet Kushtetuta. Futja e kategorive si ‘sa më shpejtë’ dhe të deduksionit e hamendësimit të Presidentit si norma faktike kushtetuese e çojnë aktin më të lartë juridik në hapësira të papara juridike si këtu ashtu edhe në botë.

Nga ana tjetër interpretimet e këtilla vënë në dyshim legjitimitetin demokratik të institucioneve që ndërtohen më pas. Një Qeveri e Kosovës e ndërtuar në saje të një verdikti të këtillë të Kushtetueses mban pa faj të vetin hijen e dyshimit të cilën ia ka vu një verdikt i këtillë. Në vend të rolit unifikues rreth idesë bazike të sundimit të ligjit, një aktgjykim i këtillë shërben për të thelluar ndasitë politike e shoqërore.



6 Comments

  1. Veton si perhere i sakte.

    Kosova eshte ne rrezik.

    Kjo gjk eshte e kapur. Republikat e bananave jane me mire

    Kemi nje veprim te njetrajtshem amerikan ne shqiperi dhe kosove.

    Mbeshtetje per ramen dhe thaqin si lider te korruptuar. Jo vetem korrupsion por goditja e themeleve te shtetit eshte problemi me i madh. Ne shqiperi asnje pushtet nuk fuksionon ekzekuriv i korruptuar, legjislativ i manget me 122 deputete dhe opoxite parlamentare qe votob pro qeverisi dhe drejtesi ne kolaps
    Ne kosove drejtesi e kapur, parlament i larguar kur mocioni eshte i suksesshem duhen zgjedhje. Pra ilegjiiim dhe ekzekutiv ne ardhje ilegjitim i dale nga drejtesi e kapur dhe parlament i larguar.

    Ca kane amerikanet kundra shqiptaret qe ua trondisin themelet???

  2. Jam për votime, ku shumica reale të fitojë

    Po Mik, e lexova deri në fund, se ma rekomandove ti…..
    Në fakt, i kisha hedhur një sy “vertikalisht”, se më doli diku, dhe e lashë, sepse parashikova se çfarë mund të shkruhej në brendësi….
    Tani e lexova “me laps në dorë”, dhe pashë që “parashikimi im”, paska qenë i drejtë, ishte pikërisht ajo që parashikova.

    Në vijim po shkruaj si mendoj unë, natyrisht me të drejtën tënde që ti mos të mendosh fare kështu si unë:

    A–Shkrimi i Vetonit është plot “snobizma”, që kanë qëllim ose të tregojnë që sa i ditur dhe i hollë është ky Vetoni, ose t’i japë forcë Shkrimit, jo me argumente, por me autoritetin e personaliteteve që përmend.

    B –Nuk ka asgjë që të vërtetojë në sa pretendon Vetoni në Shkrim, po e citoj:
    “Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Albin Kurti dhe grupi i tij duhet të ballafaqohen me drejtësinë. E shqiptuar prej një njeriu që personifikon kapjen e shtetit- për aq sa në Këshillin e Evropës është miratuar një dokument zyrtar ku emërtohet “grupi i Hashim Thaçit”-“

    Sa shkruan është shpifje serbe, por edhe ruse, e përsëritur disa herë, në format e tregtisë së organeve etj. etj..

    C— BE dhe ShBA nuk janë “të këqijtë të botës, e kampionët e egoizmit e poshtërsisë”, siç mendon Vetoni, sepse vetëm pranimi i kësaj që sapo futa në thonjëza, mund të bënte të rrijë në këmbë akuza e tij, B, e përsëritur troç nga Bushati, që së paku ka burrninë të thotë troç, se “amerikanët nuk na duan të mirën, … ne duhet t’i zgjidhim punët tona me “forcat tona”, … me kryengritje etj.”

    D–Albin Kurti është një marksist/maoist, që ka marrë vetëm 25% të votave, dhe sillet sikur të ketë marrë mbi 50%, apo dhe 99%, siç e kanë pasur zakon bolshevikët e komunistët. Normalisht ai është pakicë në momentin që të tjerët bëhen bashkë, gjë që do ta vërtetojë votimi nesër në Kuvend.

    E–Kosovës i bëhet mirë që ikën ai, sepse po të rrinte, do ta kthente Kosovën pjesë të Serbisë, siç do të ishte edhe sot, pa bombardimet e Natos. Nuk kam asnjë dyshim, se pa ndihmën e ShBA etj., me Albinë në krye, Kosova do të bëhesh ndonjëherë e pavarur…

    F -Korrupsioni i Thaçit e i x, y, z mund të jetë i vërtetë, por korrupsioni vjen vetëm nëse kosovarët, shumica, mund të jenë ashtu, të korruptuar. Nëse Albini vërtetë ekonomikisht nuk është i korruptuar, sepse politikisht është ekstremisht i korruptuar, atëherë nuk ka si të mbetet Albini në krye të një populli të korruptuar: “çdo popull ka qeverinë që meriton”.

    G-Një shtet, edhe Kosova, duhet të ecë në rrugën më optimale për stadin e zhvillimit të popullit të vet, e rruga e Albinit, me shtetëzimin e ekonomisë e komunizma të tjera, të udhëhequr nga VV-të e tij, do ta fuste Kosovën në një cikël Revolucioni tip Gardistësh të kuq të Mao Ce Dungut, si ata të viteve 1966–1974, që do ta shkatërronte fare Kosovën, si gardistët Kinën…Kinën, e shpëtoi vetëm heqja dorë përfundimisht nga gardistët, e futja masive e pronës private, ekonomisë së tregut.

    H— Jam kundërshtar ekstrem i “mos ecjes në rrugë të pashkelura”, e rrugët e SHKELURA janë ato që kanë çarë Perëndimorët, që natyrisht mund të mos jenë zgjidhja më e mirë, pra, mbase mund të ketë edhe zgjidhje më të mira, por unë jam kundra eksperimentimeve megallomane të një shteti mikroskopik e pa kurrfarë ekspertize, siç jemi ne, Shqipëria dhe Kosova. ….

  3. Korrektim i pikës H të komentit tim më sipër:

    H— Jam kundërshtar ekstrem i “ecjes në rrugë të pashkelura”, e rrugët e SHKELURA janë ato që kanë çarë Perëndimorët, që natyrisht mund të mos jenë zgjidhja më e mirë, pra, mbase mund të ketë edhe zgjidhje më të mira, por unë jam kundra eksperimentimeve megallomane të një shteti mikroskopik e pa kurrfarë ekspertize, siç jemi ne, Shqipëria dhe Kosova. ….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *