• |
ide | kryesore

Lehtësia e rënies së një meteori mbi Kosovë

Blog

1. Tingëllon gati si barsoletë morbide, por kam përshtypjen, tashmë dhjetë vjet e tutje, se po qe se do të binte një meteor i madh mbi Kosovë e duke mbuluar treçerekun e territorit të saj, nga Brukseli zyrtar do të vinin dy porosi. E para do të ishte shprehje e keqardhjes dhe ofrimi imediat i ndihmave të pakursyera. E dyta do të ishte kërkesa që sapo të rregullohen pak rrugët e gjendja në vend, diku javën e ardhshme, për shembull, përfaqësuesit e Prishtinës do të ftoheshin në Bruksel për të vazhduar dialogun me Beogradin zyrtar.

Jashtë barsoletës, dje ndodhi përgatitja e radhës për ta vazhduar “dialogun”, ku i dërguari i veçantë M. Lajçak mori përkrahjen e shteteve anëtare të BE-së për një rifillimi ambicioz të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, me synim që menjëherë të kalohet në rrafshin politik, në vend të atij të deritanishëm, që u quajt “teknik”.


Brenda kontekstit të barsoletës, ngjarja e djeshme doli pas dy muajsh e gjysmë mbylljeje të vendit për shkak të krizës së koronavirusit dhe pas krizës politike nga rrëzimi i qeverisë në mes të pandemisë. Sikur në barsoletë, porosia është pak a shumë se po, keni kaluar një krizë të madhe shëndetësore e sociale botërore dhe po, keni kaluar një krizë të padëgjuar politike kudo në botë, por sapo të hapet aeroporti, do të vazhdojmë me “dialogun”.

2. Nuk është ndonjë risi e nganjëherë mund ta kthejë kokën njeriu prapa dhe të hetojë se ka edhe më keq, apo ngjashëm keq.

Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 2010, sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve e KQZ-së nga auditimi i 890 vendvotimeve, në 712 prej tyre ka konstatuar ndryshime të mëdha të rezultatit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Monitorimin e Zgjedhjeve, ENEMO, parregullsitë e shumta e ndikuan rezultatin e zgjedhjeve deri në shkallën 38%.

Një ambasador perëndimor, që vëzhgoi këto zgjedhje, i përshkroi ato si “vjedhje industriale të votës”. Por, nga Brukseli zyrtar, gjegjësisht nga zyra e baroneshës Ashton, u dërgua porosia e dyfishtë “meteorite”. Dakord, keni pasur ca probleme- serioze- zgjedhore dhe zgjidhini ato sa më shpejt. Pastaj nisuni për në Bruksel, sepse po fillon dialogu me Beogradin.

Kjo porosi nuk u lëkund fare me faktin se deformimi i rezultatit qe 38%, diçka që në cilindo shtet të Europës do të kishte çfarëdo emri, por jo zgjedhje demokratike. Për më tepër, nuk u lëkund as kur Këshilli i Europës miratoi një raport, me të cilin, mes të tjerash, i dyshuari më i madh për një grup të madh të organizuar kriminal në Kosovë, ishte ai që sapo i kishte fituar zgjedhjet, me deformim prej 38 për qind.

Pra, nuk kishte më rëndësi se a kanë legjitimitet të brendshëm të votës apo atë të jashtëm të pranueshmërisë në botë përfaqësuesit e Kosovës-  me rëndësi ishte që të paraqiteshin në Bruksel dhe të inicionin dialogun.

3. Privatisht nuk do të jenë të paktë diplomatët europianë që do të shpjegojnë se ngutja kësaj here ka të bëjë më shumë se me çdo gjë tjetër me rimarrjen e iniciativës europiane prej improvizimit, që është përpjekur ta bëjë i dërguari amerikan, Grenell, e posaçërisht efektit të lobimeve të ndryshme të përbashkëta mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiç në Uashington. Efekti dramatik i këtyre improvizimeve dhe lobimeve u pa me rrëzimin e paprecedent të qeverisë në mes të pandemisë e me shpjegime lënduese për inteligjencën e cilitdo qytetari, se gjëja më e rëndësishme në atë moment ishte regjimi doganor në marrëdhëniet tregtare Kosovë- Serbi.

Dhe ky argument është valid, marrë parasysh mungesën e konsistencës dhe rezultateve të kësaj administrate në probleme të ndryshme të politikës së jashtme e siç u pa, edhe me pandeminë dhe revoltën qytetare antiraciste, edhe në atë të brendshme.

Por ngutja për t’i ikur njërit improvizim nuk absolvon prej improvizimit tjetër. Brukseli zyrtar tashmë ka ndërtuar, me apo pa paramendim, një qasje në proces negociator, që shpërfill në tërësi njërën prej kërkesave themelore të negociatave – atë të palëve të forta negociatore. Në një sistem demokratik, Kosova duhej të përfaqësohej me sa më shumë legjitimitet e demokraci. Mirëpo, prej vitit 2010 e tutje, çdo vendim që është marrë në negociatat në Bruksel nga ana e Kosovës ka pasur një parakusht, që përfaqësuesit e saj të kenë sa më pak legjitimitet demokratik. Dhe, kjo gjë nuk ka përfshirë vetëm të dyshuarin për krim të organizuar, Hashim Thaçi, por edhe për ata politikanë që nuk kanë dyshime të ngjashme. Në kohën kur u angazhua Isa Mustafa në negociata, ai ishte zgjedhur Kryeministër pas një lufte të madhe të fituar të Hashim Thaçit kundër shumicës së votuesve të Kosovës e me vendim diskutabil të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo përfshirje e Isa Mustafës me legjitimitet të kontestuar e me vetëm 15 për qind të përkrahjes publike –sipas UNDP-së – solli rezultate katastrofale. Marrëveshja, të cilën e nënshkroi në Bruksel, shkaktoi krizë të madhe politike në vend, demonstrim qytetar në rrugë e protesta të paprecedenta të Kuvendit, që më në fund detyruan referimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit e lexoi marrëveshjen e nënshkruar nga I. Mustafa si manual të shkeljeve kushtetuese.

4 . Ka një lloj ironie vetakuzuese në shpejtësinë për ta rifilluar dialogun me Serbinë, duke marrë si shkas formimin e një qeverie të re të Kosovës, ndihmuar nga Thaçi dhe një vendim diskutabil i Gjykatës Kushtetuese. Qeveria e rrëzuar me mocion mosbesimi në fund të marsit të këtij viti kishte një muaj më vonë në sondazhin e UNDP-së, besimin më të madh që ka pasur ndonjë qeveri ndonjëherë në Kosovë, me Kryeministër dhe kryetarë të Parlamentit që kalonin dy të tretat e përkrahjes. Shikuar nga këndvështrimi i negociatave të suksesshme, nuk kishte qeveri me përkrahje më të madhe për të zhvilluar negociata. Shikuar nga standardi i negociatave të zhvilluara në Bruksel, një përfaqësim me përkrahje të madhe publike do të ishte një anomali.

Brukseli zyrtar mund ta zërë veten sërish në kurthin vetjak. Duke dëshiruar të mbajë rolin e vet prej ndërmjetësuesi në marrëveshjen Kosovë-Serbi, mund të investojë sërish në një palë bashkëpunuese nga Kosova, e gatshme të marrë pjesë në çfarëdo e të nënshkruajë çfarëdo, por e pambështetur për të implementuar çfarëdo që të ketë nënshkruar.

Pas dhjetë vjetësh eksperimente, ndoshta Brukseli do t’ia vlente të lexonte numra bazikë të sondazheve dhe t’u kthehej leksioneve bazike të legjitimitetit politik. Mund të lexonte edhe diçka për demokraci, ndoshta, rrugës.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu