• |
ide | kryesore

Skualifikimi ‘me dashje’ i Torassa: argjentinasi imiton Sergio Ramos

-Instant, F1, Sport



Një cështje që ndoshta nuk duhet të kalojë në heshtje është kartoni i verdhë për Agustin Torassa në minutat shtesë të takimit me Bylis, që e skualifikon argjentinasin për ndeshjen e radhës kundër Luftëtarit. Koha, vendi dhe mënyra si Torassa u ndëshkua të bëjnë të dyshosh se lojtari e kërkoi këtë dënim, për të përmbushur numrin e kartonëve që ta kalojë skualifikimin me takimin kundër vendit të parafundit të renditjes e të mos rrezikojë të mungojë në transfertën e Niko Dovanës me Teutën.

Argjentinasi vendosi të tërheqë nga fanella dukshëm kundërshtarin në mesin e fushës, duke marrë nga Hamiti kartonin e verdhë, që plotësojnë numrin katër të tyre dhe e bëjnë të padisponueshëm Torassa në ndeshjen e ardhshme. Në stadiumin pa tifozë të Adush Mucës u dëgjuan edhe komentet: “Torassa ctë duhej ky karton!”. Por nëse është kështu, Federata duhet të ndërhyrjë me komisionin e etikës, ashtu si është vepruar në precedentët e Kondogbia e Sergio Ramos nga UEFA.

Tre ndeshje skualifikim me vetëm një karton të verdhë është rekordi i vendosur nga Geoffrey Kondogbia. Mesfushori u skualifikua për tre ndeshje të Europa League pas kartonit të verdhë të marrë në ndeshjen e vajtjes së Valencias kundër Celtic. UEFA ka etiketuar motivacionin se lojtari ka kërkuar qëllimisht të marrë kartonin e verdhë. E kështu dënimi është trefishuar nga ana e Komitetit të Etikës, duke i humbur Kondogbia dy ndeshje të tjera përvec kthimit ndaj skocezëve.

Dy ndeshje pezullim ndërkohë për rrëfimin e Sergio Ramos, se e mori me qëllim kartonin e verdhë. Në fakt, mbrojtësi i Real Madrid e kishte pranuar vetë, në një intervistë pas ndeshjes. Ai karton i verdhë, për tërheqjen dhe rrëzimin e Dolberg në fund të Ajax Real-Madrid (ndeshje e përfunduar 2-1) për 1/8 e finaleve të Champions u kërkua nga kapiteni i merengues për të hequr qafe, me një ndeshje të lehtë, kthimin në Bernabeu me Ajax, rrezikun e skualifikimit për cerekfinale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *