• |
ide | kryesore

Çakordohet administrata me punën nga shtëpia, bizneseve dhe individëve iu zvarriten procedurat

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Të kërkosh të mbarosh sot punë në zyrat e administratës është bërë një mision i pamundur. Pranë Monitor kanë ardhur gjatë këtyre ditëve ankesa nga biznese dhe individë të cilët theksojnë se nuk po arrijnë të marrin shërbimin, që kërkojnë, dhe justifikimi që iu jepet është se një pjesë e punonjësve po punojnë nga shtëpia.

Kjo ka bërë që procedurat që kanë afat, të zvarriten përtej asaj që parashikon ligji, duke sjellë humbje për biznesin ndërkohë që mungesa e transportit publik ka bërë qytetarët të përdorin taksi për disa ditë deri në marrjen e shërbimit, duke rritur kostot e tyre ndjeshëm.

Konkretisht, një biznes u ankua se prej disa ditësh po përpiqej që të merrte një autorizim të shërbimit të përpunimit të mallrave jo shqiptare, të destinuara për tu rieksportuar, që merret tek tatimet. Sipas procedurave ligjore, brenda pesë ditësh duhet të dalë autorizimi. Por duke qenë se punonjësit e tatimeve po punojnë me rotacion nga shtëpia dhe punonjësja përkatëse shkon në punë vetëm një herë në jave, autorizimi vonohej përtej 5 ditëve që parashikon ligji, thotë Manjola, ekonomiste në një kompani fason.

Biznesi ankohet se rotacioni me punë nga shtëpia i sorollat me ditë të tëra dhe se zgjidhje do të ishte që punonjësit që janë në zyrë në rastin konkret pranë Tatimeve duhet të mbulojnë edhe punën e kolegëve. Kjo do të thotë që punonjësit që kanë të njëjtin pozicion  të marrin përsipër NIPT-e që i ka kolegu i tyre që mungon duke u bërë kështu në pengesë.

Një tjetër ankesë vjen për zyrat e punësimit. Të gjithë ata që u janë shkurtuar vendet e punës duhet të plotësojnë formularin e deklarimit në mënyrë që të përfitojnë pagesën e papunësisë. Pranë zyrave mund të gjesh zakonisht një përfaqësues që refuzon të asistojnë në plotësim ndërkohë që nënvizojnë që këtë duhet të plotësojë ekonomisti duke mos pasur ndonjë gatishmëri për ndihmë.

Një tjetër situatë e ngjashme haset edhe tek zyrat rajonale të sigurimeve. Plotësimi i dosjeve për ata që mbushin moshën e daljes në pension është kthyer në një stres më vete. Qytetarët deklarojnë se shkojnë të interesohen pranë zyrave por ka qëlluar që punonjësi që kontrollon dokumentet e tyre mungon pasi punon nga shtëpia dhe iu kërkohet të vijnë sërish.

Pranë Shërbimit të Tatimpaguesit individët që përfitojnë pagesën e paaftësisë duhet të marrin një vërtetim që nuk kanë aktivitet. Nxjerrja dhe firmosja e tij ka qenë gjithashtu i zvarritur në disa raste.

Departamenti i Administratës Publike miratoi në fillim të majit një rregullore për mënyrën sesi do të funksionojë administrata në kushtet e COVID-19 duke legjitimuar punën nga shtëpia vetëm për ato raste kur është e mundur.

Por ajo që vihet re në zyra është një çakordim total me mungesa të theksuara të pranisë në zyra duke sjellë kështu më shumë dëm për bizneset por edhe qytetarët që kërkojnë të marrin shërbime.



1 Comment

  1. Kjo metode osht shum qesharake. Ato mezi te maroshin pun kur ishin ne zyr e tu mor noj bakshish jo tashti qe nuk te shofin fare me ay

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *