Ka zgjatur 2 orë e gjysmë takimi sotëm i Këshillit Politik ku pritej që të merrte fund diskutimi për reformën zgjedhore, por zhvillimet kanë marrë një kthesë të fortë duke i çuar palët drejt prishjes së marrëveshjes së arritur.
Përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri tha se opozita ka hequr dorë nga marrëveshja për KQZ-në. Sipas tij opozita kërkon një tjetër formulë për zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, e cila sipas tij anashkalonte rolin e Kuvendit.
“Siç duket PD kërkon vetëm një marrëveshje zgjedhore për të marrë disa garanci dhe mund të ishte më e ndershme për të mbajtur siç është KQZ-ja. Realisht ky ishte devijim i bisedës sepse nuk e zhbëjnë dot parlamentin. Duhet të ketë një reflektim nga ana e tyre. Ata kërkojnë mandate 4-vjeçare siç janë sot. Të rrimë tek kjo KQZ që jemi dhe s’kemi pse të bëjmë debat.
A e rrezikon kjo marrëveshjen? PD kërkon që të kemi sërish këtë vendimmarrje, pra kërkon KQZ aktuale. Është më e ndershme kjo, tentuam të bëjmë një gjë të mirë. Të rrimë me këtë skemë. A ka marrë fund marrëveshja? Forma e KQZ ishte parashikuar me mandatet siç e kishim parashikuar. Ta thonë publikisht se ne sinqerisht nuk kemi asnjë problem” – tha Gjiknuri.
Por ndryshe u shpreh demokrati Oerd Bylykbashi sipas të cilit formula e re është e ngjashme me atë të sistemit të drejtësisë.
“Dua të konfirmoj në emër të opozitës se i qëndrojmë pikë për pikë të dokumentit të datës 5 qershor, në lidhje me identifikimit biometrik dhe respektojmë edhe dakordësinë për KQZ-në, për një formulë të re. Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të përzgjedhjes dhe emërimit të 3 trupave të KQZ-së, nëpërmjet një formule siç është ajo e sistemit të drejtësisë.
Kjo formulë që garanton një shqyrtim të pavarur të figurave me standarde të integritetit më të lartë profesional. Kjo formulë u kundërshtua nga mazhoranca pa asnjë arsyetim, sepse i intereson kapja e plotë e KQZ-së në të tria organet. PS do të jetë në mazhorancë në këto organe.
Sot mazhoranca e bëri të qartë që refuzon çdo lloj propozimi. I dhamë kohë mazhorancës ta studiojë propozimin tonë, një propozim që garanton një proces neutral por i heq mundësinë mazhorancës që të përfitojë nga ky proces. Jemi në pritje të përgjigje të mazhorancës” – tha Bylykbashi.
Formula që ka propozuar opozita për KQZ
Formula e propozuar për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ që ka propozuar sot opozita është e njëjta formulë e përzgjedhjes që është përdorur për organet e reja të sistemit të drejtësisë. Konkretisht, formula parashikon tre faza:
a) Kontrolli i kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit.
b) Zgjedhja nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve, me përbërje të balancuar, 3 maxhoranca dhe 2 opozita.
c) Votimi i listës në bllok nga Kuvendi.
Mbledhja u la përgjysmë nga Rudina Hajdari që në dalje akuzoi PS dhe PD se po zihen për tendera. ©LAPSI.al