• |
ide | kryesore

FOTO/ Shitet në ankand letra e Van Gogh për vizitën në një shtëpi publike

-Instant, Arkiva, F1, Stil



Një letër e shkruar nga artistët Vincent Van Gogh dhe Paul Gauguin ku flitet për vizitën e tyre në një shtëpi publike është shitur në ankand për 210 600 €. Letra u ble nga Fondacioni Vincent Van Gogh, në shtëpinë e ankandeve Drouot në Paris. Dy artistët e kishin shkruar letrën për mikun e tyre, piktorin francez Emile Bernard, në fund të vitit 1888. Ata përshkruajnë jetën dhe punën në qytetin francez të Arles.

Van Gogh dhe Gauguin, të dy piktorë post-impresionistë të famshëm thonë në letër se ishin të bindur se po drejtonin një “rilindje të madhe të artit”. Artistët kishin perfeksionuar vizionin e tyre në Arles, por megjithatë pasi qëndruan disa muaj së bashku miqësia e tyre u prish me sherr dhe Gauguin u largua nga qyteti.

Letra me datë 1-2 nëntor 1888, ishte shkruar disa javë para se Van Gogh të pësonte një krizë nervore, gjatë së cilës, siç dihet botërisht, ai preu veshin e tij. Artisti holandez vrau veten në 1890. Muzeu Van Gogh në Amsterdam, ku letra do të vendoset në ekspozim thotë se kjo është e vetmja korrespondencë që ai ka pasur me një artist tjetër.

Muzeu e përshkruan atë si “dokumenti më i rëndësishëm i shkruar nga Van Gogh që ishte ende në duar private”. Drejtoresha e Van Gogh Museum, Emilie Gordenker, tha se ishte e emocionuar për marrjen e letrës dhe ekspozimin e saj. Në letrën me 4 faqe tregohet sesi dy artistët punojnë në Arles në apartamentin e marrë me qera në atë që njihet si “Shtëpia e Verdhë”.

“Tani diçka që do të të interesojë. Kemi bërë disa vizita në bordello dhe me sa duket gjasat janë të mëdha të shkojmë përsëri atje për të punuar. Për momentin Gauguin është duke punuar një pëlhurë të asaj nate në kafe, që e kam pikturuar dhe unë, por me figurat që shihen në bordello. Duket se do të dalë diçka e mrekullueshme” – thuhet ndër të tjera. ©LAPSI.al

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *