• |
ide | kryesore

Si po shkon Kosova në takimin e Shtëpisë së Bardhë/ Disa të vërteta që s’po i themi dot

-Instant, 2, Ide



Pak ditë na ndajnë nga 27 Qershori 2020, kur Beogradi dhe Prishtina do të ulen në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Ambasadorit Grenell dhe Presidentit Donald Trump, për të arritur një marrëveshje të përfolur, për të cilën askush nuk jep detaje, askush nga klasa politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, o nuk di asgjë o bën sikur nuk di.

Dhe në këtë situatë të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodhen, janë të mpirë. Askush nuk është i qetë, edhe pse Presidenti Thaçi është shprehur së fundmi disa herë se nuk do të ketë ndarje apo korrigjim kufijsh, edhe pse vetë Grenell tha se do të flitet për ekonomi dhe nëse palët nuk arrijnë dakordësinë mund rikthehen prapë te ‘status quo’.

Por, askush nuk mund të qetësojë askënd kur po shkohet në një marrëveshje jo si rezultat i një dialogu të bazuar në paritet, me zero transparencë dhe për më tepër pa praninë e BE. BE di për këtë marrëveshje vetëm një javë përpara se të fillojnë bisedimet, hiç më pak e hiç më shumë se një gazetar sporti në një televizion lokal në Kosovë apo Shqipëri.

Amerika ka hije të rëndë për shqiptarët, jo pak prej tyre sidomos në Kosovë e thërrasin dhe ‘Nënë’ apo ‘Babë’. Ka prapë nga ata që dhe në këto ditë të mjegullta citojnë atë thënien e famshme kur Amerika shpëtoi ekzistencën e shtetit shqiptar ‘Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë’, etj, etj., si këto, po pak ditë përpara se palët të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë, duhet t’ua themi shqiptarëve disa të vërteta të cilat ata as nuk guxojnë t’i mendojnë.

Së pari dhe mbi të gjitha, pavarësisht dyshimeve të forta për nga mënyra, mungesa e transparencës dhe shumë faktorë të tjerë negativë, ndër to dhe rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit në kohë pandemie, (i cili pranoi t’i ‘japë dorën Grenell, por jo të shtrihet në këmbët e tij’): pra duke i harruar në një moment të gjitha këto, duhet të mos harrojmë e mos ta themi, se po shkohet për një marrëveshje, jo në prani të një personaliteti demokratik si Ahtisari, por në prani të Donald Trump, që jo vetëm mishëron një filozofi të caktuar, por më shumë në politikën e jashtme vepron si biznesmen, se si politikan.

Jo më larg se para disa ditësh, ai u shpreh se nuk do të dërgojë më ushtrinë për të zgjidhur problemet në vende të tjera dhe këtu hapini sytë mirë: nuk do të përfshihet më në eksperimente për të krijuar shtete të reja që nuk janë në gjendje të qëndrojnë në këmbë me forcat e veta.

Dhe jo më larg se dje ish njeriu i tij i afërt, Jonh Bolton, si shumë njerëz të tjerë të afërt të tij që po kundërshtojnë sjelljen dhe vendimet e tij aspak demokratike, në librin e fundit të sapo botuar flet dhe për favorizime konkrete, direkte dhe jo ligjore nga ana e Trump të diktatorëve të ndryshëm në botë.

Nga ana tjetër ky është dhe momenti më i disfavorshëm për shqiptarët. Nuk e mohon dot askush që serbët janë në supremaci lobuese aktualisht, kanë zhbërë shumë njohje të Kosovës, ashtu sikurse laj- thaj shqiptarëve u ka mbetur vetëm një njeri në kongres si Eliot Engel, shqetësimet e të cilit, të shprehura dhe në letra për Kosovën, nuk marrin as përgjigje.

Edhe ndërmjetësimi dhe prania e Grenell për shqiptarët shkon në këtë trajektore. Ai në Berlin është përshkruar vazhdimisht nga shtypi si një diplomat kontroversial dhe diplomatikisht i izoluar nga kolegët europianë. Shumica e politikanëve gjermanë i kanë evituar kontaktet me të për shkak se e ka identifikuar gjithmonë veten me të djathtën ekstreme. Mjafton të kujtosh si rrëzoi qeverinë Kurti në kohë pandemie, për të kuptuar se çfarë lloj respekti ka për Kosovën si shtet.

Është fare e qartë për këdo se Prishtina po shkon e pabarabartë me Beogradin në Uashington. Dhe Serbia është aq e favorizuar sa dhe në një analizë të fundit të gazetës The Guardian, nënvizohet frika e Rusisë, që Serbia do të përfitojë aq shumë nga kjo marrëveshje e beftë, sa që mund t’i kthejë kurrizin dhe Moskës.

Nuk dua të bëj profetin për ‘27 Qershor 2020’, po nga të gjitha këto fakte dhe elementë që rendita më sipër vetëm një varg i poetit tonë të dashur Xhevahir Spahiu më vjen hë për hë në mend:

Nëse më pyet:

Si qe ky vit që shkoi?

Të përgjigjem: I zi.

Ky vit që vjen

O Zot se s’të besoj

Në mos i bardhë

Të paktën qoftë gri.



4 Comments

  1. Shkrimi eshte shume i mire,ndoshta sepse Andi ka qene esell.
    Puna eshte se Shqiperia ka qene e vdekur per europen gjithe jeten.Askush ne Europe nuk ka kundershtuar kur Shqiperia eshte pushtuar qe nga turqit,greket,italianet,serbet,austriaket,gjermanet,ruset etj etj.
    I vetmi shtet ka qene dhe mbetet Amerika,por liria kushton nuk eshte e lire.
    Kane vdekur ato kohe kur “kalova lumin te dhjevsha kalin”.
    Cfaredo zgjidhje qe te japi Amerika eshte 100 here me e mire se nje zgjidhje kurverore e Europes.
    Europa aty ka qene kur serbet vrane 10.000 kosovare,as qe cau sumen njeri,vetem tek lluksi e kane mendjen.
    Andi me pelqen shkrimi dhe XH.Spahiu i pavdekshem.

  2. Vendimi për djegien e mandateve parlamentare ishte vija ndarëse mes Rudina Hajdari dhe Lulzim Bashës.

    Menjëherë Lulzim Basha vendosi ta përjashtojë nga PD. Më pas Lulzim Basha urdhëroj mediat pranë tij, që të linçohej në maksimum Rudina.

    Filluan teoritë kospirative, k sipas tyre Rudina, kishte dakordësuar një marrëveshje me Edi Rama për të shpëtuar të ëmën nga procesi i vettingut.

    Sot Fatmira Hajdari, nuk është më në sistemin e drejtësisë. Nuk e “shpëtoj dot marrveshja” e Rudinës me Ramën.

    I gjithë lançimi që i është bërë Rudina Hajdarit këto kohë ka qënë vetëm e vetëm se Rudina nuk pranoj t’i nënshtrohet Lulzim Bashës.

    Tani, shpurra e Lulzim Bashës me në krye Çimin e syrit, duhet t’i kërkojë falje publike Rudinës, e cila guxoi të shprehë qëndrimin e saj, duke harruar se sa shumë kushton “mendimi ndryshe” në këtë seli politike.

  3. Ne takimin e Washingtonit me 27 qerhor,Presidenti Tramp,nuk merr fare pjese.Takimi,do kete vetem format ekonomik (sepse simbas Homoseksualit Gremell,po te rregullohet ekonomia,sidomos ne Kosove -se ne Serbi eshte me ndryshe,do i shtohet dashuria kosovareve per serbet (qe nuk lane grua e vajze pa e perdhunuar,si dhe me mijera te vrare),dhe me siguri,qe do te organizojne parti,cdo jave,ose edhe dy here ne jave,mes tyre.Dhe mbas kesaj mbledhjeje,apo takimi bombastiko-fantastik,qe nuk do arrihet asgje,do i kalohet topi BE,pra Lajcakut,qe as ai vete dhe shteti i tij,nuk e njeh ,akoma Kosoven,qe BE-ja te merret me vijimin e Mogherinit,dhe te kalojne edhe disa vite te tjera,pa asnje marveshje serioze,qe te mund te zbatohet.A besohet qe nje homoseksual te jape nje prodhim…..?????

  4. Si shkrimi i Bejtjes ashtu edhe komentet.
    Bejtja është në merak të madh për patriotizmin socialist të Kurtit e ka besim më të mash tek Europa se tek SHBA,
    Komentuesi i parë e ka lexuar sëprapthi Bejtjen. dhe e përgëzon ate për mendimin e kundërt me të tijin.
    Komenti i dytë ka ngatëruar adresën, ka ngatëruar Grenellin me Rudina Hajdarin.
    Komentuesi i tretë, është në merak të madh se Grenell si “gej”, do të sjell tek shqiptarët homoseksualitetin.

    Duke lexuar shkrimin e komentet, mu kujtua një video humoristike e vjetër që qarkulloi gjatë sikletit të pandemisë në Shqipëri..
    Një vajzë del e kndon para një jurie,
    Antarët e jurisë kërdisen së qeshuri me stonaturat e saj.
    Vajza me naivitet ju thotë :
    “Kështë është kënga”, po këndoj një këngë tjetër.
    Pasi këndon këngën tjetër akoma për dreq, një antar i jurisë i thotë se ti nuk ke vesh muzikor e stonon..
    ” Epo si jemi kokolepsur ne, na ka ikur mëndja fare” u përgjigj vajza pa i rënë në të se çfarë është të stonosh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *