Në draftin e publikuar nga News 24c thuhet se KQZ refuzon listat e partive, nëse nuk kanë në përbërje 30 përqind femra, ndërsa saktëson se qeveria 4 muaj para zgjedhjeve nuk merr dot vendime.

Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor është edhe përcaktimi se “Nuk mund të ulen taksat 4 muaj para zgjedhjeve. Nuk mund të rriten pensionet 4 muaj para zgjedhjeve”.

KQZ aktuale do të shkrihet ditën që Kodi i ri Zgjedhor hyn në fuqi.

Ne pjesen e zgjedhjeve, percaktohet:

Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 9 të këtij ligji.”

Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një ditë të diel brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij ligji.

Kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 prilli deri në 15 maj, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

Kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri në 15 nëntor, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 18:00.

Përbërja dhe funksionimi i KQZ-së

1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, i cili drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e adminstratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.

2. Organet drejtuese të KQZ-së janë: i. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; ii. Komisioni Rregullator; dhe iii. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

3. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët.

4. Komisioni Rregullator (Rregullatori) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Rregullatori funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në mbledhje publike, të cilat thirren nga Komisioneri.

Në rast se Komisioneri nuk vë në lëvizje Rregullatorin ose KAS-in kur ka çështje të kompetencës së tyre, atëhere organet vetëmblidhen me kërkesë të çdo anëtari. Për pjesëmarrjen në mbledhje, anëtarët e Rregullatorit përfitojnë shpërblim në masën 50 për qind të pagës mujore të Komisionerit, por jo më shumë se 80 për qind të pagës vjetore të këtij të fundit.

5. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. KAS-i funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në seanca publike të shqyrtimit administrativ, të cilat thirren nga Komisioneri, me pjesëmarrjen e palëve të interesuara. Në rast se Komisioneri nuk vë në lëvizje Rregullatorin ose KAS-in kur ka çështje të kompetencës së tyre, atëhere organet vetëmblidhen me kërkesë të çdo anëtari.

Për veprimtarinë e tyre gjatë periudhës, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore ose zgjedhjeve të pjesshme, deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, anëtarët e KAS-it përfitojnë shpërblim të barabartë me shumën e pesë pagave mujore të Komisionerit.

Për veprimtarinë që zhvillojnë jashtë kësaj periudhe, anëtarët e KAS-it përfitojnë shpërblim në masën 50 për qind të pagës mujore të Komisionerit. 6. Anëtarët e Rregullatorit dhe të KAS-it nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht detyra të tjera brenda organeve, institucioneve apo enteve, pjesë e pushtetit ekzekutiv.

7. Veprimtaria e KQZ-së, organeve drejtuese dhe e administratës, udhëhiqet, sipas rastit, nga ky ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, si dhe nga ligji Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

1. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.

2. Kanë të drejtën të kandidojnë ose të propozohen për komisioner, shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

3. Përzgjedhja e Komisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjëshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentat apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjëshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.

4. Personi që kandidon ose që propozohet për komisioner nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen, nëse në momentin e kandidimit ka qenë në ushtrim të detyrës si funksionar, nëpunës i nivelit të lartë drejtues, apo drejtues i organizatës jofitimprurëse, ose kur komisioni kompetent i Kuvendit krijon bindjen se marrëdhënien e tij të punës e ka ndërprerë për shkak të kandidimit ose propozimit për komisioner.

5. Personi që kandidon ose që propozohet për komisioner nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen nga Kuvendi, nëse është anëtar aktiv i ndonjë partie politike, ose nëse ka interesa private, të dukshme ose të njohura, plotësimi i të cilave varet nga qeverisja në nivel qendror ose vendor.

6. Paga dhe privilegjet e Komisionerit janë të njëjta me pagën dhe privilegjet e kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

1. Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (nënkomisioneri) zgjidhet nga Kuvendi për një periudhë 4-vjeçare me detyrën për të monitoruar dhe mbikëqyrur implementimin e teknologjisë për identifikimin elektronik dhe rekrutimin dhe trainimin e zyrtarëve zgjedhorë.

2. Nënkomisioneri është përgjegjës për përcaktimin e zbatueshmërisë dhe drejton punën për zbatimin e projektit të identifikimit elektronik të votuesve. Ai bashkushtron me të drejta të barabarta me komisionerin kompetencat për përzgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e teknologjisë për identifikimin elektronik të zgjedhësve.

Neni 15 Komisioni Rregullator (Rregullatori)

1. Rregullatori përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët njeri ushtron detyrën e kryetarit. Kryetari dhe anëtarët e rregullatorit zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj për Komisionerin.

2. Kandidati për kryetar ose anëtar i Rregullatorit duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret për të qenë Komisioner. Kriteri i eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim zëvendësohet për kandidatin për anëtar të Rregullatorit me kriterin e eksperiencës së mëparshme të suksesshme në hartimin, shqyrtimin ose oponencën e legjislacionit. Dokumentat apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjëshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.

3. Mënyra e funksionimit të Rregullatorit dhe procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të akteve përcaktohet në rregulloren e mbledhjeve të Rregullatorit.

8. Anëtarët e Rregullatorit i nënshtrohen dispozitave të legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesave.