• |
ide | kryesore

Analiza e “Foreign Policy”: Takimi në SHBA u gatua keq nga Grenell që prej fillimit

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Në mars të këtij viti, administrata Trump projektoi me sukses rrëzimin e një qeverie miqësore në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Në vend të një operacioni të fshehtë i CIA-s, administrata dhe ambasada amerikane i bënë presion të hapur. Brenda disa javësh, nga pezullimi i ndihmës për zhvillim dhe kërcënimi për tërheqjen e trupave amerikane nga forca paqeruajtëse e NATO-s, qeveria e kryeministrit reformist Albin Kurti u rrëzua.

Ndërsa Uashingtoni ishte i zënë me presionin ndaj Kosovës, Moska dhe Pekini po bënin të kundërtën në Serbi: duke i siguruar një mbështetje të fortë për pandeminë, pasi koronavirusi filloi të përfshinte Ballkanin. Përveç kamionëve dhe avionëve me ngarkesa materialesh që fillonin nga pajisjet mbrojtëse personale deri te ventilatorët, Rusia dhe Kina dërguan personel njerëzor për të kryer misione. Ekspertët rusë të luftës biologjike dezinfektuan spitalet. Ekspertët kinezë të shëndetit publik nga Wuhan udhëzuan zyrtarët serbë sipas modelit të rreptë të testimeve dhe karantinës që u bë baza për përgjigjen serbe ndaj koronavirusit.

“Tumori” ende në zhvillim i pandemisë së COVID-19, që kërcënon të shndërrojë Ballkanin në një zonë ndikimi Sino-Ruse, e pa takimin e së shtunës në Shtëpinë e Bardhë midis Serbisë dhe Kosovës – si një përparim “historik” – një të ardhme të re, në një perspektivë shqetësimesh. Interesat e sigurisë kombëtare të Amerikës qëndrojnë në heqjen dorë të modeleve ruse dhe kineze në rajon duke bashkëpunuar ngushtë me aleatët e saj evropianë. Fatkeqësisht, administrata Trump, në një përpjekje të nxituar për të bërë një “goditje” në marrëdhëniet publike shkatërroi unitetin perëndimor në momentin kur Rusia dhe Kina po “shtrëngojnë radhët” për një axhendë investimesh në rajon. Për më tepër, strategjia miope komplikoi bisedimet për një ulje në tryezë të Kosovës duke forcuar idetë e Beogradit për një shkëmbim territoresh shumë problematik. Njoftimi i bombës se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është paditur për krime lufte i rrezoi themelet strategjisë së administratës së Trump, duke prishur makinacionet e saj në politikën e Kosovës dhe duke bërë që takimi i së shtunës të dalë fiasko.

Vetë Presidenti amerikan Donald Trump përcaktoi qëllimet e administratës së tij në letrat e dërguara në 2018 dhe 2019 drejtuar presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, duke i nxitur ata të arrijnë një “marrëveshje historike” për një “paqe gjithëpërfshirëse”, e cila do të përfshinte si elementin kryesor të saj “njohjen e ndërsjellë.” (Serbia refuzon të njohë provincën e saj të mëparshme, duke e lënë Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara dhe shumicës së organizatave ndërkombëtare.) Trump emëroi ambasadorin e atëhershëm në Gjermani Richard Grenell si të dërguarin e tij të veçantë për negociatat në Kosovë dhe Serbi. Grenell u përfshi në këtë detyrë me qejf të madh, duke e përqendruar politikën e tij në krijimin e vendeve të punës në një rajon që po vuan nga hemorragjia e largimit të të rinjve të saj. Por marrëveshja e parashikuar e së shtunës së kaluar për bashkëpunim ekonomik duket shumë larg kritereve të Trump për sukses. Sipas të dërguarit të SHBA, shtylla kurrizore e bisedimeve do të jenë marrëveshjet për lidhjen ajrore, hekurudhore dhe lidhjen e autostradës midis Serbisë dhe Kosovës. Vizioni i tij është të krijojë “vrull” nga “normalizimi ekonomik”, duke i hapur rrugën zgjidhjes politike.

Ka shumë arsye për të qenë skeptik. Së pari, i dërguari special ka zvogëluar dinamikën e bisedimeve në favor të Beogradit. Për të filluar bisedimet, Grenell kishte kërkuar që secila palë të heqë në mënyrë reciproke pengesat e saj – heqjen e tarifave nga ana e Kosovës dhe ndalimin e fushatës kundër njohjes së Kosovës nga ana serbe. (Serbia ka bindur një numër vendesh në zhvillim që të heqin njohjen e tyre për Kosovën.) Në njoftimin e tij për takimin e Shtëpisë së Bardhë, Grenell zhvendosi sërish goglat në favor të Serbisë. Përtej heqjes së tarifave, Kosova duhej të pajtohej të pezullonte përpjekjet e saj për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare. Kjo ishte arsyeja kryesore që Grenell donte të rrëzonte qeverinë Kurti, i cili luftoi për barazi në negociatat me Serbinë. Lëshimet ishin gjithashtu një gabim serioz i tij si negociator. Delegacioni kosovar hoqi dorë nga e vetmja pikë që i bënte presion Beogradit, i cili u detyrua të shpenzojë energji të konsiderueshme diplomatike për ta mbajtur Kosovën jashtë organizatave si Interpol. Kjo i jep Serbisë një arsye më shumë për të qëndruar në pozicionin e saj. Dhe Kosova nuk ka fituar asgjë në këmbim të këtij lëshimi, madje as të rrisë mbështetjen politike të SHBA-ve. Përkundrazi, Grenell njoftoi se të gjitha çështjet e vështira politike do t’i lihen Bashkimit Evropian në një dialog në dy faza, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të përqendrohen ekskluzivisht te ekonomia që nga fillimi.

Së dyti, insistimi i Uashingtonit për të ndërmjetësuar fillimisht i vetëm i mëshon synimit për sukses. Marrëveshja për Normalizimin e Brukselit në 2013 midis Serbisë dhe Kosovës u arrit me bashkëpunim politik të ngushtë të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Veçanërisht, ishin Aleksandar Vuçiç dhe Ivica Daçiç, tani presidenti i Serbisë dhe ministri i jashtëm që pranuan Marrëveshjen e Brukselit. Përfshirja e BE ësshtë një kujtesë se me një bashkëpunim të ngushtë diplomatik, Perëndimi mund të përdorë ndikimin edhe më fuqishëm.

Së treti, ideja që BE-ja do të marrë më vonë drejtimin për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura politike bie ndesh me sensin e përbashkët. Për asgjë Evropa nuk është më e përçarë politikisht sesa për Kosovën. 5 vende të BE nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përfshirë Sllovakinë dhe Spanjën, përkatësisht vendet e të dërguarit special të BE për Serbinë dhe Kosovën, Mirosllav Lajçak dhe Ministrit të Jashtëm, Josep Borrell. Për shkak të ndarjes, BE as nuk flet për njohje, duke kërkuar vetëm që Beogradi “të normalizojë” marrëdhëniet e tij në mënyrë që të plotësojë kushtet për anëtarësim në BE. Duke përmendur këtë dobësi, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përçmuar Lajçakun në favor të Grenellit, por tani Thaçi është zhdukur nga fotografia dhe pala kosovare duhet të varet nga i dërguari i BE-së, në negociatat politike që duken edhe më të vështira. Prishtina tani është në gjendje kaotike, me kryeministrin e ri Avdullah Hoti që u tërhoq nga takimi i orkestruar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Serbisë Vuçiç, fuqitë e të cilit nuk kanë qenë kurrë të mëdha. Rrallë herë një negociatë diplomatike delikate ka qenë kaq e pabarabartë.

Së katërti, edhe duke supozuar se teoria e Grenell për çështjen është e saktë – që normalizimi ekonomik do të çojë në përparim politik – i dërguari special i SHBA-së vetëm sa e ka bërë më të vështirë realizimin e vizionit të tij, veçanërisht për një zonë të tregtisë së lirë. Synimi i vetëm që Serbia dhe Kosova ndajnë me të gjithë fqinjët e tyre është të bashkohen në zonën e madhe të tregtisë së lirë, Bashkimin Evropian. Heqja e barrierave ekzistuese (para anëtarësimit) mbi tregtinë kërkon njohuri të ndërlikuar të rregulloreve të BE-së sepse vendet e Ballkanit janë në faza të ndryshme të afrimit me BE-në. Në vend që të bashkëpunojë me këtë përpjekje të denjë, Grenell ka dalë nga rruga duke anashkaluar evropianët, përfshirë aktorin më të madh ekonomik të Evropës, Gjermaninë. I dërguari i SHBA ka injoruar përpjekjet e BE-së me komunitetet e biznesit, për shembull duke bashkuar krerët e Dhomave të Tregtisë të Serbisë dhe të Kosovës. Duke vepruar kështu, ai ka bërë më pak të mundshme që Brukseli të dëgjojë Uashingtonin dhe t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave që ka shumë nevojë.

Së pesti, Grenell injoron ndikimin e fortë të korrupsionit dhe sundimin e dobët të ligjit në ekonomitë e Ballkanit. Eksodi i të rinjve nga gjithë ekonomitë e rajonit ka si shkak mungesën e punëve të mira, por edhe nga sistemi sklerotik për shpërndarjen e tyre – përmes lidhjeve, jo nga meritat. Nëse rritja ekonomike dhe vendet e punës do të ishin me të vërtetë përparësia e Grenell, ai kurrë nuk do ta dëbonte Kryeministrin Kurti, i cili tashmë kishte filluar të ndërmerrte hapa të guximshëm për të luftuar korrupsionin dhe forcuar transparencën në Kosovë.

Së gjashti, edhe duke supozuar se Shtetet e Bashkuara kapërcyen të gjitha këto pengesa dhe menaxhuan, vetëm ose me ndihmën e BE, për të katalizuar zhvillimin dhe tregtinë midis Serbisë dhe Kosovës, kjo nuk do të ndryshojë fuqinë e tyre themelore dhe pabarazinë mes tyre. Tregtia e hapur me Kosovën – sado e dëshirueshme dhe e lavdërueshme – nuk ka gjasa të bëhet me rëndësi vendimtare për Serbinë.

Së shtati dhe që të bën më shumë të reflektosh, ka pak shembuj nga rajoni që interesi ekonomik të nxitë marrëveshje politike. Për shembull, Greqia ka qenë prej kohësh një investitor i madh në Maqedoninë e Veriut, dhe megjithatë për gati 3 dekada Athina veproi kundër interesit të saj financiar, duke e mbajtur fqinjin e saj më të dobët verior larg nga NATO dhe BE, ashtu si Serbia izolon Kosovën.

Në vend të tregtisë apo të rritjes, përparimet më të mëdha politike në rajon kanë ardhur si rezultat i presionit ose të iniciativave të Perëndimit (si në 2013-ën) ose udhëheqjes vizionare, siç u tregua nga kryeministri grek Alexis Tsipras, i cili mori guxim për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjen për emrin “maqedonas” në vitin 2018. Një profil tjetër guximi është Presidenti malazez Milo Djukanoviç, që pasi mori një kthesë vendimtare drejt Perëndimit, i kërkoi falje Kroacisë në vitin 2000 për bombardimin e Dubrovnikut. Në të dy rastet, përparimet politike hapën rrugën për pikërisht atë që Grenell po kërkon për Kosovën dhe Serbinë: pajtim i mirëfilltë midis armiqve dhe zgjerim i bashkëpunimit ekonomik.

Fatkeqësisht, Presidenti i Serbisë Vuçiç nuk pranon të ndërmarrë hapin vendimtar që bëri Gjukanoviç drejt Perëndimit, në vend të “balancimit” të marrëdhënieve të Serbisë me BE dhe SHBA nga njëra anë dhe me Kinën dhe Rusinë nga ana tjetër. Ai as nuk është i gatshëm, si Tsipras, të ruajë nderin kombëtar përmes respektit të ndërsjellë për një frymë të mirëfilltë kompromisi. Ndërsa Vuçiç flet për kompromis, ai refuzon të hedhë bazat për të, madje në vend të kësaj inkuadron kërkesën e tij thelbësore për një kompensim për një humbje të hidhur. Autokrati kontrollon pothuajse plotësisht median dhe narracionin në Serbi dhe nuk përballet me ndonjë opozitë të rëndësishme politike, megjithatë ai kurrë nuk ka realizuar seriozisht “dialogun e brendshëm” të premtuar për Kosovën që do të hapte njohjen e përgjegjësisë së rëndë serbe për luftën e Kosovës dhe do të hiqte pengesat për një zgjidhje përfundimtare. Njoftimi nga Dhomat e Specializuara në Hagë për akuzat e forta ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorit të tij, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, nënvizon vetëm nevojën për vetë-ekzaminim të plotë serb. Ndërkohë tabuja në Kosovë për të folur për krime kundër serbëve është copëtuar më në fund.

Kështu duhet të jetë edhe në Serbi me të kaluarën e saj të heshtur, duke u kthyer përsëri te akti origjinal i çmontimit të autonomisë së Kosovës dhe nxitjes së represionit. Nevoja në Serbi dhe në Kosovë për t’u përballur me të kaluarën është po aq e vonuar dhe thelbësore sa përpjekjet për të rritur ekonominë – dhe tani, me faktet e hapura është shumë më e realizueshme.
Herë pas here, Vucic “spërkat” në opinion citime të kriptuara duke përmendur nevojën për të “pranuar realitetin” në fillim të rrëfimit të viktimizimit të shumicës serbe në Kosovë, në duart e NATO-s dhe shqiptarëve. Ka pak njohje të përparimit, siç është ndjenja në rritje e sigurisë mes serbëve të Kosovës dhe preokupimi i tyre i pakët për çështjet ndër-etnike. Çuditërisht, Beogradi duket se ka humbur interesin për krijimin e një shoqate të komunave serbe të Kosovës, dikur një kërkesë thelbësore që kosovarët e kishin pranuar.

Duke qëndruar në krah të Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, javën e kaluar Vuçiç shprehu kërkesën e tij të qartë për kompensim për njohjen e Kosovës, duke thënë hapur se vetëm anëtarësimi në BE nuk do të ishte i mjaftueshëm. Diplomatët kanë kohë që e kanë kënaqur Vuçiçin me idenë e kompensimit, duke e ndihmuar atë të shkojë te shkëmbimi i diskutueshëm i territoreve për të cilin thuhet se Vuçiç u pajtua me homologun e tij, Thaçi, vitin e kaluar. Por shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë nënkupton gjithashtu lëvizjen e popullsisë, një problem serioz në Kosovë, ku më shumë se gjysma e serbëve të vendit do të përfundonin në “anën e gabuar” të kufirit të ri. Ndarja e Kosovës do të ngjallte impulse të ngjashme etno-territoriale rreth rajonit, arsyeja kryesore që i dërguari i BE Lajçak së bashku me figura të tjera evropiane e kanë përjashtuar. Grenell insiston që shkëmbimi i territoreve nuk është pjesë e planit të tij. Sidoqoftë, nuk ka asnjë provë që Grenell të ketë barazuar presionin e tij mbi Prishtinën me diçka të ngjashme mbi Beogradin, një hap që mund të frenojë oreksin për kompensim.

Për ironi të fatit, teksa presidenti serb bëhet edhe më i pushtetshëm brenda vendit – pas zgjedhjeve të së dielës, të cilat u bojkotuan nga opozita, partia dhe bashkëpunëtorët e Vuçiç tani kontrollojnë praktikisht tërë parlamentin serb – më pak i kërkohet atij ndërkombëtarisht. Ky trend duket se do të vazhdojë. Vuçiç gëzon mbrojtjen e fqinjit të tij, kryeministrit hungarez Viktor Orban. Orban është partneri më i ngushtë i Vuçiç në BE dhe kampioni më i zëshëm i anëtarësimit të Serbisë në BE. Deri më tani, Orban është i vetmi udhëheqës i BE-së që uroi Vuçiç për fitoren e tij të dyshimtë në zgjedhje.

Orban i ofron Vuçiçit një model politik për të përqafuar Rusinë dhe Kinën dhe duke e mbajtur në gji, BE-në. Beogradi tashmë ka ndërmarrë një kthesë alarmante drejt Lindjes, veçanërisht tashmë që Kina po ndërton “diplomacinë e maskave” të COVID-19. Marrëdhënia Sino-Serbe ka kaluar përtej nënshkrimit të investimeve të financuara nga Kina, në fushën e sigurisë kombëtare dhe madje edhe të vlerave kombëtare. Për të cituar një shembull shqetësues, Beogradi ka kontraktuar me kompaninë kineze Huawei për të instaluar 1 000 kamera sigurie në Beograd. Ky hap vjen pasi Vuçiç ka marrë kontrollin e aparateve të sigurisë, hetimit dhe inteligjencës së Serbisë, përfshirë instalimin e besnikëve në nivele të larta dhe madje operacionale, duke rritur mundësinë e abuzimit nga Beogradi apo dhe Pekini gjithashtu.

Rusia dhe Kina gëzojnë të dyja një trajtim mjaft të favorshëm në median serbe në krahasim me BE-në, të cilën Vuçiç e goditi në fillim të pandemisë për përgjigjen e saj të vetë-përballimit të situatës. Autokrati kënaqej në shfaqje ekzibicioni, si puthja e flamurit kinez dhe vendosja e Serbisë në tabela të ngjashme të kultit, duke shprehur mirënjohjen për “Vëllanë Xi”. Vuçiç sapo u kthye nga Moska dhe takimi i tij i 18-të me Presidentin rus Vladimir Putin të cilin Vuçiç e ka falënderuar në mënyrë entuziaste për udhëzimet e të cilit ai duket se po i ndjek. Pabarazia në trajtimin midis Perëndimit dhe Lindjes ka pasur një ndikim të fortë në opinionin publik në Serbi. Pothuajse 3 në 4 serbë gabimisht besojnë se Rusia dhe Kina janë partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit, megjithëse më shumë se dy të tretat e tregtisë së Serbisë janë me BE-në.

Për dallim nga Perëndimi, Kina dhe Rusia nuk tregojnë shenja rivaliteti ndaj Serbisë. Përkundrazi, pandemia koronavirus i ka afruar ato, ndërsa ndërmarrja e gabuar e administratës Trump në Kosovë ka krijuar një tjetër palë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Teksa afrohet takimi gjithnjë e më i trazuar i Shtëpisë së Bardhë mes Serbisë dhe Kosovës, është koha që zyrtarë të vjetër si Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, të hedhin një vështrim më të afërt për punën e Grenell. Vetë objektivat e deklaruara të Trump – ndaj Kinës dhe vetë Kosovës – janë në rrezik. ©Marrë nga Foreign Policy, Përshtati LAPSI.al



2 Comments

  1. YMER GELBAZA KELLIRA DHE ZAGARET E TREDHUR NGA EDI RAMA ME SHUME JANE TE SHQETESUAR SE MOS PO KTHEHET ALBIN KURTI KRYEMINISTER SE SA MOS PO DENOHET HASHIM THACI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *