• |
ide | kryesore

Dosja kriminale e Behar Bajrit për vrasje, gjobëvënie e pastrim parash, por gjykata e nxjerr nga burgu

Arkiva, Lajme, Të fundit



Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Shkodrës vendosi të hënën zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” të Behar Bajrit, i cili aktualisht po hetohet për vrasje, gjobëvënie, pastrim parash, armëmbajtje pa leje dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

Nga Edmond Hoxhaj

Behar (Brajoviq) Bajri, i cilësuar si një prej anëtarëve të grupit të ashtuquajtur “Bajri”, që dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale – nga vrasja, gjobëvënia e deri tek pastrimi i parave, fitoi lirinë në hënën më 29 qershor, pasi Gjykata e Shkodrës përcaktoi si masë sigurie detyrimin për paraqitje të tij duke zëvendësuar masën e deritanishme të arrestit me burg në pritje të gjyqit.

Koordintorja për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Blenda Behri, i tha BIRN të hënën se, me kërkesë të prokurorit Xhevahir Lita, gjyqtari Sokol Shehu ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” të caktuar më parë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj Behar Bajrit, në masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit”.

Më 21 shtator 2018 Policia e Shtetit arrestoi në zonën e Xhamllikut në Tiranë Safet Bajrin [Rustemi] – një ndër më të kërkuarit e autoriteteve belge në atë kohë. Paralelisht operacioni u shtri edhe në Shkodër dhe Roterdam të Holandës, duke arrestuar 11 persona të akuzuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me qendër në lagjen Dobraç të Shkodrës.

Operacioni u trumbetua si një goditje e suksesshme kundër krimit të organizuar nga Shqipëri nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Pas arrestimit të Safet Bajrit në Tiranë, Behar Bajrit në Holandë dhe Enver Bajrit në Spanjë, ish- Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti një mori akuzash; mes të cilave përfshirje në gjobëvënie, lotari të paligjshme e trukim ndeshjesh si dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm mbi administratën shtetërore, krime që sipas saj u kryen në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Por gati dy vjet pas nisjes së hetimeve, drejtësia dështoi të vërtetonte ekzistencën e një grupi të strukturuar me emrin “Bajri”, ndërsa dosja është dërguar për gjykim më datë 17 qershor me akuza të rrudhura.

SPAK e pushoi akuzën e “grupit të strukturuar kriminal” duke u bazuar në kriterin numerik formal të bashkëpunimit mes tre anëtarësh të përcaktuar në Kodin Penal dhe e përcolli dosjen në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës në shkurt 2020.

Nga shkurti në maj 2020, dosja “Bajri” bëri disa herë ecejake mes Tiranës dhe Shkodrës para se Gjykata e Lartë të ndërhynte në konfliktin e kompetencës, duke i dhënë të drejtë SPAK-ut.

Më datë 20 maj, në zbatim të urdhërimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Shkodrës zhvilloi seancën për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë së këtij rrethi, për “shuarje dhe caktim mase” ndaj të ndaluarve në shtator të 2018-ës si anëtarë të grupit “Bajri” në Shkodër duke lënë të lirë shumicën e tyre.

Gjykata e Shkodrës pranoi atëherë kërkesën e prokurorisë respektive për shuarjen e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj Behar Brajoviq Bajri, i dyshuar për kryerjen e veprave penale: “vrasje me dashje” mbetur në tentativë; “vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim; “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; “organizimi i llotarive të palejuara”; “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ndërsa zgjati afatin e paraburgimit për 1 muaj për veprat penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojne funksione publike” dhe “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” për t’i dhënë lirinë të hënën më 29 qershor.

Po ashtu u vendos zgjatja e afatit të paraburgimit edhe për Ilir Rustemin, për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim dhe zëvendësimi i masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në shtëpi” në “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për të dyshuarin Emrah Plaku, i dyshuar për veprën penale “Organizim i llotarive të palejuara” në bashkëpunim.

Për Safet Rustemin(Bajri) u shua masa për veprën penale “paracaktimi i rezultateve në garat sportive” për qëllime të fitimit pasuror, e kryer në bashkëpunim dhe vazhdimi i vuajtjes së dënimit për efekt të njohjes se vendimit penal të gjykatës Belge për “shfrytëzim prostitucioni”.

Masa e sigurisë “arrest në burg” u shua edhe për Astmer Bilalin dhe u caktua masa “arrest në shtëpi” për veprën penale “paracaktimi i rezultateve në garat sportive”; “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; “futja apo mbajta së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”.

Për Samet Hallunin, i dyshuar për veprën penale “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer bashkëpunim, si dhe për Jorida Muratin, e dyshuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” u vendos “detyrim paraqitje”./ BIRN



2 Comments

  1. Tani keta persona jane gati per t’u bere deputet ne zgjedhjet e ardhshme!
    Kriteri kryesor ne kete vend per t’u bere deputet eshte te keshe qene kriminel dhe ne burg.

  2. KJO ESHTE DREJTSIA MBAS REFORMES SE NDERKOMBETARVE , TE NXIRREN KRIMINELET NGA BURGU , PER TURPIN E TYRE SPAKU JA DERGON CESHTJEN GJYGJTARVE TE SHKODRES , E GRUPI KRIMINAL E KA ME TE KOLLAJT PER TU BA PRESION ,QE TE LIROROHEN KETO VAGABONDA E TE BAJNE PRESION QYTETIT , KESHTU KRY MASKARAI QE DREJTON QEVERINE I KA TE GATSHEM PER ZGJEDHJE , TURP .
    EDHE NDONJI NAIV QE KA I BESU RAMES PER REFORMEN BESOI E KUPTON M KET RAST SE CFARE ESHTE REFORMA NE DREJTESI TE LIROHEN KRIMINELAT , MASKARANJT QE JANE TE LIDHUR ME KRYE MASKARAJN.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *