• |
ide | kryesore

Koment i “Dojçe Vele”: Gabimet që bëri Thaçi kur foli për Gjykatën Speciale

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Në dukje i prerë në fytyrë, por megjithatë me ton të qetë dhe mjaft të kontrolluar, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi iu drejtua përmes një videomesazhi popullit: Unë do të tërhiqem menjëherë, nëse konfirmohen akuzat ndaj meje, tha ai. Me këtë ai theu heshtjen e pakuptimtë prej disa ditësh, që pas bërjes publik të lajmit për akuzën e Prokurorisë Speciale për krime lufte ndaj tij. Ky lajm e gjeti Thaçin rrugës drejt Uashingtonit, ku ishte planifikuar një samit me Serbinë me ndërmjetësimin e SHBA-së. Takimi, që mund t’i jepte impuls të ri dialogut të ngrirë mes Beogradit dhe Prishtinës, u shty.

Deri në tetor është afati i konfirmimit ose rrëzimit gjyqësor të akuzës. Deri atëherë Thaçi do të qëndrojë në post. Është e vështirë ta përfytyrosh që ai do të mundet të vazhdojë ta përfaqësojë Kosovën me besueshmëri në dialogun me Serbinë, pasi pozicioni i tij në tryezën ndërkombëtare të bisedimeve është dobësuar masivisht në sfondin e një padie, që ende nuk është konfirmuar.


Në fjalën e tij Thaçi u përbetua për pafajësinë, vlerësoi meritat e UÇK-së në luftën për liri dhe kundër represionit të regjimit të Slodoban Milosheviçit si dhe lëvdoi arritjet e deritanishme në Kosovë. Sipas tij është hapur një kapitull i ri i vështirë dhe Kosova duhet të përballet me të shkuarën. Edhe ai vetë, tha, do të përballet me këtë proces.

Njëkohësisht Thaçi e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për njëanshmëri, për trajtimin jo proporcional të Kosovës lidhur me zbardhjen e së kaluarës nga lufta. Presidenti nuk la pa komentuar as veprimet juridike, duke e quajtur „skandal” kohën dhe mënyrën se si u bë publik lajmi për aktakuzën nga Prokuroria Speciale.

Por pikërisht hapave juridikë nuk do të duhej t’u referohej Presidenti. Sepse drejtësia nuk duhet paragjykuar. Po ashtu vlen prezumimi i pafajësisë së të pandehurit për aq kohë sa ai nuk është gjykuar. Ndaj tani është e papërshtatshme të flitet për faj apo pafajësi. Po ashtu sikurse është e papërshtatshme që t’u referohesh spekulimeve dhe teorive të komplotit lidhur me kohën e publikimit të aktakuzës paraprake. Këto nuk i shërbejnë askujt. Fakt është që gjatë 20 viteve pas luftës në Kosovë është arritur shumë për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Vetë fakti që tani mund të ngrihet një akuzë edhe ndaj presidentit tregon që sistemi funksionon.

Është si ironi e fatit që më 2015 ishte pikërisht Hashim Thaçi kryeministër, i cili u angazhua fuqishëm për ta çuar përpara krijimin e Gjykatës Speciale. Themelimi i kësaj gjykate për zbardhjen e krimeve të luftës të kryera nga shqiptarët në vitet 1998-1999 ishte një ndër ligjet më të debatuara në Kosovë. Me krijimin e saj Kosova tregoi forcë dhe bëri një hap të pashembullt në rajon.

Këto procese duhet të shihen edhe si një shans për një fillim të ri: Kosovës i duhen tani raporte të qarta, në mënyrë që energjitë të përqendrohen në nismat për zgjidhjen e problemeve. Historia e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet personalizuar. Është e padiskutueshme që shumë nga politikanët që drejtojnë sot vendin kanë kontribuuar fuqishëm për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Por në radhë të parë këto arritje janë meritë e njerëzve të Kosovës. E pikërisht ata meritojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Ndaj ka pak rëndësi se prej kujt dhe ku do të nënshkruhet një ditë një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. E rëndësishme është që përmes këtyre proceseve Kosova në fund të dalë më e fortë, më e konsoliduar dhe më e besueshme. Këto procese janë të paalternativë për demokratizimin e vendit. /Marrë nga DW me titull: “Të mos personalizohet historia e Kosovës!”

2 Comments

  1. DULLA K’OTI DHE ISA MORINA DHE PADRONI I TYRE HASHA ,LE TE GEZOJN QEVERISJEN E GRABITUR .. thotë:

    ISA MORINA ,HASHIM THACIBATON HAXHIUT ,DULLA K’OTI,EDI RAMA DHE ZA ZAGAR GAZETAR TE TR PREJ TYRE JANENJERZIT ME TE DISKREDITUAR NE TROJET SHQIPTARE…. E RREZUAUN NJE QEVERI LIGJITIME POPULLORE TE ALBIN KURTIT PER TE VAZHDUAR PERPARA ME QELLIMET E TYRE OKULTE,POR ANGELA MERKEL ESHTE ENDE GJALLE

  2. DW sigurisht shkruan ne menyre negative pasiqe sherben si arma mediatike e atyre qe bene kete alla goditje nen brez per politikanet e Kosoves. I paskan caktuar edhe afatin deri kur duhet te qendroje ne detyre, tetorin. Akuza mund te pranohet neser fjala bie. Nga e di DW se do ta pranoje ne Tetor? I ul besueshmerine thote. E pse, edhe Trump u akuzua se fundmi nga Teherani, madje me flete arresti nga Interpol. Nje gabim tjeter trashanik, madje ofendues eshte kur shkruan “krimet e kryera nga shqiptaret”. Si DW edhe gazetari duhet te mesokne mire shqip. Shqiptare jane shtetasit e Republikes se Shqiperise! Ato ne Kosove quhen kosovare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu